Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti, publicisti dhe aktivisti Shqiptar Oseku.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Them se lumturia është është transcendencë, kur njeriu shkrihet në diçka më të madhe se vetvetja, që e çliron nga akthi i vdekjes a nga paqëllimësia depresive. Njeriu është kafshë sociale dhe natyrisht që do të ndiejë një lumturi të proshkët, crudoe primitive, kur përket, kur është një nga tufa. Dashuria në çift është një kultivim i kësaj. Jemi dy, jemi ne, ka një shkrirje në një unë të përbashkët gjatë rënies në dashuri që përshkruhet bukur nga Francesco Alberoni, e cila ka funksion evolutiv, lehtëson mbijetimin e fisit. Nuk është e rastit pse dashuritë në çift janë modeli mbizotërues në planet, përkundër variacioneve kulturore. Edhe kur ka sanksion ligjor a kulturor për më shumë bashkëshortë (më pëlqen kjo fjalë shqipe, bashkë short) prapë njeriu ka një bashkëshort favorit, një benjamin. Nuk është e rastit, pse njeriu nuk konfimohet askund më fort e më thellë, se në relacion çift të mirë. Supozoj se edhe feja përmbushte dikur këtë nevojë për transcendencë, duket qartë se përmbush edhe sot në plot vende, ngushëllim e lumturi përmes një kozmologjie të sajuar, një portë për tek diçka më e madhe se vetja, ku saktësia shkencore e pohimeve është më pak e rëndësishme se ndjenja e përkatësisë, e shkrirjes në diçka të qëllimtë, e më të madhe se vetvetja. Prandaj religjioni ngjan aq shumë në dashurinë, është zor t’ia shash dikujt dashurinë, edhe kur ajo e vret. Supozoj se nacionalizmi është e njëjta gjë, përmbush të njëjtën nevojë, te turmat që ndërtojnë a shkatërrojnë diçka së bashku.Në takt me zhvillimin e qenies njerëzore, kemi evoluuar edhe manifestimet tona tjera, kemi shtatë artet, pikturën, muzikën, kemi letërsinë e poezinë, njeriu i kultivuar ka më shumë arena lumturie se dikur dhe, dua të besoj, më shumë mundësi të ndiejë lumturi, pa gjykuar e dëmtuar tjetrin. Por lumturia e tillë nuk vjen vetvetiu, si format tjera primitive të lumturisë. Ajo lloj lumturie është zgjedhje vullnetare, njeriu duhet të zgjedh të jetë i/e lumtur në atë mënyrë.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Se do të vdesin fëmijët e mi para meje. Mbaj mend, kur më lindi fëmija e parë, banonim me të ëmën në një apartament të vogël, në një ndërtesë seniorësh. Mos pyet si ndodhi kjo, rrëfim i gjatë, por të gjithë komshinjtë ishin minimumi 65 vjeç dhe neve e gocën tonë na rrethuan si ishull të vogël që rrethon një det dashurie. Gjithë ajo vëmendje, ajo skofi pleqnore për filizin, për fillin e ri. E unë ngrehesha natën nga disa herë se kisha droje, një tmerr të çuditshëm, doja të shoh nëse vajza mirrte frymë. Ja aty është. Është mirë. Ngrehe, brof, i qasem. Ia ndiej erën. A merr frymë. A je gjallë edhe sonte. Vajza ime.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Njoh një grua, e cila është e vetme në këtë jetë. Pa familje, pa kushërinj. Vetëm ajo dhe lëkura e saj kundër kadifesë së botës.Dikur kish një djalë, frut dashurie të pafat, të dashur e të dashtshëm si askush. Por ai u sëmur dhe vdiq nga kanceri në moshë të njomë. Një vdekje e bardhë e përzgjatur gjithë rënkime e mpirje e ekranë impulsesh në fikje, nga ato që harrojmë konvenueshëm kur themi se ka zot. Gruan e udhëzuan të vinte tek unë në sesione terapie, se zuri të pinte gjer në alivanosje, gjer në zhbërje të unit. Por nuk i ndihmova dot.Kisha frikë çdo ditë se do të vdiste. Dhe befas ajo u zhduk për ca kohë, nuk u përgjigjej më thirrjeve të botës. Numri i saj ishte i shurdhër. Provova në çdo mënyrë, madje bëra edhe të pabërën në Suedi, i trokita në derë pa caktuar kohë, por kot. Kish ngritur muret e dhembjes rreth vetvetes dhe s’linte askënd brenda tyre. Dikur njerëzit pushojnë së thirruri, trokitjet në derë reshtin. Unë nuk kam idenë si mbijetoi. Por u takuam dy vjet më vonë, në një kafeteri të Stokholmit, dhe pimë një kafe që na muar katë orë. Dukej, epo dukej e gjallë. Ish esëll, nuk vinte më alkool në gojë. Dikur s’u përmbajta dot, e pyeta troç, ashtu si pyesin budallenjtë e papërmbajtur si vetja ime. Ku gjen forcën. Nuk kuptoj, ku gjen forcën. Dhe ajo heshti për ca kohë. Heshti aq sa të arrija të pendohesha pse kisha lindur. Dhe pastaj më rrëfeu. Se si kish qenë vetëm për dy vjet, e ndryrë në apartamentin e vet. Se kish dashur të vdiste, se kish provuar të vdiste, disa herë. Me alkool, me tableta, me thikë, me litar. Njerëzit e dëshpëruar që duan të vdesin kanë një invencion të hatashëm. Por një fije e hollë diçkaje pa emër e kish mbajturtë lidhur për këtë botë.E pastaj një natë, i ish shfaqur në ëndërr një djalë i pashëm, gjithë dritë. E kuptova në zemrën time se qe çuni im, Shqiptar. Ish rritur, ish bërë burrë. Nisa të qesh e të qaj njëherit, e ai më thirri Nënë. Qeshëm gjithë natën, unë qeshja mes lotësh, ishte hera e parë që po qeshja pas dy vjetsh. Flisnim e s’di se cfarë, frynim si era, ishim e ku s’ishim. Kur u ngreva, fijet e shkrifëta të ëndërrës ishin ende në natën përreth meje. Ato janë ende përreth meje, edhe sot e kësaj dite. E kuptova se ç’po më thonte ëndërra. Se po të ish gjallë djali im. Po të ish rritur, po të ish bërë burrë i arsyeshëm e i urtë. Ai do të më thonte të rroj. Të jetoj. Jeto nëna ime. Jeta është dhuratë, jeto. Has njerëz të ndryshëm, fol me ta, ndrysho, dashuro, ndihmo tjerët, gëzo. Ke kaq fat që je gjallë, mos e shpërdor këtë dhuratë, mos e ço poshtë. Jeto. Dhe unë po jetoj.
Ajo grua. Ajo grua, dhe çuni në ëndërrën e saj, janë dy njerëzit e gjallë që admiroj më së shumti në botë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Identifikohem me Ovidin, Coriolanin dhe Uliksin goxha shumë, shkaku i shtegtimeve. Edhe Kristofor Kolombi më ka pëlqyer gjithmonë, njeriu që hapi velat e zbuloi një botë të re. Kjo puna e mërgimit, me identitetet e veta të shumëfishta, e dhembjet e bekimet që ka, më preokupon goxha, lexoj rreth saj. Çdo vend është atdhe për dikë, e mërgim për tjetërkë, thotë T.S. Eliot, sa saktë që i bie në të. Por më pëlqen edhe konti Axel Oxenstierna, një aristokrat suedez nga pjesa e dytë e viteve 1500, është rrëfim i bukur. Mbreti tiran e luftënxitës suedez i asaj kohe e ngre kontin e ri nga masa e gjysëmfisnikëve dhe e emëron kancelar, pse shpresonte ta ketë dikë të bindur që ia ndjek tekat. Suedia asokohe ishte superfuqi e luftonte në thellësi të Rusisë, e në kufinjtë e Gjermanisë së jugut. Dhe mbreti s’ia kish ngenë punëve të shtetit, se duhej të ikte të bënte namin larg, për të pushtuar filan qytet e humbur filan fshat. Në mungesë të tij, Oxtienstierna i urtë ndërtoi një administratë stabile larg tekave të mbretit, me rregulla e rutina të qarta e të drejta. Kjo administratë mbijetoi vdekjen e mbretit dhe shkatërrimin e perandorisë së madhe suedeze, e shërbeu si embrion i shtetit të mirëqenies. Është ruajtur një letër, ku kancelari tashmë plak Oxtienstierna i shkruan të birit të vet, që kërkon me ngulm lejen për shkuar të luftojë me mbretin në skajet e botës. Kancelari i përshkruan aty si duket lufta në të vërtetë, ditët e gjata në strehë nën shi, a përfundi muresh të ftohta, grabitjet që u bëhen fshatarëve, shkuarjet e barkut dhe diaretë. “Sikur ta dije mor bir se me sa pak mend udhëhiqet kjo botë” shkruan Oxtienstiera, “do të kërkoje leje jo të shkosh te mbreti, po të qëndrosh në shtëpi”. Kam një anë timen dhe unë që është pa respekt për autoritetin e pushtetin, që më bën të identifikohem edhe me kancelarin mesjetar suedez.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Tejanalizimi i gjërave. E kam deformim profesional. Njeriu është qenie e ndieshme, e cakërrohet në aq shumë mënyra, e unë dua të bëj mirë… Ja, them se më kupton. Ndiej se më paralizon nganjëherë gjithë kjo konsideratë, më bllokon pa nevojë, nuk më lë të veproj. Dhe meqë njeriut gjithmonë i vijnë mendtë kur ikin dhentë, edhe mua më vonë më vjen zor pse nuk bëra kështu, a ashtu, pse m’u desh të analizoja in absurdum. Një përmirësim këtu është në listën e gjërave për t’u bërë. Në fakt ka qenë në atë listë me vjet të tëra. Dhe unë shoh përmirësime. Ato mund të jenë hap i vogël për njerëzimin, do të thonte Buzz Aldrin, por janë hap madhështor për Shqiptar Osekun.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Injorancën. Injoranca është burrë në të dyzetat që ulet diku me një birrë, e bie erë parfum intolerance. Dhe di gjithçka. E di se burri duhet të jetë burrë, i ulur diku me një birrë, e bie erë parfum intolerance. E di se gruaja duhet të jetë grua, në kuptimin ndryshe nga burri. E di se i veti e ka gjithmonë mirë, e i huaji gjithmonë keq, e se dashuria ka një manual standard, të cilin e ka vetëm ai, por të cilin po s’e ndoqe prish gjithçka. Ai e di se çdo kush kqyr të mirën e vet, se çdo faj ka një fajtor, e çdo dështim ka një faj. Dhe arsye e dështimeve dhe problemeve është dikushtjetrizmi, ideologjia që shpjegon se gjitha problemet varen nga dikush tjetër. Por sukseset ama, ato injoranca konsideron se janë të tijat, varen vetëm nga ai. Kam lexuar diku se barbar nuk është kush nuk di, por kush nuk di – dhe s’di që nuk di a, edhe më keq, krenohet që nuk di. Kërkohen dy a tri shtresa injorance që të bësh një barbar të mirëfilltë. Dhe ata i kam shumë të bezdisshëm.
Në cilat gjëra e teproni?
-Si shpjegova më lart, në prirjen time për të tejanalizuar gjërat.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Unë e kam parim të mos gënjej në kohën e lirë. Por si çdo parim, edhe ky ka përjashtimet e veta. Dhimbsuria. Dhimbsuria mund të më shtyjë të gënjej. Frika se lëndoj dikë, e dhembja e lëndimit është më e madhe se vlera e shkakut. Por njeriu vëren me vitet se është zor të kalkulosh përpjestimet e sakta, meqë shpesh herë bën interpretime të konvenueshme se ç’quan rrenë të bardhë, të cilat në fakt i shërbejnë vetvetes, rehatisë vetjake, gjithnjë nën maskën e konsideratës karshi tjetrit. Ndaj ka vite që ndjek një rregull të qartë, që dikujt mund t’i duket qesharak, edhe është pak qesharak ta them të drejtën, po ta mendosh holl: kam një kufi parash. Gjer në 50 euro mund ta quaj rrenë të bardhë. Çfarë s’blihet me pare, a kushton mbi 50 euro, unë them të vërtetën time absolute.Dua të shtoj këtu, meqë po flasim për këtë temë, se kam vënë re që shqiptarët gënjejnë shpesh, nga gjëra të mëdha, e deri te gjëra të imta komplet të parendësishme. Gënjejnë nga Skënderbeu, e deri te cikërrimet, e kanë rrenën instrument të përditshëm. E pyet c’kemi, të thotë ja po blej rrush në dyqan, ndërsa në fakt blen rrush në pazar: rrena pa asnjë lidhje, e pa asnjë kuptim, si sesion stërvitjesh. Kam një pandehmë timen private, pa asnjë evidencë shkencore, se kjo kulturë rrenash ka të bëjë me natyrën tradicionale të shoqërisë shqiptare. Kemi një kod zakonor që ngre mikpritjen e mirësjelljen ritualistike në piedestal të paarritshëm, njerëzit nuk e arrijnë dot kurrë atë nivel në jetën e përditshme, por duan megjithatë të rrojnë konform idealeve të tij. Prandaj gënjejnë sistematikisht, për të mbuluar honet midis jetës, kësaj të varfërës së përditshme, e pritshmërive të traditës. Rrenat tona të përditshme janë maska jonë. Si suedez i natyralizuar, ndiej irritim të tmerrshëm kur marr pëgjigje “u kry!” dhe pastaj të lënë në baltë. Dhe vërej dhe vetë sa zhgënjehen shqiptarët kur u them, “s’mund të premtoj asgjë, por do të bëj më të mirën!”. Nuk u mjafton kjo, duhet të jap besë, e të mbaj besë. Dhe pastaj, supozoj, të rrej kur nuk shkon si gjithë tjerët. Por unë s’dua.S’mund ta bëj një gjë të tillë, për faktin e thjeshtë se fjala ime kalon kufirin 50 euro: ajo s’blehet me pare.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Ai i Uliksit, rrugëtimi drejt shtëpisë e dashurisë. Dhe rrugëtimi më çnjerëzor e më i urryeshëm, ai i Moisiut.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Hm. Urrej të mendoj se ka fraza a fjalë që përsëris, do të indikonte një mangësi fjalori.
Për çfarë iu ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Nuk kam asnjë pendim në jetën time. Jam pajtuar me të gjitha. Ka një çlirim të madh ky pajtim.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Nëse mendon dashuri romantike, kam disa. Të gjitha pikëkthesa në narrativin tim privat, meqë më kanë ndryshuar kursin e jetës. Që të jem i qartë, ishin pikëkthesa pse ishin dashuri, e jo anasjelltas. Jam plotësisht i sigurt, me secilën prej tyre mund të kisha qenë i lumtur.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Ajo e paqes dhe përkushtimit.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Asgjë. Jam një udhëtim i mbarë, një anije me velat hapur, dhe nuk dua të kthehem mrapsht në port për të ndryshuar skicat e anijes. Dua të lundroj.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Që jam çliruar nga barrët e së kaluarës sime. Që po tentoj të çlirohem, së paku. Duhet ta dish, unë jam rritur në familje të shenjuar nga pushteti, e jam edukuar si ushtar. Gjithmonë në shërbim të një ideje. Njerëzit që kujdeseshin për veten, për familjen e vet, për fëmijët, unë jam i edukuar t’i shoh si tradhëtarë, njerëz të ligj. Dhe ikja në Suedi nuk ndryshoi aq shumë gjëra, shqiptarët e atjeshëm më mbajnë mend nga aktivitetet lobiste, nga demonstratat, takimet e politikanë, Zyra Informative e Kosovës, mbledhje fondesh, ti emëro. Ishte gjykim i përgjithshëm asokohe, se isha ushtar i mirë. Prandaj ku u çlirua Kosova, mbaj mend se rashë në depresion. Çfarë do të isha unë tashti. Është pak e zorshme të shpjegohet, për njerëz që rrojnë në atdhe, efektin që kishte çlirimi i Kosovës për dikë si mua në mërgim.Isha i gëzuar natyrisht, i lumtur për fitoren, për miqtë e familjarët e njerëzit e mi që kishin shpëtuar, kishin triumfuar. Por njëherit, ndieva për herë të parë edhe një boshllëk mpirës, që më zhyti thellë në depresion. Njerëzit mendojnë se depresioni është gjithë lotë e vaj e më the, e të thashë. Por ai është pikëllimi, një tjetër ndjenjë, që ka tjetër emër. Depresioni është boshllëk ku s’ia vlen më as të pikëllohesh, ku gjithçka humb çdo kuptim. Dikur asokohe edhe u martova, m’u duk gjëja e duhur për të bërë. Nisën vite të tëra në shërbim martesës, duke tentuar ta fus me çdo kusht cilindrin në vrimë katërqoshe, si kavie e trajnuar gabim. Shkurt, më muar 40 vjet jetë që të çlirohem nga gjithë ky kondicionim, e ta çliroj veten nga të qenit ushtar.T’ia lejoj vetes të zgjedh veten, për hir të vetvetes.Kjo është arritja ime më e madhe. Uroj fëmijët e mi marrin nga kjo, kjo do të ishtenjë arritje ca më e madhe.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Asgjë, shiko më lart përgjigjen nr 14.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësin të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Kjo mënyrë e të menduarit është e huaj për mua. Unë jam i preokupuar duke bërë më të mirën që mundem nga kjo jetë që jam. I kam duart plot me jetë, s’kam kohë as hapësirë të merrem me fantazi alternativash.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Do të thoja ndonjë dashuri, por dashuria as është gjë, as posedohet. Them se gjëtë më të shtrenjta që posedoj janë grafitë e vajzave të mia kur ishin kërthi në onin e së ëmës. Janë gjëja më e bukur që kisha parë ndonjëherë, e absolutisht të paçmueshme për mua. Janë nga ato gjëra që janë aq të shtrenjta, sa s’blehen dot me para.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Shiko përgjigjen time më lart për injorancën.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Qenka pyetësor me plot pyetje rreth një jete alternative, por unë jam preokupuar me këtë jetë që kam. Do të doja ta kem edhe një apartament në Sarandë. Por jetoj këtu ku jetoj, me këta njerëz të dashur që kam përreth.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Miqësia ime me gjuhët dhe fjalët, e miqësia e tyre e ndërsjelltë me mua. Më ndihmojnë të kuptoj njerëzit dhe botën përreth. Më ngushëllojnë. Më lumturojnë. Më ndërtojnë një arqitekturë të kujtesës që më duhet, për të mbajtur shpirtin gjallë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Ato që vlerësoj tek çdo njeri: pasionin, humorin, kreativitetin, lojalitetin, aftësinë për të menaxhuar afërsinë. Sinqeritetin me vetveten. Mallkimi më i rëndë që mundem të ta jap unë është, qofsh jointeresant.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Njësoj si më lart.
Çfarë vlerësoni më së tepërmi tek miqtë tuaj?
-Njësoj si më lart.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Varet se kur pyet. Për momentin po lexoj Elena Ferranten dhe ajo është shkrimtarja ime e preferuar. Para saj kisha Susanna Alakoskin shkrimtare të preferuar. Por në poezi kthehem vazhdimisht te Yehuda Amichai.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Familja ime janë heronjtë e mi në jetën e vërtetë. Fëmijët e mi, shpendë shtegtarë gjithnjë në fluturim në cikle të rregullta divorci, një javë të babi, një javë te mamaja, që flasin shqip me babin, persisht me mamanë, suedisht me shoqet, e anglisht e spanjisht në shkollë, e zgjedhin të duan në të gjitha gjuhët. Nëna e tyre, që bëri zgjedhje të guximshme, e që zgjedh prapë të dojë. Motra ime, që mëkon plagët e veta dhe zgjedh të dojë. Nëna ime, që pati jetë të zorshme, dhe zgjedh kryeneçësisht të dojë. Vëllai im, që la Suedinë të shkojë vullnetar në dy luftëra, e zgjedh të dojë. Edhe plaku, që pati aq shumë sfida, e disi zgjedh të dojë. Këta njerëz janë heronjtë e mi privatë. Secili syresh dallon nga tjetri, por emëruesi i tyre i përbashkët është dashuria.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Unë për vete mendoj se kam zë si Luciano Pavarotti, por nga reagimet e tjerëve marr vesh se në këndim kam më shumë ambicie se talent.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Për momentin jam preokupuar me jetën. Por kur vjen dita, dua ta kem vdekjen time vetë në dorë, kështu si kam marrë në dorë jetën time.
Cila është motoja juaj?
-Duaj, thuaj, shkruaj./Gazeta Observer