Adriatike Xh. Lami: Lumturia është e pabesë, ikën dhe vjen atëherë kur ti se di…

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Adriatike Xh. Lami.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia ekziston. Edhe ajo e përkryera besoj përderisa kur unë kërkoj diçka për ta pasur them: Ah sikur ta kisha si ajo që kam provuar… Por lumturia është mjaft e pabesë. Ikën dhe vjen atëherë kur ti se di. Njeriu është gjithmonë i papërgatitur për lumturinë. Ai asnjëherë nuk e kupton kur është totalisht i lumtur. Ndaj ekziston shprehja tjetër: Paskam qenë e lumtur… Mendoj që kam provuar lumturi të vogla dhe të mëdha. Di t’i shijoj të gjitha. Dhe diçka. Lumturia ka një huq. Të bën të pangopur dhe kjo në vetvete s’është gjë e keqe. Është aq e bukur përpjekja e njeriut për ta gjetur atë.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika që të mos vdes para kohe, jo sa kam ende për të kryer edhe ca detyra nëne.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Adhuroj pafund të voglin tim, për gjallërinë dhe larminë që natyra dhe zoti i ka falur. Shoh si rritet një burrë ideal. Admiroj qetësinë dhe dijet e të madhit djalë. Dhe po të vazhdoj më tej burrat e familjes time.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Jo se e mendoj ndonjëherë konkretisht këtë, por tani po më vjen ndër mend që ndoshta mund të identifikohesha me një grua si Elisabeta e parë apo Hillary Clinton. Apo një shkrimtare si Isabella Allende, apo një mësuese- grua të ditëve tona si Andria Zafirakou….

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Durimi pakufi, pasi edhe durimi e ka një kufi.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Aftësia për të bërë keq.

Në cilat gjëra e teproni?
Punoj shumë. Po kështu edhe në krijimin e idesë për të ardhmen. Dua ta ndërtoj atë para kohe.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Edhe kur gënjej unë them të vërtetën… vetëm jeta e fëmijëve të mi.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Preferoj të eci me makinë në udhë buzë detit kudo qofshin ato. Makinës dëshiroj t’i jap vetë, ose djemtë ose njeriu që dua.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Po.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
I jam borxh sime mëje. Ndihem keq që kam kritikuar ndonjëherë tim atë. Ende nuk e fal dot tim shoq. Nuk e putha për herë të fundit tim vëlla dhe….do doja që bijtë e mi të mos i kisha ulur shpesh e tu rrëfeja për humbjen.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja ime ajo e madhja dhe kjo e vogla.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Qetësia. Mendoj se jam në periudhën më të qetë të jetës së deritashme.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Trazohem (shqetësohem) shpejt dhe ndoshta këtu qëndron edhe çelësi i çdo të mire në jetën time, pasi trazimi më ngre ura mbrojtëse ose luftimi të sakta. Por do doja të mos e prishja më terezinë e gjërave të mia.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Që linda dy bij, që kam provuar të dashuroj dhe që kam realizuar ëndrrën për të shkruarit.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do isha bërë psikiatre…përveç kësaj që jam… statusin tim… dhe më shumë fëmijë, gjithmonë djem, ahahaha.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Pulëbardhë…. Pulëbardha shfaq liri, dlirësi dhe të krijon idenë e të paarritshmes. Është edhe shprehje e frikës sime të sotme për fluturimin, pasi unë jam njeri i tokës, por edhe e dëshirës njerëzore për zbulim e meditim.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Dashuria. Kam dashuri pafund brenda vetes. Dashuri dhe falje. Dhe dy aftësi: Atë për të rrëfyer dhe udhërrëfyer.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Sa i mjerë është ai njeri që vjen nga padija, injoranca, që nuk provon kurrë dashurinë dhe drejtohet nga keqdashja e shfrenuar. Janë bosh si zgavra ata njerëz që reflektojnë pangopësi. Mjerim edhe për ata që nuk kanë asgjë për të bërë në jetë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Gjatë në Bruksel, Gjenevë, shkurt të eksploroja një vend si Australia.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Gjëra që një mashkull më ka dhënë mua dhe që i kam shijuar: Vlerësoj kur ai është i zoti të nxjerrë në pah dimensionet feminile të një gruaje, ta bëjë atë pjesën e vet të butë dhe të paqtë. Ta vërë re me një shikim elegancën dhe hijeshinë e gruas deri në admirim, të motivojë thjeshtësinë, të lartësojë mëmësinë. Të dëgjojë rrëfimin. Të puthë në ballë e në flokë. Të shohë se si një grua shkon e vjen drejt tij. Mashkulli duhet ta ndërtojë dashurinë. Një burrë i mençur vlerëson dhe kupton gruan apo gratë e jetës së tij. Puth në ballë e në flokë, ka aftësi për të dëgjuar, aftësi për të mos humbur, aftësi fitimtari, është bujar, ndërmerr inisiativa, ka pushtet mbi të keqen, sfidon vdekjen etj.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Feminilitetin. Një femër nuk duhet të thotë: Dua të jem njësoj si burrat. Të mos flasë me zë të lartë, të përkulet vetëm për fëmijët e vegjël. Të lexojë një femër, të gatuajë me dashuri për familjen e saj. Të jetë një vatër ku rreth saj të mblidhet dashuria dhe familja. Femrat që ia dalin mbanë, që falin me fisnikëri dhe nuk replikojnë me të keqen, që nuk falin asgjë për fëmijët e tyre, që mbrojnë kauza të shenjta, që guxojnë… etj.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Po i rendis sipas kohës që i kam lexuar: Përrallat, Petrarka, Shekspir, Markez. Gëte, Wittman, Kamy, Brodski… Mjeda, ynë … ka shumë….

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që ia dalin mbanë. Ata që nuk dorëzohen. I shoh në sy ata. I adhuroj ndonëse dhe vetë përpiqem si ata. Gjej modelin më të mirë. Ata që bëjnë vepra të mira. Ata që merren kryesisht me fëmijët, edukimin, të drejtat, artin. Heronj janë njerëzit e mëdhenj apo të vegjël që krijojnë modele.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Kam dëshira të fshehta… të bukura gati – gati mahnitëse.
Së pari do doja që disa talente që kam t’i vija në punë. Jo gjithmonë njeriu vë në punë ato që ka. Psh; të këndoja, e ndër ato që si kam do doja si im shoq të luftoja me rrezikun.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në shtrat duke lënë ca amanete. Po, po gjyshe a stërgjyshe e vjetër fare. Unë kam humbur disa anëtarë të familjes dhe e di, nuk doja të vdisja si asnjëri nga ata, sepse nuk ekziston dëshira dhe modeli për të vdekur.

Cila është motoja juaj?
Ngrohu gjithmonë nën një diell dashurie.
Çdo gjë përsëritet sërish e në këto Luftrat e shpirtit janë më të bukurat./ ObserverKult