Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Xhevdet Bajraj*
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer ekziston veç te budallenjtë, në reklama televizioni dhe në përralla. Ndërsa, kur përralla përfundon, fillon jeta e vërtetë. Sidoqoftë, nëse flasim për një gjendje të posaçme shpirtërore, për njëlloj Nirvane ta zëmë, më bie ndërmend poeti dhe shkrimtari i madh grek, Nikos Kazantzakis, e ajo lumturi më tremb, sepse në te nuk ka vend për prindër, për bashkëshorte për fëmijë e as për zot.
Cila është frika juaj më e madhe?
Që mos t´i lëndoj njerëzit që i dua.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nënën.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me antiheroin.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ndjeshmëria e tepërt.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mungesën e parimeve, matrapazllëkun letrar, politik…
Në cilat gjëra e teproni?
Në pirje duhani dhe në modesti.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Paqja.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi drejt Kosovës, drejt Meksikës, drejt kafenesë, drejt fjalës së shkruar.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Fjalën poezi, politikë, krim.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Sa herë e kam lënduar me fjalë apo me ndonjë gjest ndonjë njeri të dashur për mua.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Njerëzit e mi të dashur, të gjallë e të vdekur dhe poezia.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Edhe pse bëj jetë relativisht të qetë, brenda meje kurrë nuk pushon stuhia.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do ta ndryshoja mënyrën e të shprehurit të respektit dhe të dashurisë ndaj njerëzve që i dua. E kam përshtypjen se do t’u mbetem borxh përgjithmonë.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Bërja e prindërve të mi qoftë vetëm edhe për një çast të krenohen me mua, t´i shkolloj dy fëmijët e mi në shkollat më të mira të Meksikës dhe mbase gjurmët që po tentoj t´i lë në gjuhën që e kam adoptuar.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Mikut që ma vranë në luftë do t´i thosha hipi autobusit dhe largohu nga Kosova.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Lis në ndonjë vend ku nuk shkel dot këmba e njeriut.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Kujtimet e mira.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Dhunimin e lirisë.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Rahovec dhe në Meksiko Siti.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Ruajtja e miqësisë. Idealizmi.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Burrërinë.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Femëroren.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Nikos Kazantzakis, Albert Kamy, Walt Whitman etj.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Motra ime Drita, asaj ia vranë bashkëshortin gjatë luftës, u kthye nga Zvicra me dy fëmijë të vegjël, u kujdes për ta, kreu studimet për Gjuhë dhe letërsi dhe tash punon në shkollën e fshatit. Motra ime Besa të cilën pas luftës, gjatë privatizimit, e larguan nga puna ku punoj rreth njëzet vjet dhe tashti i punon dy punë për ta kthyer kredinë e shtëpisë, vëllai im Fadili që me kokëfortësi vazhdon që më shumë se 30 vjet me përkthye letërsi, kunata ime që për dashuri e braktisi SHBA-në dhe tash me diploma fakulteti dhe e papunë i rritë tre djemtë e tyre dhe natyrisht Vjollca, bashkëshortja ime, e cila çdo ditë ballafaqohet me punët e saja si mjeke, me organizimin e jetës sime dhe të djalit që ende jeton me ne.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talentin muzikor, të isha rock këngëtar apo rock kitarist. Mendoj se do të vdisja i lumtur në skenë.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Si lis, në këmbë, duke i pritur të vdesin politikanët. Po nejse, nuk jam lis, sidoqoftë, dua të vdes në këmbë, në Kosovë, dhe vdekja nga bregu tjetër i lumit të jetës, të më thirrë me zërin e nënës sime, sikur pakëz pa ra terri, e unë të vrapoj kah ajo.
Cila është motoja juaj?
Asgjë njerëzore (shtazore) s´më është e huaj.
ObserverKult