
Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Shazim Mehmeti:
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Nuk kam një ide, dhe jam i sigurt se lumturia e përkryer nuk ekziston. Ajo është një fëmijë që ka vdekur n’lindje.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Është frika për vdekjen e njerëzisë. Gjithnjë e më pak njerëzi, gjithnjë e më pak shpirt ka mbrenda njeriut.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Nuk admiroj asnjë. M’kanë zhgënjyer shumë persona, jo vetëm të gjallë, por edhe t’vdekur. Madje edhe personazhe shumë të rëndësishëm të historisë.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Nuk kam nji të tillë. Më shumë respekt kam për rrogëtarët se për mbretërit.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Jam shumë tolerant, e nuk do duhej të jem kaq sa jam.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Lajkëtimet, hipokrizia e tejdukshme.
Në cilat gjëra e teproni?
-E ha veten ma shumë se ç’do duhej.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Fikja e nji zjarri të ndezur mes njerëzish. Nevoja e një pajtese mes njerëzish.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Ky që po e bëj: nji mbyllje n’vetvete, gjithnji duke e kërkuar veten që s’e gjej akoma.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Kushedi…
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Jam nisur t’bahem një tjetër, dhe dola ky që jam. Por, nuk jam i penduar, as nuk m’vjen keq.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Familja ime, fëmijët e mi dhe fëmijët e fëmijëve të mi. Dhe kuptohet, pushtuesja – puna që bëj pa ndonjë llogari materiale.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Kushedi? A dini ndonjë njeri, që ka pa gjithçka brenda vetes? Unë jo se jo.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Po ta kisha atë mundësi, do ta bëja veten një ligj goditës, dhe do t’i dërgoja n’burgje gjithë mashtruesit, hajnat, kriminelët, kriminelët e politikës, kriminelët e kulturës (fatkeqësisht ka edhe të tillë), shkurt fjala, gjithë ata që po na lënë n’bisht t’botës, edhe si moral edhe si materie demografike.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Nuk mendoj se kam arritun gjë. Jam shumë i pakënaqur me veten.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Kushedi? Mbase do lexoja shumë më shumë, dhe do jetoja ma thjesht se kaq.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Një pëllumb, n’nji dritare, që e përkëdhel drita dhe një dorë e lëmuar gruaje.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Jeta dhe jetët e jetës sime.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Mjerimin e gjithëllojtë.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-N’vendin ma t’harruar, që është ky ku jam dy këmbët.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Nuk besoj se m’takon mua, me u përgjigjë n’këtë pyetje.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
-Burrërinë, ma parë se gjithçka. Është fjala e dhënë.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
-Grueninë, shpirtëroren, mendjen, dhe gjeturinë për të të bërë t’ndihesh ma burrë se burrë, ma zjarr se zjarr.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Ka shumë, por asnji sa Borhesi.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Nuk kam.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Talentin për t’jetuar pak më mirë. Nuk e kam fjalën për dëshirimin e luksit, por e kam fjalën për dëshirimin e thjeshtës.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Me dritën n’sy, me dritën (që shpresoj se nuk mbaron as Andej).
Cila është motoja juaj?
-Jeto thjesht. S’ka gja t’bukur si thjeshta.
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA SHAZIM MEHMETI: N’KRAHËT E TU MBËRTHYE, BAJ DASHUNI ME SYTË E TU…






