Qerim Vrioni: Piro Mosi- fotografi simbol i Sarandës  

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë fotografit, Piro Mosi.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Me fotografin veteran Piro Mosi (Shkodër,1926), jam njohur nëpërmjet internetit, kur merresha me shkrimin e librit ”150 vjet Fotografi Shqiptare”. Ai rrjedh nga një familje e përmendur shkodrane me tradita të shquara atdhetarie. Piroja është djali i vëllait të atdhetarit të njohur Hilë Mosi dhe ka kryer dy vjet shkollë në Liceun Françeskan të Shkodrës me drejtor Atë Gjergj Fishtën.

Nga Qerim Vrioni

Herët filloi të fotografojë në Sarandë, ku ishte transferuar familja nga fillimi i L2B, çka vazhdoi për rreth katër dhjetëvjeçarë, duke u kthyer edhe në fotografin kryesor të qytetit jugor. Me rëndësi historike janë fotot ku paraqiten veprimtari të ndryshme shoqërore dhe kulturore të Sarandës. Një pjesë të fotove Piroja ja dhuroi Fototekës Marubi në Shkodër.

Piroja shquhet për kujtesën e veçantë për ngjarje të ndodhura shumë vite më parë. Me saktësi të madhe ai kujton ngjarje të historisë së vendit. Fotot i vlerëson si objekte me vlera për kulturën e vendit. Në pjesëmarrjen në muajin gusht 2019, në protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, ku i ardhur nga SHBA, ai tha fjalën e tij të ndierë për mosprishjen e ndërtesës së njohur, të cilën e mbylli duke thënë se “Ka vetëm një Perëndi në këtë shesh e ai është Teatri.”

Me Piron u lidha nëpërmjet emaileve me anën e të cilave ai më nisi edhe një CV të shkurtër, por edhe me premtinin e përbashkët për takim kur ai do të vinte nga Bostoni, ku banon. Dikur u takuam në një bar-kafe në Tiranë, diku buzë Lanës. Aty folëm gjatë për fotografinë e tij, përkushtimin e madh ndaj saj, punët e tij të shumta.

Gjatë bisedës ai përmendte, me shumë pezm, se si i kishin vjedhur gjatë vitit të mbrapshtë 1997 pjesën më të madhe të fotove të tij në letër dhe në celuloid. Në një nga ato çaste e fotografova; sytë i kishin marrë një shprehje të ngrysur…
Ishte shtator i vitit 2012.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: POETI DHE KINEASTI, PETRIT RUKA