Pyetësori i Prustit/ Ndue Ukaj: Më tmerrojnë ata njerëz që gjunjëzohen përballë fuqisë së pushtetit!

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Ndue Ukaj:

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Nëse e ndjekim parimin e alternimit, atëherë lumturia ekziston vetëm në raport me jolumturinë, më saktësisht, me dëshpërimin, mungesën e dashurisë, ankthin, plogështinë. Për një të uritur, lumturia më e përkryer është momenti kur nuk kanoset prej urisë. Për një krijues, momenti kur sheh sesi ka marrë forma puna e tij. Në këtë drejtim, lumturia më duket se është njëlloj përpjekje e përditshme dhe e pandalshme për ta mposhtë dëshpërimin, plogështinë, urrejtjen, një përpjekje për ta furnizuar zemrën e mendjen me oksigjen dashurie. Nëse i kthehemi atij përfytyrimit për lumturinë e përkryer, medoemos kthehemi në Eden, por çështja komplikohet, sa herë pyesim, – se si mund të ishte historia njerëzore, në qoftë se gruaja e parë, Eva, nuk do të vepronte sipas vullnetit, pra nuk do ta provonte pemën e ndaluar? Pra, lumturia është njëlloj vullneti i lirë, një aftësi për të bërë zgjedhje, një çështje intelekti, një jetë që ka pranverë, por edhe acar.

Cila është frika juaj më e madhe?

-Një jetë pa qëllime, luftërat, një jetë e vetmuar, dhe thelbësorja, një jetë kur humbet aftësia për dashuri, në sensin e dashurisë si agape.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Të gjithë ata njerëz të mirë, që ia dalin me forcën e mendjes dhe të zemrës, ta bëjnë botën më të mirë, mjedisin etik e estetik më të shëndetshëm dhe atmosferën njerëzore më pozitive.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Ka disa. Gjergj Kastrioti është i patejkalueshëm për përmasën historike dhe peshën e pazëvendësueshme në historinë tonë kombëtare e kulturore, pa të cilin nuk mund të kuptohet kombi i shqiptarëve. Por, janë edhe figurat si Ibrahim Rugova e Ismail Kadare, dy kolos të kohës sonë, kontributet e të cilëve janë madhore dhe janë burime të pashtershme për të shuar etjen, për të freskuar mendjet e zemrat e secilës brezni, me vlera ushqyese, të epërme, estetike, etike e politike.  

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Në një vend ku besimi mes njerëzve është i cenuar rëndë, ndoshta ky.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Më tmerrojnë ata njerëz që gjunjëzohen përballë fuqisë së pushtetit, ata që i thonë prijësit, me veprime simbolike e me fjalë ledhatie, “më lejo të bëhem qeni yt, që të dëftoj besnikërinë.” Sa shumë të tillë ka mes nesh, i shoh përditë, janë kudo, në të gjitha nivelet e shoqërisë. Pastaj, dyfytyrësia, arroganca, ata kameleonët e aftë që të përshtaten në secilin sistem. Këta njerëz krijojnë smog mendor.

Në cilat gjëra e teproni?

-Nuk e di, ndoshta një përpjekje për vetëkorrigjim, që ndonjëherë më ngjan si një vegël torturuese.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Secili rast kur do të mbroja dikë prej një padrejtësie, secili rast kur do të shpalosja një të vërtetë tjetër të fshehur, secili rast kur ajo gënjeshtër do të përkthehej me një vlerë tjetër më të dobishme.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Janë dy momente: kur nisem prej shtëpisë për diku, për shembull në Romë, dhe pastaj, kur kthehem në shtëpi. Bëhemi nostalgjik, njëlloj si Odiseu.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Gruaja më thotë lidhëzën domethënë, por unë nuk pajtohem me të.    

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Me siguri, kur i kam mveshë me vlera disa njerëz që më vonë e kuptova se janë krejt të cekët, intrigantë, bythëlëpirës.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Dashuria nuk mund të jetë një. Është familja, dy fëmijët e mi të mrekullueshëm, Luisi e Izabela, gruaja ime, Edita, dhe letërsia që përherë më argëton, më jep forcë, më gëzon, më bën bashkudhëtar në kohë e hapësirë. Sa shumë kam udhëtuar përmes saj, sa shumë botë kam vizituar, sa shumë njerëz kam takuar, dhe krijimtaria artistike, pra letërsia, është dashuri qiellore.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-Është një gjendje e fokusuar në punët letrare që po bëj, një libër në prozë, krahas punës në disa poezi që i kam shkruar viteve të fundit, dhe një dëshpërim i madh tek shoh hutimin e madh të shoqërisë sonë, një si lloj paralize mendore, një plogështi dërrmuese, një aftësie çoroditëse e njerëzve të vendit tim, që me lehtësi, lirinë e tyre e depozitojnë në duart e fuqisë së pushtetit. 

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Të mos lejoja asnjë çast të kohës ta humbisja pa arsye.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Jam i gëzuar për çka kam shkruar, mendoj se kam bërë një dëshmi të mirë për kohën time dhe të njerëzve përreth meje.  

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Raportin tim me kohën, do ta shfrytëzoja shumë më mirë dhe shumë më drejtë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Ky që jam, ndoshta me ndonjë shartim të vogël, pas një vetëkorrigjimi.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

-Nuk e di çka posedojmë ne si njerëz, por besoj se aftësia për të dashuruar, sepse vetëm kjo vlerë ka rëndësi dhe na ruan njerëzoren. Pa këtë ndjesi, digjet njerëzorja te njeriu dhe ai bëhet një krijesë e shëmtuar.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Injorancën, që është e skëterrshme. E për fat të keq, kur sundon kjo, jeta shkretohet, gjithçka vyshkët dhe domethënia e jetës nuk kuptohet.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Pas vendit të vet, besoj se secili njeri gjithmonë ka një lidhje me ndonjë vend tjetër. Për mua, Italia është një burim i pashtershëm i artit madhështor. Një mik i imi, poet amerikan, para disa kohe kishte udhëtuar në Itali dhe shkroi: “kam vdekë dhe tani jam në Itali”, duke aluduar se është në parajsë. Këtë ndjesi e kam për këtë vend, që është njëlloj parajse e artit, por e dua pafund edhe Shqipërinë, që për mua, po ashtu është një Eden, Skandinavinë për qetësinë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Besoj, mirëkuptimi dhe fuqia për të qenë i vërtetë në çdo rrethanë.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

-Njerëzinë. Inteligjencën, aftësinë për t’i kontrolluar instinktet.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

-Aftësinë për të qenë vetvetja, inteligjencën dhe ndjeshmërinë krijuese, prej gruaje.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Ka shumë dhe kurrë nuk mund t’i ndaj, më duket se sa herë përpiqem të nxjerr një, më ngjan si ta nduki një copë prej zemre. Janë klasikët që më duken si patriarkë e shenjtorë, vargu i të cilëve përbën një galeri madhështore, shumë domethënëse, deri te ata të kohëve më të vonshme. Thjesht, secili shkrimtar i mirë, që më bën të bashkëndiej me të, e preferoj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Heronjtë e letërsisë, nëse të tillët mund të quhen heronj dhe ata që me vepra mirësie, dashurie e paqe, e bëjnë botën më humane.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Ndonjëherë kam dëshirë të këndoj apo të t’i bie ndonjë instrumenti muzikor, për shembull pianos.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Në paqe me vetveten dhe me të tjerët.

Cila është motoja juaj?

-Që njerëzit të mos i dëgjojnë motot, të mos i ndjekin tabelat e orientimet që të tjerët iu vendosin në jetë dhe iu thonë t’i ndjekin, por të kultivojnë përditë kopshtin e tyre, sa herë të jenë në ngushtica, të bëjnë një kthesë dhe kur janë të trishtuar, të besojnë se edhe nata më e gjatë një ditë do të përfundojë. Dhe krejt këto i kuptojnë më mirë përmes leximit, prandaj, të lexojnë, sepse arti, ka thënë një shkrimtar i madh, nuk mëson asgjë, pos domethënies së jetës.

ObserverKult


Lexo edhe:

ËNDRRA E PERANDORIT, TREGIM NGA NDUE UKAJ

NDUE UKAJ: IBRAHIM RUGOVA ISHTE I ASHPËR NDAJ EGOCENTRIZMIT NË LETËRSI


“DRITARJA E MARIN SHKRELIT”, ROMANI MË I RI I NDUE UKAJT

CIKËL POETIK NGA NDUE UKAJ: KOHA PËR GJËRA TË BUKURA

NJË LETËR PA PARALAJMËRIM, TREGIM NGA NDUE UKAJ

NDUE UKAJ: MANUAL DRITE