Pyetësori i Prustit: Abdullah Zeneli

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari dhe botuesi Abdullah Zeneli.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturi e përkryer? Absolute? Do ta relativizoja pak. Mjafton lumturi! I lumtur të merresh një jetë me atë që do. Me atë që di. Me atë që nuk e ke “harruar” për asnjë imtë kohe.  Me atë që nuk kanë arritur të ta cenojnë, të ta marrin. Të të ndajnë nga ajo. Të ta vrasin! Mbase këtu fshihet lumturia. Duhet hapur me mund shumë guaska në kërkim të margaritarit. Margaritarit që quhet lumturi… le ta themi e përkryer.

Cila është frika juaj më e madhe?
Paaftësia. Për më të voglën gjë. Se nga të voglat shkohet te të mëdhatë… Faji për paaftësi është i thjeshtë, jo kompleks. Sepse nuk të ka faj errësira që nuk e sheh dritën. Nuk të ka faj robëria që nuk e kërkon lirinë (ç’m’u kujtua Naim Frashëri, që në zemrën e perandorisë obskure krijoi vepër madhore! Nuk priti Kongresin e Alfabetit të 1908-tës, as Shpalljen e Pavarësisë së 1912-tës… e shumë ase të tjera). Nuk të ka faj mendja që nuk e ke lëshuar në kullosa (të dijes) pa fund…

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Mësuesen e parë, edhe pse nuk e kam parë thuaja më shumë se gjysmë shekulli. Kishte vërejtur prirjen time për lexim. Më ka mjaftuar kjo të mos e takoj nga frika se mos nuk kam lexuar mjaft. Duket se e plotësova paksa pyetjen paraprake.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Aleksandrin e Madh. Jo për pushtimet. Por ta kisha mësues Aristotelin. Sidoqoftë, edhe mësuesja ime e parë kreu me nder detyrën e saj, edhe pse janë më se 2300 vjet në mes.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Vizioni. Të qenit jashtë kohe. E vuaj këtë jo pak.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Paaftësia. E thashë dhe një herë, kam shumë frikë nga të paaftët.

Në cilat gjëra e teproni?
Leximi. Më thonë natyra ime e polemistit të pakompromis. Por jo. Leximi.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Të marr një kredi për të botuar libra (nuk ju gënjej)!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Pas çdo nate pothuajse balzakiane (deri ndaj të gdhirë) dalja për kafe me miq nga mesdita në Cornerin tim. Pas çdo tremujori, prezantimi i botimeve në një panair: Paris, Prishtinë, Frankfurt, Tiranë! Kaq më lejojnë financat…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Prit pak!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk kam bërë edhe gjashtë fëmijë! Gjashtë nuk po më mjaftojnë ta kurorëzoj vizionin tim.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Në një tregim timin të shkurtër (Dashuritë) e kam shpjeguar këtë, edhe pse ka vetëm dymbëdhjetë rreshta (si sintezë): Nëna, mësuesja, gruaja! Po të tria janë të gjinisë femërore, ndaj si emërues i përbashkët, pa nacionalizëm patetik: KOSOVA!

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E shkëlqyer: shoh, dëgjoj, reflektoj, protestoj! Me një fjalë, punoj!

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Emrin. Po nuk kam faj për këtë. Nuk më kanë pyetur. As babain tim (ishte ushtar kur kam lindur). As nënën (e ku dëgjohej më 1952 zëri i gruas së vetmuar)…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Afirmimin e letërsisë kombëtare në përmasa ndërkombëtare. Është realitet që kundërshtarët e mi (jo të paktë) e minimizojnë! Jam krenar për këtë! Minimizimi më ka bërë mirë. Kam shtuar mbështetjen e pakursyer drejt këtij afirmimi!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Të mësoj edhe nja 3-4 gjuhë të huaja. Po edhe këto që di më mjaftojnë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Libër. Sepse libri rilindet duke u shfletuar.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Këmbëngulja. Vendimmarrja. Dy anët e së njëjtës monedhë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Jua thashë: paaftësia!

Ku do të dëshironit të jetonit?
Askund, përpos Prishtinës! Edhe në ferr duhet të ketë një Prishtinë. Sikundër edhe në parajsë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Qëndresa.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Tolerancën.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Femëroren.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Hashek. E kam “lexuar” dy vjeç. Është libri i tij “Ushtari i mirë Shvjek”. Atdheu do ushtarë të mirë. Me pak ushtarë të mirë lë nam. Si Skënderbeu. Adem Jashari…

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që realizojnë vizionin e tyre. Me punë, jo me bërryla.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Prestidigjitator. Por edhe kjo që kam bërë në fushën time s’është larg.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke punuar.

Cila është motoja juaj?
Duhet qëndruar!/Gazeta Observer