Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me rastin e 111-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, organizoi aktivitetin “Nënë Tereza, Kujtesa, Kombi”, në nderim të figurës së një prej personazheve më të rëndësishëm të kombit shqiptar. Aktiviteti u shoqërua dhe me hapjen e një ekspozite me më shumë se 400 ekzemplarë të ndryshëm librash, kushtuar jetës dhe veprës së shenjtores nga autorë shqiptarë.
“Ditë të tilla kujtese, siç është 111-vjetori i lindjes së një prej figurave që ka lartësuar kombin shqiptar, janë ditë të bukura reflektimi jo vetëm shpirtëror, por ditë që na lidhin me nevojë për t’u mbështetur tek mesazhet që figura kaq vizionare vazhdojnë të japin nga pafundësia.
Kur vendosëm të kujtonim përmes kësaj ceremonie modeste dhe ekspozite me libra që autorë të ndryshëm i kanë kushtuar figurës së Nënë Terezës, pyetja që m’u orvat në mendje ishte: Në kemi arritur të kuptojmë deri në fund Nënë Terezën?
Të kuptosh do të thotë të bëhesh i ndërgjegjshëm mbi dashurinë për veprim. Stili i punës së saj ishte fjalë pak dhe shumë punë dhe veprim. Ndoshta ky stil i saj është më shumë se asnjëherë i domosdoshëm tek ne sot, pasi ashtu si ajo shprehej “Shqipëria bëhet duke punuar së bashku””, u shpreh drejtoresha e QKLL-së Alda Bardhyli.
Imzot Dom Gjergj Meta rrëfeu njohjen e tij jo të drejtpërdrejtë me Nënë Terezën, nëpërmjet punës së madhe që ajo përfaqëson për mbarë njerëzimin, punë, e cila përveç përkushtimit dhe vokacionit të saj, theksoi Dom Gjergj Meta, është kryer edhe për shkak të “kokëfortësisë” së saj, për t’i shkuar gjërave deri në fund, cilësi kjo e përbashkët e Nënë Terezës dhe e shqiptarëve.
Dashnor Dervishi, ish-ambasador i Shqipërisë në Itali, rrëfeu mbresat e takimit të tij të parë me Nënë Terezën në Ambasadën Shqiptare në Romë, në vitin 1989, duke rrëfyer çudinë e tij se si ky personalitet i lartë, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, mbërrin në Ambasadë me një makinë Fiat shumë të vogël, me një derë, duke mbajtur brenda 5 vetë, se si veshja e saj dhe qëndrimi ishin shumë të thjeshta, e po ashtu natyra e saj refuzuese ndaj ofrimit të diçkaje për të konsumuar.
“Kisha përgatitur, ashtu si gjithnjë kur kemi pritje në Ambasadë, diçka të thjeshtë për t’i shërbyer. Sikundër natyrës dhe statusit të saj të veçantë, kishim lënë në tavolinë për qerasje disa çokollata dhe luleshtrydhe. Ajo refuzoi të provonte sikur edhe një luleshtrydhe, duke shpjeguar se përkushtimi i saj nuk ia lejonte të konsumonte gjatë ditës, përveç orëve të paracaktuara për ushqim, dhe se ky ishte një mëkat. Duke pasur parasysh natyrën e shqiptarëve që s’mund të pranojë ta lërë mikun pa i afruar diçka, unë, le të themi, e shtyva në një mëkat të vogël. I thash se nëse ajo nuk hante sikur edhe një luleshtrydhe, atëherë nuk do ia jepja vizën. Nënë Tereza si duket u tremb se mos kjo ndodhte dhe e mori luleshtrydhen për ta ngrënë. Ky ishte një mëkat i vogël ndaj dëshirës së madhe të saj për të vizituar Shqipërinë”, tregoi Dervishi.
Sipas tij, personaliteti i Nënë Terezës përshfaq vlerat më të mira të kombit shqiptar. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Dorian Koçi, tha se Nënë Tereza është një figurë bashkuese dhe se këndi me veprat e saj në Muze është ndër më të vizituarit.
Mehmet Gëzhilli botues i pjesës më të madhe të veprave të Nënë Terezës, tha se duhet bërë më shumë për botimin e veprave kushtuar jetës dhe veprës së saj në mënyrë që të rinjtë të njihen më shume më figurën e saj.
Ekspozita e hapur në ambientet e Qëndrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është e hapur për publikun deri më 5 shtator, që shënon dhe ditën e shenjtërimit të saj.
5 shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës. Nënë Tereza ose Shenjta Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.
Shën Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
Ajo është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.
”Një grua e thjeshtë që ia arrin t’ia dalë vetëm duke iu përgjigjur idealit të saj, e vetme mes sëmundjeve, varfërisë, erërave, duke besuar se zgjedhja e saj ka vlerën e një revolucioni, vetëm duke hapur zemrën. Kur shfletoja këto libra mbi jetën e saj, të cilët reflektojnë dhe mendimin bashkëkohor shqip mbi një fenomen, ajo që më përshkronte ishte ndjeshmëria e saj poetike. Ndoshta se lutja vetë të con tek poezia. Uroj që ky takim të mos jetë vetëm një çast kujtese, por të lërë gjurmë në ndjeshmërinë tonë”, tha Bardhyli./shqiptarja.com
LEXO EDHE: Nënë Tereza: Dërgomë të dua ndokënd o zot!