Pyetësori i Prustit: Fatmir Sulejmani

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet profesori, shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Fatmir Sulejmani.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer mund vetëm të aktrohet.

Cila është frika juaj më e madhe?
Humbja e më të dashurve.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Poeteshën Linditë Ahmeti.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Martin Luter Kingu.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Toleranca ndaj atyre që nuk e meritojnë mirëkuptimin.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mërinë e kameleontë.

Në cilat gjëra e teproni?
Ndoshta nganjëherë flas më shumë se ç’duhet.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Shpëtimi i një jete, heqja qafe e një budallai…

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Të vizitoj tempujt e inkëve.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Ndoshta fjalën: natyrisht.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Nuk më vret ndërgjegja për asgjë të madhe, por, meqë duhet t’i përgjigjem pyetjes,  po përmend hidhërimet e kota me më të dashurit e mi.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Pa konkurrencë: gruaja ime Gjyla.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Këtë e dinë më mirë të tjerët.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Nuk do të ndryshoja asgjë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Punën e ndershme dhe familjen e shëndoshë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nuk mund ta mendoj jetën brenda një sendi a personi tjetër, ndaj do ta reprizoja edhe një herë jetën time me të gjitha dritëhijet e saj.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Ndershmëria.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Katandisjen kolektive të kombit tim.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Aty ku më ka rënë koka.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Ndershmërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Ndershmërinë, sinqeritetin, mençurinë, bukurinë…

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Faik Konica.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit që e ngjyejnë bukën me djersën e ballit.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të Mishel de Montenjit.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në krahët e më të dashurve të mi – gruas dhe djemve.

Cila është motoja juaj?
Këshilla e Babës së ndjerë: Kur të rrëzohesh ngrihu vetë./Gazeta Observer