Pyetësori i Prustit/Linda Agolli: Nuk ka mjerim më të madh se zilia!

Po sonte kur të zhdukemi bashkë Do zhdukemi bashkë? Përmbi shkëmbinj majë gishtash të qëndrojmë Nën ujë të puthemi pa frymë Përtej shtatë qiejsh të shtegëtojmë.

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtarja Linda Agolli:

-Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Lumturia e përkryer është një monument gjigant ngritur në kokën e njeriut, ngjeshur brenda një kohe mikroskopike që është çasti dhe që përpiqem ta kap.

-Cila është frika juaj më e madhe?

Errësira. Në të gjitha kuptimet: reale dhe metaforike.

-Cilin person të gjallë admironi më së shumti?

Motrën që aktualisht kujdeset për nënën.

-Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

E pamundur, edhe sikur të desha. Por, më rend në mendje figura e O’Conell, prijësit irlandez, njohur si “Çlirimtari”.

-Cilin tipar tuajin nuk pëlqeni?

Asnjë dhe të gjitha. Shpesh u ndërroj vendet. Por mbetem tek Unë, gjithsesi.

-Çfarë nuk pëlqeni te të tjerët?

Prirjen për t’i drejtuar gishtin tjetrit.

-Në cilat gjëra e teproni?

A u gjendet fundi gjërave?! Tentoj me tepri.

-Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?

E kotë! Gënjeshtra është njësoj si të përdorësh një thupër thane për t’u mbajtur, në vend të bastunit. A mbahesh dot për thupër thane?!

-Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Udhëtim brenda Njeriut, udhëtim thellë Dijes. A nuk janë planete për t’u eksploruar?!

-Cilën fjalë apo frazë përdorni më shumë?

Fjalën “ndoshta”. Orienton drejt zbulimit të së vërtetës.

-Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Rëndësia që i kam dhënë të parëndësishmes; koha e humbur!

-Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Bijtë. Krijimtaria.

-Cila është gjendja momentale mendore juaja?

Meditative.

-Nëse do të mund të ndryshonit vetëm një gjë te vetja, cila do të ishte ajo?

Vetëgjykimi.

-Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?

Arritjet e fëmijëve të mi.

-Nëse do mund të kthenit kohën, çfarë do ndryshonit?

Mbase do ta përdorja më me efikasitet atë, kohën pra.

-Nëse do vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë njeri apo send, kë person apo cilin send do zgjidhnit të kishit qënë?

Albatros… në kiç të anijeve.

-Cila është gjëja më e shtrenjtë që poseidoni?

Hëm…nuk është “gjëja” është Qenie – biblioteka e trashëguar nga prindërit shtuar e pasuruar në vazhdim prej meje.

-Çfarë konsideroni mjerimin më të madh?

Nuk ka mjerim më të madh se zilia!

-Ku do të dëshironit të jetonit?

Atje ku ndjehem e lirë.

-Cila është cilësia juaj më e veçantë?

E vërteta! Dhe ç’është e vërteta, fokusi im janë mangësitë e mia.

-Çfarë vlerësoni te një burrë?

Vetëpërmbajtjen. Instikti i një burri, shpesh nxiton aq sa thyen hundët.

-Çfarë vlerësoni te një grua?

Urtinë. Ndjeshmëria e një gruaje, nxiton po aq sa instikti i një burri.

-Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

Doemos, një gjigantsi Viktor Hygo e pastaj edhe të tjerë.

-Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ata që ia thonë vetes të vërtetat në sy.

-Cilin talent do të dëshironit të kishit?

Atë të Sokratit. Ai më tha “njih veten”. A nuk kërkon dhe kjo talentin e vet?!

-Si do dëshironit të vdisnit?

Kush dëshiron të vdesë?! Por meqë është e pashmangshme, le të vdes pa e ditur.

-Cila është motoja juaj?

Kalo nëpër rrathë duke ndjekur vijën e drejtë! Dhe jam autore e këtij “zbulimi!” E kam shkruar edhe në librin me aforizma që po përgatis.

ObserverKult


Lexo edhe:

LINDA AGOLLI: NUK MUND TË MË VIDHNI…

LINDA AGOLLI: NUK DIMË NË DASHUROHEMI…