Rabindranath Tagore: Poetët janë të përjetshëm…

Poezi nga Rabindranath Tagore


Kush je ti lexues i dashur që pas njëqind vjetësh do të lexosh vargjet e mia?
Nuk mundem të të dërgoj as edhe një lule nga kjo kurorë pranverore,
asnjë rreze dielli nga kjo re e largët.
Prandaj ti hap derën dhe shiko larg.
Shko në kopshtin tënd të lulëzuar dhe mblidh kujtimet e parfumuara të luleve,
tashmë të vyshkura, lulet e njëqind viteve më parë.
Dhe të uroj të ndjesh në zemër zërin e gëzimit
e gëzimit të gjallë që lulëzoi një mëngjes pranvere…
zërin e gëzimit që s’pushon së kënduari për njëqind vjet.

***

Është koha të shkojmë të mbledhim lulet…
Le të jenë tharë, do të ndjejmë aromën e tyre të dikurshme,
dhe do të dallojmë ngjyrën e do të prekim butësinë e petaleve, siç kanë qenë…
Sepse poetët janë të përjetshëm… Fjalët e tyre do të vazhdojnë të na kënaqin,
si aroma tek lulet e sapo prera, një mëngjes të freskët pranvere…

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

RABINDRANATH TAGORE: NUK MUND TA MBAJ MEND NËNËN TIME

Poezi nga Rabindranath Tagore

Nuk mund ta mbaj mend nënën,
por nganjëherë në mes të lojës
një melodi duket sikur rri pezull mbi lodrat e mia:
Një melodi e harruar që ajo e kishte aq për zemër,
teksa tundte djepin.

Nuk mund ta mbaj mend nënën time,
por nganjëherë në një ag vjeshte
aroma e jaseminit më mbush dhomën,
si aroma e shërbesës së mëngjesit në tempull
dhe vërshon mbi mua si parfumi i nënës.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult