Qerim Ujkani: Kohë e shkuar më prit sonte

Kohë e shkuar më prit sonte

Për asgjë tjetër të mos kujdesesh
Vetëm për pak qetësi në tryezë

Të mos lehin qentë
Të mos zbrazet ndonjë top
Që heshti në luftën e tij të mbramë
Dhe u zu rob

Të tjerët që gjëmojnë
Në kohën time
Dhe secili më vret ngapak
Nuk dua t’i dëgjoj

Shpëtimin prej fjalës
Dua ta shpall për shpëtim të të gjithëve
Të mos më dhemb
Si lulja që e mbolla në atë zemër

Mund të vinë vetëm ata
Që mbetën me sy të hapur
Edhe pas vdekjes
Për këtë tokë

Në këtë kohë ka të drejtë vetëm bari
Të rritet të fëshfërijë

Kohë e shkuar: Mirëmbrëma!

*Titulli i origjinalit: “Kohë e shkuar”