Pyetësori i Prustit: Lazër Stani

lazer stanii observerkult

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Lazër Stani.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Asgjë që është njerëzore nuk është e përkryer. As lumturia. Ndaj ne nuk rreshtim kurrë së përpjekuri, së ëndërruari, së shpresuari. Nuk kam ndonjë ide për lumturinë e përkryer, sepse ne si qenie njerëzore nuk jemi krijuar për të qenë të përkryer.  Përkryerja është e hyjnive,  jo e njerëzve. Ne kemi vetëm një mundësi: të përpiqemi që sot të jemi më të mirë se dje, duke qenë gjithnjë kritik më vetveten.

Cila është frika juaj më e madhe?
Koha. Frika se një ditë mund të iki nga kjo botë pa i realizuar ato që kam ëndërruar gjithmonë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
As kam menduar ndonjëherë për këtë. Tani që gjendem përballë kësaj pyetjeje më dalin parasysh vetëm emra shkrimtarësh dhe emri i Atit të shenjtë, Papa Françeskut, sigurisht.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me asnjë. Vetëm me veten time. Historia njerëzore nis me një krim, me vrasjen e Abelit nga vëllai i vet, Kaini. Gjithë personazhet më të lavdishëm të historisë  janë me këmbë të fundosura në krim: kush deri në gjunjë, kush deri në bel e kush tjetër deri në qafë. Ja të marrim gjeneralët e mëdhenj: Aleksandri i Madh, Konstandini i Madh, Napoleoni. Sa lumenj gjaku kanë derdhur?

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Vetia për të parë fundin e çdo rruge ende pa e nisur. Kjo të shkurajon.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Dyfytyrësinë, karnavalin e përditshëm të maskave, paburrërinë për të qenë njëherë vetvetja. Dhe arrogancën, brutalitetin, injorancën.

Në cilat gjëra e teproni?
Me mirëbesim.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Paqja shpirtërore e të tjerëve. A ia vlen shqiptimi i një të vërtete që e bën tjetrin të vuajë?!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi imagjinativ. Dhe sigurisht, shëtijet buzë lumenjve, ngjitja në male.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Këtë nuk e di. Mbaj mend fraza të nënës ose të babës, por jo të miat.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
E kam të vështirë ta them, por nuk mund t’i shmangem: Fakti që qendrova në Shqipëri në vitet nëntëdhjetë, kur miqtë e mi të huaj më luteshin të qendroja, në Itali, në Zvicer, në Austri.  Por si tridhjetëvjeçar, nuk kisha kuptuar asgjë nga historia, isha rob i idealizmit dhe dashurisë sime për vendin ku kisha lindur.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Fëmijet e mi. Vajzat e mia, Lodia dhe Lea.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E mirë më duket.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Stop smoking!

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Librat e mi: Kohë Për Nuse, Rrugë Pa Krye,  Feniksi i Kuq, Dënesje Në Dru, etj.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do kryeja studime të thelluara për fizikë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësin të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Astronaut. Të lundroja qiejve.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mungesën e dashurisë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Romë ose Vjenë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Imagjinata krijuese.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Fisnikërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Butësinë, brishtësinë, delikatesën. Nuk i duroj femrat që sillen e flasin si burra.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Nikos Kazantzakis, prozator. Yehuda Amichai, poet.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nuk kam heronj.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të pikturuarit.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Pa paralajmërim.

Cila është motoja juaj?
Jepi kuptim çdo dite të jetës tënde./Gazeta Observer