Arkeologët amerikanë, bashkëpunëtorë për shumë vite të Akademisë së Studimeve Albanologjike shprehen kundër vendimit të qeverisë shqiptare për ASA-n.
Përmes një letre të hapur arkeologët amerikanë thonë se shprehin kundërshtimin ndaj planit të qeverisë shqiptare për shpërbërjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), duke përfshirë Institutin e Arkeologjisë dhe për ta rikrijuar atë në kuadër të Akademisë së Shkencave.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar: Se arkeologët e Institutit të Arkeologjisë nuk janë konsultuar rigorozisht lidhur me këtë plan, i cili do të ndikojë fuqishëm tek ata dhe tek aftësia për të kryer punën e tyre. Se zhvendosja e ASA-s dhe Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave pa marrëveshje të ndërsjellë, do të shtojë një shtresë burokracie me shumë dhe mbikëqyrjeje, duke e mbytur lirinë akademike dhe kërkimin inovativ. Dhe se efektet e këtij plani në burimet, buxhetet dhe personelin e Institutit të Arkeologjisë nuk janë bërë të ditura plotësisht”.
Kështu bëhet me dije në letrën e bërë publike nga ASA në faqen e saj.
Për këto arsye thuhet në letër, ata e nxitin qeverinë shqiptare të rishqyrtojë planin në lidhje me të ardhmen e ASA-s dhe në vend të kësaj të angazhojë anëtarët e saj në diskutime të hapura për mënyrën më të mirë për t’i mbështetur ata. Kjo me qëllim që studimet albanologjike në Shqipëri, përfshirë arkeologjinë, të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
“Në vitet e fundit, arkeologjia shqiptare, e udhëhequr nga arkeologët e Institutit të Arkeologjisë, ka zënë më në fund vendin e saj të merituar në skenën ndërkombëtare.
Ne jemi të shqetësuar se zhvendosja e ASA-s në Akademinë e Shkencave do të prishë këtë sens të ri të vrullit”, thuhet në letër.
Ata vijojnë se e shkruajtën këtë letër sepse mbeten të emocionuar dhe të përkushtuar ndaj arkeologjisë shqiptare.
“Kolegët tanë në Institutin Shqiptar të Arkeologjisë kanë ndarë me ne trashëgiminë e jashtëzakonshme arkeologjike të Shqipërisë, duke na lejuar që të marrim pjesë në studimin e saj. Një nder dhe privilegj që nuk mund ta shpërblejmë kurrë plotësisht.
Shpresojmë që plani për transferimin e ASA-s në Akademinë e Shkencave do të rishqyrtohet dhe në vend të tij do të ndiqet një dialog i sinqertë për të ardhmen e arkeologjisë shqiptare, duke përfshirë arkeologët nga Instituti i Arkeologjisë”, thuhet në letër.
Bashkëpunimi me arkeologët shqiptarë
Arkeologët amerikanë vijojnë në letrën e tyre se në vitin 2021 u nënshkrua me Shtetet e Bashkuara Marrëveshja e Pronës Kulturore për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike shqiptare.
“Ky memorandum do të sjellë jo pak interes dhe investim për arkeologjinë shqiptare nga ana e arkeologëve amerikanë.
Si kundërpërgjigje, qeveria shqiptare duhet të zgjerojë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet amerikanëve dhe arkeologëve shqiptarë, në kuadër të një instituti të pavarur kushtuar kërkimit të pastër arkeologjik, duke mos kufizuar mundësi të tilla”, shprehen ata.
Në letrën e tyre arkeologët amerikanë sjellin në vëmendje dhe bashkëpunimin për ekspozitën “Mbretërit e Parë të Evropës”, një ekspozitë ndërkombëtare që u hap kohët e fundit në Muzeun e Historisë Natyrore në Çikago, Illinois.
“Çdo komb i Ballkanit merr pjesë në këtë ekspozitë, përfshirë Shqipërinë, dhe pjesëmarrja e Shqipërisë nuk do të kishte ndodhur pa lidhjet e krijuara midis arkeologëve amerikanë dhe shqiptarë në Institutin e Arkeologjisë.
Sipas mendimit tonë, duke pasur parasysh suksesin e kësaj ekspozite, Instituti i Arkeologjisë, stafi duhet të ishte vlerësuar për punën dhe përkushtimin e tij të palodhur, jo t’i nënshtrohej një plani për shpërbërje dhe riorganizim, për të cilin ata vetë nuk kanë rënë kurrë dakord”, thuhet në letër.
Ndër nënshkruesit në letër përmendim Michael L. Galaty, Ann Arbor, David R. Hernandez, Susan E. Allen, etj./ Juliana Vrapi/ sot.com.al
ObserverKult
Lexo edhe:
ZBULOHET “QYTETI I PERLAVE”: ARKEOLOGËT GJEJNË QYTETIN E VJETËR NË GJIRIN PERSIK
Një ekip arkeologësh në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë gjetur qytetin më të vjetër të perlave në Gjirin Persik.
Qyteti prej 12 hektarësh funksionoi midis fundit të shekullit të 6-të. Po ashtu mesit të shekullit të 8-të. Para qytetërimit islam dëshmohet se praktika e perlave ka qenë pjesë e trashëgimisë së rajonit. Kjo për më shumë se 7000 vjet.
Një grup arkeologësh në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë gjetur qytetin më të vjetër të perlave në ishullin Sinniyah, në Gjirin Persik.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult