Pyetësori i Prustit: Flutura Açka

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer është gjendje iluzive. Njoh njerëz që duken pafundësisht të lumtur, të nginjur nga mirënia që i rrethon, por që kanë harruar se pasuria që ua pjell këtë lumturi mban erë barut. Unë jetoj me lumturitë e vogla, të përditshme, të përkohshme, mbase të pasigurta, që të gjitha bashkë të çojnë te përkryerja. Përderisa njeriun as dashuria nuk e bën tërësisht të lumtur, si mund të ketë lumturi të përkryer? Lumturia ime personale ka një varësi të madhe me “të shkruarit”, si proces, si shtegtim për diku tjetër.

Cila është frika juaj më e madhe?
Të humb njerëz të dashur. Ne jemi qenie shumë të brishta dhe të pambrojtura para ashpërsisë së kësaj bote që shpesh ngre kurthe dhe na vë në prova të mëdha.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk kam idhuj, por një qenie me të cilin kam dëshirë të identifikohem në një rreth superan virtytesh, është im atë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Mbase Konica, por edhe ai ndonjëherë ishte cinik me tepri dhe i pëlqente komoditeti, një gjë që atdheu i tij zor se ia siguronte në kufijtë e finesës që ai parapëlqente.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Dikur kam bredhur klinikave për t’u kuruar, pa e ditur se vuaja, nga mbindjeshmëria. Atëherë e kam gjykuar si pafatësi, tani e kam kuptuar se ka qenë privilegj të vuash prej saj. Në të vërtetë, ajo që nuk më pëlqen tek vetja është natyra pritëse dhe tepria e skrupujve.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Pabesia.

Në cilat gjëra e teproni?
Në pagjumësi, ngaqë jam fjetëkeqëse, por jo se më tmerron mendimi që një të tretën e jetës e kalojmë në gjumë. E teproj ndonjëherë me verën, siç bëja dikur me seksin, por janë nga ato tepri që të bëjnë njeri më të mirë, e nxjerrin në lëkurë thelbin tënd të mirë, natyrisht, nëse e ke të mirë.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
Gruaja është qenie më e brishtë, kështu që në situata të caktuara i bën sens gënjeshtra. Po të isha burrë, do të fyhesha nga kjo pyetje. Nuk ka qenie më e shpifur se një burrë që gënjen.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Nëpër Itali, sepse është kudo e bukur, natyrë dhe arkiekturë. Kam qenë, por do të kthehem besoj së shpejti në Kejp Taun, të marr Rrugën 62 dhe të ndal edhe një herë para dyqanit që në vend të tabelës, shkruante: “No dogs, no politicians”.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Bir!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jam penduar që nga nxitimi a shkujdesja dikujt nuk i kam kërkuar dikur ndjesë, edhe pse nuk isha vetëm unë fajtorja.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Im bir, ardhja e tij e konkurroi edhe shkrimërinë. Burrat janë një katalog i kursyer në jetën time, por kam qenë me shumë fat, kam dashur burra që më kanë dashur fort.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E pasigurtë, një ndjesi fataliteti, që më ka diktuar mbase nga një lloj tërheqje të përkohshme nga jeta publike.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Druaj se do t’i përsërisja gabimet e mia. Atëherë kur i kam bërë, nuk i kam bërë unë, por mosha, dhe tani mosha i etiketon si gabime, jo unë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të prekja ëndrrën time, atë të Letrave, dhe kjo falë Lirisë. Unë jam shkrimtare falë Lirisë, pa të nuk e di se si do të ishte jeta ime, mbase siç nisi në rininë time të parë, e privuar…

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Të kursyerit e kohës nga bjerraditja. Kur je i ri, këtë nuk e kupton. Kur e kupton se sa e çmuar është, koha ndërkohë të kaluar dhe nuk e zotëron dot më.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Kalë, kali vdes në këmbë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Mëmësia. Biblioteka. Liria.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Denatyrimin.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Firenze.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Sinqeriteti dhe fshehtësia. Duket sikur kundërshtojnë njeri-tjetrin, por janë dy gjëra të ndryshme.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Naivitetin, nuk ka qenie më naive se meshkujt, një naivitet i bukur fëminor që e has vetëm në shtresimet e larta. Meshkujt janë si metali, vetëm në temperaturë të lartë, u duken përbërësit. Neve grave thjesht na duhet të kuptojmë nëse përballë nesh është njeriu i duhur për sipërmarje të tilla termike.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të qeshurën. Ka femra të pabukura, por që qeshin aq bukur, që kanë një të qeshur të brendshme aq shpirtërore, sa i konkurrojnë bukuroshet prej kartoni të tharë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kam disa: J.M. Coetzee, Kafka, Virginia Woolf, Clarice Lispektor, Orhan Pamuk, Michel Houellebecq, Vladimir Nabokov, etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nuk kam heronj, përderisa heronjtë e gjallë kanë edhe hijen, pjesën e palexueshme, të panjohurën, që e marrin me vete bashkë me ikjen e tyre. Edhe në prozën time ndërtoj skena pa heronj.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Piktore, shkarravis ndonjëherë. Nuk ka paqe më të madhe se paqja e përftuar nga ngjyrat, loja e tyre. Është një medium i ndërtuar mbi fantazinë që rindërton kujtesë, ndryshe nga letërsia që është vazhdim i kujtesës, siç thotë Borgesi.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Do të lutesha të ishte pa vuatje.

Cila është motoja juaj?
“Çdo unazë më del nga gishtat”. Është vargu i një poeteje gjermane./Gazeta Observer