Pyetësori i Prustit/Aleksandër Çipa: Koha dhe loti nuk kthehen prapa!

aleksandër çipa

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti dhe gazetari, Aleksandër Çipa.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Është vetëm ide. Dhe si e tillë mbetet përherë një e mundshme e arritshme pjesërisht, por jo e qenë përherë. Në jetë e prek përkohësisht lumturinë e përkryer, por vijueshmërisht mbetemi në paaftësinë për ta bërë “lumturinë e përkryer” bashkëshoqëruesen e përditshme të jetës. Thërrmija të kësaj lumturie të përkryer gjenden në aktet dhe bashkëjetesën e çastshme me krijimin. Kur e kemi atë çast, pra kur na vjen çasti i krijimit të ndierë prekim qoftë edhe për një çast këtë lumturi. Në versionet e tjera, lumturia e përkryer për mua nuk ekziston.

Cila është frika juaj më e madhe?

Nuk e përcaktoj dot frikën time më të madhe sepse nuk më ka zënë, nuk e kam prekur, nuk e kam hasur. Por një version i përafërt mund të jetë ajo klasikja që vjen prej idesë se mund të ngjasë: fund-Bota.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Ndoshta jo një të vetëm. Poetët e talentuar i admiroj më së shumti. Sot admiroj më së shumti, Nënën time. Ajo jetoi si demiurge pranë Atit tim poet.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Po zgjedh brenda historisë sonë kombëtare: Nolin.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Shtatshkurtësia, por që e dua tash e sa të kem frymë, si vetvete.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Paqëndrueshmëria në karakter dhe në marrëdhënie.

Në cilat gjëra e teproni?

Në lexim. E kam të pakohë dhe që më shemb përditshmërisht agjendën e punëve rutinë. Ndoshta e teproj edhe në kohëqëndrimin mendor me dy prindërit e mi, me Nënën që mpaket përditmërisht pas ikjes së tim Et-i dhe Atit që më nxit vijueshëm të merrem me çka ka lënë si materie kulturologjike dhe etnokulturore.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Sa herë përballem me pamjaftueshmërinë e lekëve që kam në xhep.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Tiranë- Gjirokastër dhe Tiranë-Evropë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Përsëdytet. Dhe vargu i poetit Ilirian Zhupa: Mos bëj aritmetikë me gjërat që do.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Nuk e di, sepse më ka ardhur keq aq sa të mos ketë jetëgjatësi. Bricjapi është karakteri që e mban larg pendesën. Sepse karakterizohet nga arsyetimi dhe rezistenca logjike.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Gazetari-letërsia. Tashmë, natyrshëm janë familja dhe deti, veçanërisht Joni kur soditet nga Piluri, vendi i origjinës sime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Gjendje e qetë, optimiste. Është nën presionin pozitiv të mbylljes së librit tim të ri, esesë “Banorë të mistikës”.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Ajo që do të doja të ndryshoja nëse do kisha mundësi, është vetëm bërja realitet e disa projekteve që nisa në media në Gjirokastër në vitet 1994-1998. Por “tek e shkuara nuk ka më kthim”…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Maturimi, suksesi dhe karriera vijuese e dy djemve të mi, Akrit dhe Riseldit. Janë shqiptarë të cilësishëm që jetojnë si qytetarë të Botës.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Asgjë. Koha dhe loti nuk kthehen prapa!,- them diku në një poezi të rinisë sime të parë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

I përmbahem kërkesës për një vdekje të bukur. Dikur kam shkruar: “Në visin tim me det të kaltër/ e njohin tekën e pulëbardhës/ ajo shkon dhe vdes në gjirin më të kaltër…”
Do të doja të mbetesha vetëm Sandri që kanë njohur dhe ky që jam. Si send, adhuroj gurin, sidomos gurin e Bregut dhe të Gjirokastrës.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Kam shumë gjëra të shtrenjta. Aktualisht po ngre muzeun e babait tim: “Muzeu i Fjalës Lefter Çipa” dhe është gjëja më e shtrenjtë që ngre. Jo vetëm për krijuesin tim biologjik, por për fondin dhe trashëgiminë magjike kulturore që ka krijuar vendi i origjinës sime, Pilur.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mpakjen për shkaqe politike dhe njerëzore të popullit tim në viset amtare.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Vetëm në Shqipëri: në lëvizje vijuese Tiranë, Gjirokastër, Pilur.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

E qeshura prej thellësisë së qenies sime dhe dëshmimi përmes syve të mi.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Karakterin e qëndrueshëm. Ndoshta se jam krijesë e ardhur nga një baba me karakter të rrallë shqiptari.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Inteligjencën dhe cilësitë administruese në jetën familjare të saj.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Janë shumë. Nuk bëj dot listë të atyre që dua.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Nëna ime.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Atë të tim At-i,… i gjithi real, si natyra.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Duke qenë në lëvizje ose duke notuar në një gji të kaltër.

Cila është motoja juaj?

Bëj atë që mbetet dhe ji ai që çmohet.

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ EMINE MALIQI (PEM’ZA): JAM KURRESHTARE E PANDREQSHME ME PA ÇKA KA MBAS KODRE

PYETËSORI I PRUSTIT/ALFONS ZENELI: BABËZIA ËSHTË MËKATI EKSTREM

PYETËSORI I PRUSTIT: FAHREDIN SPAHIJA: FOTOGRAFIA ËSHTË DASHURIA IME MË E MADHE NË JETË!

PYETËSORI I PRUSTIT: AGIM VINCA: LUMTURIA ËSHTË E PAKAPSHME SI YLBERI