Shkruan: Fitim Nuhiu
Fillimisht, përgëzoj shkrimtarin dhe publicistin preshevar Skender Latifin, pra njeriun që na solli këtë vepër në dritë dhe shfrytëzoj rastin ta falenderoj që na ka pasuruar kulturën tonë letrare, kulturën tonë të njohjes, kulturën e përkthimeve, kulturën e të parit gjërat nga një pikëpamje ndryshe, sidomos nga pikëpamja e atyre që na kanë luftuar me çfarëdo mjeti që kanë pasur, të një periudhe paksa interesante për ne, duke na shpërfaqur dhe duke na paraqitur përfitimet dhe privilegjet tona kombëtare në pushtetin Osman, etj.
Duke pasur parasysh se letërsia si formë artistike, nuk kërkohej prej saj domosdoshmërisht t’iu referohet fakteve dhe të dhënave sikur që i kërkohet historisë, edhepse letërsia megjithatë si formë arti shpalos të vërtetat nga një kënd ndryshe, apo thënë shkurt siç Pablo Picasso thotë: “Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë dhe ta themi të vërtetën …”
Novela “Shamia e përgjakur” nga shkrimtari serb Manojlo Gjorgjeviq Prizrenac, për herë të parë u botua në vitin 1890 në Nish dhe siç autori i novelës ka deklaruar se kjo novelë bazohet në ngjarje të vërtetë.
Duke e vështruar nga këndi letrar, pavarësisht qasjes së tij nacionaliste dhe ideologjike, autori ka përdorur një stil të lartë artistik, një përshkrim të bukur të ngjarjes dhe personazhet i ka latuar bukur, me një fjalë mund të themi se ka bërë një prozë të bukur poetike.
Tema kryesore e kësaj novele është dashuria midis dy banorëve të fshatit Rahovicë (Preshevë) së fundshekullit të XIX-të, të shqiptares Fatimes dhe serbit Janja.
Se prej kujt autori këtë histori dashurie e ka dëgjuar apo a kishte qëndruar vetë autori në Rahovicë (fshat në Preshevë), mbeten të panjohura këto detaje, sepse përshkrimet që ai i bën Rahovicës së asaj kohe janë të sakta.
Për këto fenomene që kanë ndodhur, veçanërisht këtë histori dashurie mes Fatimes dhe Janjës e kanë vërtetuar edhe banorët shqiptarë të Rahovicës.
Autori i novelës “Shamia e përgjakur” shqiptaren rahovicase e ka përlyer me frymë nacionaliste të veprës së Njegoshit, duke i vendosur personazhet kryesore në pozitë të ndryshme klasore dhe fetare. Pra, dashurinë e zjarrtë të shqiptares dhe të serbit, autori i novelës përpiqet që ta zbehë duke e veshur atë me elemente fetare.
Ndërkaq pak vite më herët (1876-78) në fshatin Miratoc (Preshevë), kishte lindur një dashuri e zjarrtë midis një shqiptari me emrin Bajram dhe një serbeje me emrin Zllata nga Sopoti, një vajzë e një familjeje të fuqishme serbe – ajo e Stojkoviqëve.
Në kohën e lindjeve të këtyre dashurive, qyteti i Vrajës sapo kishte kaluar në anën serbe dhe vetëm zëri i mbytur i imamëve të vetmuar në xhamitë e Vrajës kishin mbetur kujtim i fundit i prezencës osmano-shqiptare atje.
Përfundojmë se autori i novelës Manojlo Gjorgjeviq Prizrenac, e ka bastarduar, e ka keqpërdorur, e ka instrumentalizuar dashurinë e Fatimes me Janjën, duke ua veshur asaj petkun e nacionalizmit primitiv serb, mirëpo sidoqoftë, përkthyesi ka bërë një punë madhështore që kulturës shqiptare i ka sjellur këtë vepër, që të njihemi edhe me qasjet dhe këndvështrimet e popujve të tjerë për ne, në periudha të ndryshme kohore, sidomos pjesa ku shpaloset dhe na shpërfaqet një periudhë relativisht e lavdishme e kombit tonë kundrejt serbëve që nuk kanë pasur dhe nuk kanë gëzuar privilegje të tilla.
Në fund mirënjohja dhe falënderimi i shkon shtëpisë botuese “Drejtoria për inkluzion” që mbështeti një botim të tillë do të thoja të pazakontë, që pati guximin, si edhe përgëzoj përkthyesin që qysh në parathënie qartëson faktet dhe kujtesën historike shqiptare, ekuilibron dozën nacionaliste të autorit të novelës si edhe disi e qetëson ndërgjegjen e lexuesit që ta lexojë me një vetëdijë të lartë paraprakisht të mirë-informuar, dhe këtë fjalim timin e mbyll me thënien që “kur e njeh të vërtetën, të vie të qeshësh me gënjeshtrat e bukura”.
ObserverKult