Rama: Nuk ka asnjë të vërtetë se shkronjat e Mësonjëtores janë hequr

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Mësonjëtoren e parë shqipe, në Korçë, që “tanimë është rilindur edhe më e fortë, edhe më e bukur, edhe më tërheqëse pas goditjes së tërmetit, si një tjetër destinacion për të gjitha moshat e për turistët e “Parisit të Vogël””.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, që shoqëri kryeministrin gjatë kësaj vizite, tregoi mbi punimet e rinovimit të ndërtesës pas dëmeve nga tërmeti dhe rivendosjen e aseteve historike që mbart Mësonjëtorja.

Margariti e informoi kryeministrin se pas restaurimit të plotë të godinës dhe ambienteve të brendshme me të gjithë elementët përkatës historik dhe me sistem të dixhitalizuar, është përgatitur edhe platforma për vendosjen e shkronjave që janë simbol i kahershëm i këtij muzeu që gjenden në hyrje të muzeut.

“Mbi platformën e përgatitur do të vendosen shkronjat dhe pena ashtu siç kanë qenë që në krye të herës, ndërsa për momentin janë pozicionuar në hapësirën e gjelbër të pjesës së jashtme të muzeut, sa të përfundonte restaurimi i plotë i objektit”, tha ministrja.

Sipas saj, tashmë edhe hapësira e jashtme është plotësisht e ndriçuar dhe e rregulluar duke qenë një muze i vizitueshëm në çdo kohë dhe për grupmosha të ndyshme.

Margariti theksoi se asgjë nuk është lëvizuar dhe objektet janë vendosur ashtu sikurse kanë qenë.

Rama u shpreh se, “me vendosjen e shkronjave aty ku kanë qenë, punimet për restaurimin e Mësonjëtores së Pare Shqipe, përfundojnë plotësisht”.

Nuk ka asnjë të vërtetë se shkronjat e Mësonjëtores janë lëvizur dhe hequr.

“Si shpjegohet që kur janë duke rënë, kur janë me merimanga, me mbeturina, si nuk ngrihen njëherë, por sa rregullohen gjërat menjëherë ngrenë gishtat, ça janë këta, nga vijnë këta dhe trazojnë mendjet e gjithë njerëzve”- tha Rama.

Ministrja u shpreh se “të simbolizosh një godinë të tillë dhe një ndërhyrje që nuk kishte ndodhur që në 1997, vetëm me simbolin e disa shkronjave, është fatkeqësia politike që para çdo pune të mirë bën zhurmë”.

Margariti tha se, “rindërtimi ka përfshirë që restaurimin muzeor të gjithë këtij objekti. Është hera e parë që kemi në një muze hapësirë dedikuar bibliotekës, që frekuentohet nga komuniteti. Kemi mbi 750  tituj që i janë dhuruar kësaj biblioteke”.

I gjithë reataurimi i godinës është bërë me fonde nga buxheti i shtetit, çatia dhe oxhaku patën dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti.

Në njërën nga dhomat, tha ajo, është vendosur një bankë shkolle, simbolikë se si është mësuar në atë kohë. Ndërsa pjesa muzeale ka objekte historike origjinale. Gjithashtu informoi Margariti, është implementuar sistemi dixhital që nëpërmjet kodit mund të merret informacion për çdo element të këtij muzeu”.

Ndërkohë, janë vendosur ambiente ku nëpërmjet kufjeve mund të dëgjohen pjesë audio të materialeve letrare të asaj kohe.

Sipas saj, ky muze për herë të parë ndërthur të gjithë tregimin dixhital të historisë, ndërsa vend të rëndësishëm zënë edhe pikturat origjinale, disa prej të cilave i përkasin  vitete 1890 që janë  restaurur në kohë të ndryshme.

“Ky është një muze që fton të gjithë qytetarët ta vizitojnë dhe të mbajntë gjallë kujtimin historik të Mësonjëtores”, u shpreh ministrja Margariti./ATSH

LEXO EDHE: Shkolla e parë shqipe në Korçë: hiqen shkronjat, ‘shkatërrohen’ bankat origjinale