Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka kujtuar gjatë ditës së sotme shenjtoren shqiptare, Shën Terezën dhe poetin e njohur, Migjenin.
Rama në një postim në Facebook, shkruan se të 2 erdhën në jetë më 26 gusht.
“Të dy e donin me pasion njeriun, ajo e donte atë siç ishte, ai e donte siç duhet të ishte”, shkruan ndër të tjera kryeministri.
Postimi i plotë në Facebook:
💐HOMAZH
SHËN TEREZA dhe MIGJENI lidhen bashkë me këtë datë, 26 gushtin, atë të vitit 1910 kur erdhi në jetë nëna e madhe e të varfërve të kësaj bote dhe atë të vitit 1938, kur ndërroi jetë poeti i madh i grushtit të kësaj toke.
Nënë Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni pak, si një bubullimë buçitëse.
Ajo ishte e bardhë, nuse kokëulur martuar me kaltërsinë e qiellit, ai ishte kryeneç, siluet i zi në këmbët e malit pa zë. Ajo ishte dora e shtrirë në kërkim të dritës së pafundme, ai ishte dora e mbledhur grusht në drejtim të errësirës së padurueshme. Ajo e gjeti qetësinë e pandërprerë, duke ndezur qiririn në vend se të mallkonte errësirën, ai nuk rreshti së mallkuari errësirën pa gjetur dot një dekikë qetësi.
Të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr, ajo i fërkonte kokën për t’i lehtësuar dhimbjen, ndërsa atij i ngriheshin flokët përpjetë prej dhimbjes së tij. Të dy e donin me pasion njeriun, ajo e donte atë siç ishte, ai e donte siç duhet të ishte. Të dy e donin botën më të mirë, ajo duke u gjunjëzuar devotshmërisht për ta bërë më të lehtë, ai duke u kryengritur gojarisht për ta kthyer përmbys.
Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia. Njëra besonte në një e në të vetmin Zot që e kërkonte lart në qiell, tjetri hahej me Zotat që i shihte nga lart poshtë. Për Shën Terezën, Fjala ishte Zoti dhe Zoti ishte Fjala, ndërsa Zoti i Migjenit ishte vetja dhe Zot i Fjalës ishte ai vetë.
Gonxhe Bojaxhiu u vesh murgeshë dhe u bë Shën Tereza e Kalkutës. Millosh Gjergj Nikolla e flaku veshjen e murgut dhe u bë Migjeni i shqiptarëve.
Ajo vdiq 87 duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, Ai 27 pa kuruar dot sëmundjen e vet.
Por të dy e kapërcyen vdekjen, Ajo me fuqinë e përkushtimit të saj ndaj Zotit, përmes dashurisë qiellore për njerëzit, Ai me fuqinë e përkushtimit kundër të vjetrës, përmes fjalës për Botën e Re. Ajo vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit, Ai vazhdon me të vetën si zëri i të resë nga thellësia e tokës.