Pyetësori i Prustit/ Laura Olldashi: Unë ndjej, prandaj ekzistoj!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja, Laura Olldashi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Përpara shumë kohe do të kisha thënë që nuk ka lumturi. Apo ajo përbëhet nga çastet apo momentet. Sa më shumë rritem dhe aq më shumë mendoj qe lumturia është dhe jeton. Por që ne ta shohim duhet të kemi një mendim të shëndosh dhe pozitiv. Vetëm ideja që unë jam në jetë, që kam shëndet mendor dhe shëndet të trupit do të thotë që duhet të jem e lumtur.

Kur në mëngjes shoh diellin është një tjetër formë lumturie sepse rreth nesh ka sy që janë aq të “verbuar” me errësirën sa kanë humbur edhe aftësinë e të parit te dritës. Pastaj duhet t’i mjaftojmë vetes dhe jo të lakmojmë çfarë nuk është e jona. Një tjetër sekret për të qenë i lumtur është të bësh atë gjë që ta mbush zemrën, si në profesion, pasion, sjellje dhe ta bësh për vete; në atë lloj forme që të bën të jesh mirë.


Cila është frika juaj më e madhe?

Të zgjohem një mëngjes dhe fjalët mos i binden mendimit tim. T’i kem harruar ato dhe të mos kem mundësi shprehjeje dhe komunikimi me të tjerët. Kam jetuar me njerëz që nuk kujtonin asgjë, as familjen e tyre dhe kush ishin ato. Kjo është trishtuar. Ose për ata njerëz të cilët kane një memorie historike sepse kane jetuar luftëra të rëndësishme dhe nuk mund ta thonë sepse është fshirë e gjitha nga mendja e tyre. Ndoshta edhe për arsyen që kujtesa sjell dhimbje. Por të ndjesh dhimbjen do të thotë qe jemi akoma në jetë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Vajzën time sepse çdo gjë që bën e kthen në virtyte. Është e durueshme edhe kur jeta është e vështirë. Ajo i merr më të mirën jetës duke i dhënë më të mirën e saj. Në fund fare vetëm me këtë shkëmbim energjie mbushemi.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Martin Luther King që do të thoshte në 28 gusht 1963 në Uashington që unë kam një ëndërr: që të gjithë njerëzit janë krijuar për të qenë të barabartë mes tyre. Diskutimi i tij ishte për arsye raciale, ndërsa motivi ime është: që çdo popull ka lindur në tokën e tij dhe është i barabartë me çdo tjetër qenie që mund të ketë lindur në fund të botës, por së bashku mbajnë emrin “Njeri” dhe vetëm si i tillë duhet të gjykohet pa u mbështetur në ngjyrën e tij, origjinën sociale dhe prejardhjen e identitetit te tij. Sikur qeniet t’i konsideronim njerëz sot do t’i shikonim gjërat ndryshe sikurse edhe njeriu duhet të justifikoj qenien që është tek ai.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Kokëfortësia kur flasim si e metë sepse për te ecur përpara duhet këmbëngulja. Por, ndonjëherë e teproj aq shumë sa kthehet ne bezdi. Ok, mund të pranoj që është një nga tiparet që e kam trashëguar nga origjina ime dhe kam pasur vështirësi ta modifikoj apo ta përpunoj. Por, jam akoma në punë e sipër me veten.


Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Hipokrizia e kohëve dhe e njeriut modern. Mosmbajtja e fjalës, mburrjet e kota, të jetosh në sipërfaqe dhe jo në brendësi, zilia dhe smira, varfëria e shpirtit dhe e mendjes. Në fakt me njeriun nuk di nga ta filloj sepse sipas meje duhet te ribëhet i gjithë nga fillimi.

Në cilat gjëra e teproni?

Në këmbënguljen për t’i shkuar gjërave deri në fund sidomos atëherë kur askush nuk beson në çfarë unë bëj. Është një energji dhe forcë brenda meje që më çon në rrugë të reja ku nuk ndjek modën apo ndikimet e kohës dhe të individëve por vazhdoj të eci atje ku jam nisur. Një gjë e tillë të bën shpeshherë të mbetesh vetëm tek vetvetja dhe atëherë i jap çmime stimuluese vetes.  Dhe e dyta, meqenëse mbes akoma njeri normal e ekzagjeroj me ëmbëlsira, akullore dhe fruta.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Atëherë kur nuk dua t’i bëj keq tjetrit. Jo të gënjej por të modifikoj impaktin e një lajmi të hidhur. Profesioni im më lidh me njerëz që kane sëmundje te rëndësishme. Shpeshherë kam qenë në krahë të tyre apo te afërmeve te tyre dhe kur duhet të komunikoja apo kur më bënin pyetje për diagnozën jam munduar  ta modifikoj përgjigjen.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Mbyll sytë dhe shkoj kudo. Duke fluturuar mbi rrezen e diellit, pastaj ulem tek vesa e barit. Flladi me lëkund lehtë flokët. Gjethja e pemës luhatet ne ajër. Trupi ime mbështetet mbi tokë dhe gjethja bie mbi mua. Ose një tjetër udhëtim i mrekullueshëm është kur qielli është i zymtë dhe është vetëm një pikë e kaltër aty. Marr shkallët, ngjitem në qiell, fus dy gishta dhe e zmadhoj dritën sa pushton teëgjithë errësirën e qiellit.


Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Sipas mendimit tim… sepse në fund fare çfarë unë them është mënyra ime e të menduarit. Kur  flas do të komunikoj për ashtu si e mendoj që mund të jetë totalisht ndryshe me mendimet e te tjerëve.


Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Për çfarë nuk kam bërë! Por pastaj mendoj që të jem kjo që jam duhet te isha ajo çfarë kam bërë dje dhe e pranoj veten kështu si është me vetëdijen për të bërë çfarë nuk kam bërë. Pastaj kam gjithë kohën përpara…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Vetvetja. Është si një pus i thellë. Kur shikimin e hedh drejt vetes në fillim e sheh të brishtë, pastaj të thellë sepse ka shumë personazhe brenda, ka shumë sentimente. Është rapsodi me shumë ngjyra muzike. Kur e ke prekur dhe njohur të gjithë kur e kupton deri në fund brishtësinë  dhe bukurinë e saj mund vetëm ta duash. Jo ta duash sepse me bën mua por sepse më bën edhe të bukur.


Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Normale sipas asaj që për mua identifikon termi “Normal” sepse edhe normajla sot ka ndryshuar ose jam bërë e vetëdijshme qe secili ka normalen e tij personale që është ndryshe nga normalja ime. Kjo gjë duhet pranuar për faktin që jemi individë te ndryshëm; të zhvilluar dhe rritur në mënyra të ndryshme.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

E kam pranuar kështu si është veten edhe kur është tepër e sinqertë, edhe kur beson tek te tjerët, edhe kur zhgënjehet. E këqyr nga sipër kur ndeshet në situata të tilla. Tani e di që  nuk mbetet më keq sepse i ka pranuar njerëzit për çfarë ato janë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Dita kur u vura në kërkim të vetvetes, dhe njohjen me atë. Ka qenë gjëja me e bukur për mua sepse ky kërkim u arrit nëpërmjet shkrimit. Unë shkruaj për të njohur veten. Kanë kaluar disa kohë. Kam botuar një libër, është duke ardhur i dyti dhe i kam bërë një psikanalizë së brendshmes time sa do ta kishin zili të gjithë filozofët e botës. Nuk është kohë e humbur njohja e vetes.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Të mos e kisha shpërdoruar kohën për gjëra, njerëz dhe mendime koti. Ose siç e thashë me sipër për të qenë çfarë jam sot duhet të kisha atë të djeshmen, atë lloj humbje kohe, me atë lloj njerëzish apo situata te cilët më sollën tek njeriu që jam sot.


Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Do të doja të isha pemë sepse pema nuk është vetëm në sipërfaqe por është sidomos rrënjë nën tokë. Ajo është e lidhur me shume rrënjë të tjera të cilët në bashkëpunim me njëra-tjetrën bëjnë tokën. Ne jemi energji e cila është e lidhur dhe e shkëmbyeshme me të tjerët. Bashkimi i energjive është potenca që drejton botën. Pastaj edhe një gjë tjetër; pema është edhe mbi sipërfaqe. Ka takuar, ka parë njeriun, qiellin, diellin, shiun, stinët dhe është prezente me karakteristikat e saj. Në çdo vjeshtë me rënien e gjethes dhe çdo pranverë me rilindjen e saj ashtu njëlloj siç janë ciklet e jetës humane. Ndryshimi është që ne me jetën tonë ushtrojmë forcën që na deformon, na lodh dhe na konsumon ndërsa pema rritet, lulëzon, zhvishet duke ndjekur qetësisht ekzistencën dhe misionin e saj.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Vetveten, pa atë nuk do te jem unë. Dhe po të mos jem unë, do të lë çfarë vetvetja ime ka bërë. Në qoftë se nuk ka bërë asgjë nuk do të lë asgjë por në qofëe se e ka dashur shumë veten dhe e ka riprodhuar në shumë kopje (për shembull une jam nënë, jam profesioniste, kam artin tim etj) atëherë ekzistenca ime nuk ka shkuar dëm. Do të vazhdoj të jetë edhe kur unë do të kem vdekur.


Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Varfërinë shpirtërore, mungesën e hapjes së horizontit mendor. Kjo botë është kaq madhe sa ka vend për të gjithë. Por njeriu nuk e sheh këtë dhe hyn ne konflikte me të tjerët: për një copë tokë, për një grusht lekë, për një fjalë më shumë. Çfarë dë te thotë të hysh në konflikte me të tjerët? Do të thotë të jesh një jetë të tërë në konflikte me vetveten! Pastaj shoqëria jonë e mbështetur totalisht tek materialja, sendet dhe objektet i ka bërë që të jenë më të çmuara se shpirti. Ne luftojmë për një shtëpi më shumë, një makinë, për hektarë tokë më shumë, për të pasur kufij të rinj dhe harrojmë që toka jonë, atdheu yne është trupi jonë sepse brenda saj mban gjënë më të madhe dhe më të bukur që kemi shpirtin dhe zemrën.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në mes të natyrës, rrjedhjes së lumit, jeshillëkut të livadheve, hijes se fijes së barit. Do të më dukej vetja në pushime gjithmonë. Lumi me zogjtë do më këndonin. Uji do m’i freskonte mendimet. Jeshilja do më çonte në meditime dhe në hijen e fijes se bari do mbyllja sytë dhe do filloja të shkruaja: unë ndjej prandaj ekzistoj!


Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Ti shkoj deri në fund njohjes së njeriut dhe të shoqërisë sonë. Ti futem nën lëkurë, të analizoj karakteret e tyre. Në fund fare, në brendësi jemi të gjithë të ngjashëm por është egoja jonë që bën ndryshimin. Për shembull unë dua të rris shpirtin, dikush tjetër profesionin apo xhepat. Dhe jo vetëm kaq por edhe mjetet që përdorim për të arritur qëllimet.


Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Fjalën e dhënë, seriozitetin, shpirt madhësinë, humorin. Sikur njeriu të bënte ato gjëra për të cilat ka ardhur në jetë do ta kisha vlerësuar shumë. Por njeriu i sotshëm është zhveshur nga shpirti dhe është ngjitur e vrapon mbas materiales, përfitimit dhe interesave. Edhe rrethi shoqëror ku bën pjesë është i mbështetur në bazë të këtyre relacioneve.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Të njëjta gjëra që thash me sipër. Kur gruaja ta kuptojë bukurinë e shpirtit, vlerat dhe forcën e saj do të jetë e barabartë me burrin. Të dy së bashku me dashurinë që duhet të kenë për njëri-tjetrin do krijojnë familjen, shoqërinë, kombet dhe njerëzimin.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Fernando Pessoa i cili tek një fjali e vetme shkruajti themelimin e mendimit.


Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ata që zgjohen në mëngjes me një projekt të ri për paqen dhe dashurinë mes nesh.


Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Do të thosha shumë por jeta nuk mjafton për t’i bërë të gjitha. Besoj sikur të luaja në piano, do të më çonte tek rrjedha e lumit, origjina dhe rikrijimi jonë nga fillimi.


Si do të dëshironit të vdisnit?

Do të dëshiroja të vdisja atëherë kur të jem plot me veten. Kur ekzistenca ime të ketë justifikuar ardhjen time në ketë botë.


Cila është motoja juaj?

Nuk kam ardhur rastësisht në këtë botë.

ObserverKult

Laura Olldashi

—————————–

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ALEKSANDËR ÇIPA: KOHA DHE LOTI NUK KTHEHEN PRAPA!

PYETËSORI I PRUSTIT/ EMINE MALIQI (PEM’ZA): JAM KURRESHTARE E PANDREQSHME ME PA ÇKA KA MBAS KODRE