Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet studiuesja dhe kritikja e letërsisë Rovena Vata.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturinë do ta konceptoja si një formë guximi për ta lënë veten të lirë për të jetuar e përjetuar. Lumturia, ose të paktën ideja e lumturisë, është e domosdoshme për të jetuar. Lumturia është një sfidë, kërkon përpjekje dhe ka ligjet e saj të forta: të duash shumë veten, të dëgjosh, të respektosh, të jesh pranues e jo gjykues ndaj të tjerëve. Personat që e pranojnë veten ashtu siç janë, edhe kur janë të predispozuar për të ndryshuar, janë më të lumtur. Në fund të fundit lumturia nuk vjen vetiu: disa e ndjekin, ndërsa disa të tjerë e krijojnë. Një gjë është e sigurt: ata që priren të jenë të lumtur, e përballojnë jetën në mënyrë më të vendosur e pozitive. Zgjidhja është te secili prej nesh…
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika më e madhe është humbja e atyre që më dhanë mua jetë. Aristoteli ka thënë: “Vdekja është gjëja më e tmerrshme, sepse është fundi i gjithçkaje”.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Personi që adhuroj më shumë është nëna ime. Mbase për shumë njerëz do të duket si diçka klishe, por e adhuroj atë për forcën që ka, për dashurinë që rrezaton në çdo moment, për gatishmërinë që tregon çdo herë, për forcën që të jep edhe në ato momente kur ndjehesh shumë e dobët, për zgjedhjet që gjen edhe atëherë kur ti mendon se zgjidhje nuk ka. E adhuroj nënën time në çdo qelizë të qenies së saj, e adhuroj atë sepse është thjesht nëna ime, e mira ime.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Personaliteti historik me të cilin do të dëshiroja të më identifikonin është Martin Luther King, i cili ka thënë: “Çdo gjë që prek një njeri direkt, i prek të gjithë indirekt. Unë nuk mund të bëhem ai që duhet të jem, nëse ti nuk je ai që duhet të jesh. Kjo është struktura e ndërlidhur e realitetit”. Pra nëse duam të ndryshojmë diçka, duhet të kemi parasysh se ndryshimi fillon nga vetja.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Tipari që nuk më pëlqen te vetja është impulsiviteti.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizia dhe mosmirënjohja.
Në cilat gjëra e teproni?
Në të qenurit racionale më shumë seç duhet në shumicën e rasteve.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nuk para gënjej. Besoj se e vetmja gjë që do të më bënte të gënjeja do të ishin rrethanat në të cilat do të ndodhesha, por edhe nëse do të detyrohesha të gënjeja ajo do të ishte një gënjeshtër e bardhë. Kurrë nuk do të mërzisja dikë, duke ditur një të vërtetë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Udhëtimi në mal. Mali është sa real aq edhe mister bashkë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Realisht, Zoti është i madh.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që i kam kushtuar shumë kohë nga koha ime disa personave që nuk e kanë merituar.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja ime, prindërit e mi, vëllai, motra, nipi dhe mbesa.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Pështjellim me veten, me jetën me gjithë botën.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Gjetja e kohës për të ia kushtuar vetes…
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të qenurit njeri.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Të isha një zanë, për tu sjell gëzim dhe lumturi fëmijëve, që të shëroj të sëmurët, që të bashkoj të dashuruarit.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Dashurinë, mirënjohjen dhe librat.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerimi më i madh është jeta pa dashuri.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Këtu ku jam.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Personalitetin dhe ndershmërinë, zgjuarsinë dhe mirëkuptimin. Faktikisht ndershmëria është primare në kërkesat e mia si femër. Të gjithë njerëzit bëjnë gabime, por vetëm disa kanë ndershmërinë t’i pohojnë gabimet e tyre dhe vetëm një pakicë ka kurajën që t’i falë ato.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Kur një femër është vajzë e përsosur, bashkëshorte e denjë, nënë e mirë, motër e dashur dhe mike e shtrenjtë, për mua i ka të gjitha vlerat njerëzore.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Martin Camaj.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Të gjithë ata që janë aty kur shpirti im është i trazuar, ata nuk janë thjesht heronjtë e mi, por engjëjt e mi mbrojtës.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Në rastin tim ka një përjashtim. Talenti dhe profesioni janë e njëjta gjë. Talenti vjen më përpara dhe duhet kultivuar nëpërmjet studimit. Në mungesë të talentit, studimi rigoroz garanton rezultate të dukshme, por mesatare, ama edhe vetëm me talent nuk shkohet shumë larg, pasi edhe talenti i ka limitet e tij. Lypet shkrirja e talentit me punën. Vetëm në këtë mënyrë bëhen gjëra të mira dhe nganjëherë të jashtëzakonshme…
Si do të dëshironit të vdisnit?
Do të doja shumë të vdisja në gjumë.
Cila është motoja juaj?
Jeto çdo ditë sikur të jetë dita e fundit./Gazeta Observer