Recension për romanin “Parfumi” nga Patrick Süskind

Romani “Parfumi: Historia e një vrasësi” është botuar në vitin 1985 nga shkrimtari gjerman Patrick Süskind. Romani trajton jetën e një njeriu të pazakontë që nga lindja e tij e deri në momentet kur ai e gjen vdekjen. Njësoj si Zhan Batist Grenuiji që është njeri i pazakontë, edhe lindja dhe vdekja e tij janë po kaq të pazakonta.

Nga Ardit Mehmetaj

Zhan Baptist Grenuiji, personazh kryesor i romanit, lind në treg pasi nënën e kishte shitëse ambulante aty. Në vendin ku ai lind, kundërmojnë erërat më të qelbura të qytetit. I lindur nga një lidhje jashtëmartesore dhe i lënë aty në copëzat e mishit të prishur dhe peshqve të ngordhur, ai çuditërisht arrin të mbijetojë. Nënën e tij e dënojnë me vrasje për shkak të braktisjes që i kishte bërë Zhan Baptist Grenuijit. Kështu, Zhan Baptist Grenuiji në mungesë të familjes, për të përkujdeset kisha. Ai herë kalon tek një kujdestar e herë të një tjetër. Mungesa e aromës së trupit është e veçanta e tij për dallim nga fëmijët e tjerë. Ai ndërron pronarët e tij, herë shkon te një grua, pastaj te një lëkurëbërës, e në fund i realizohet ëndrra e tij që të punojë te një mjeshtër i parfumëve.

Gjenialiteti i tij qëndron vetëm tek njëra nga shqisat e tij, e cila ishte tejmase e zhvilluar në krahasim me njerëzit e tjerë. Kjo ishte shqisa e të nuhaturit. Ai i njihte njerëzit edhe pa i parë, i njihte vetëm nga aroma e trupit të tyre. Njihte llojet e drunjëve e çdo gjë tjetër. Për nga dija dhe inteligjenca ai ishte nën mesatare në raport më tjerët, por në shqisën e të nuhaturit ishte superior. Pas një kohe kur ai punon për mjeshtrin Xhuzepe Baldini dhe i krijon atij parfumët më të mirë në qytetin e Parisit dhe parfumët më të mirë të shekullit XVIII, madje e mposhtë edhe parfumatorin që ishte i pari në Paris, Pelisierin. Grenuiji nuk mjafohet më kaq, ai ka qëllime të tjera më të mëdha. Ai ka qëllim të krijojë parfumin më të mirë në historinë e njerëzimit dhe për këtë i duhet të vrasë dhjetra vajza të reja të virgjëra dhe aromën e trupit të tyre ta distilojë dhe ta ruaj për ta krijuar atë parfum. Ai bëhet koleksionist i erërave të vajzave të virgjëra.

Vrasjet që ai kryen nga ana e tij janë legjitime dhe në këtë kontekst Zhan Baptist Grenuiji është makiavelist pasi ai vajzat që i vret i sheh vetëm si mjet për ta realizuar qëllimin e tij: krijimin e parfumit më të mirë në botë. Nëse e vëmë në krahasim me Raskolnikovin e Dostojevskit, ku edhe pse të dy kryejnë vrasje, përsëri dallojnë mes vete. Raskolnikovi është i shtyrë të bëjë vrasje nga një teori e tij, kurse Grenuiji është i shtyrë nga qëllimi që i vendosë vetes. Raskolnikovi pendohet, kurse Grenuiji s’e din as çka është pendimi. Raskolnikovi nxjerr një njeri të pafajshëm nga burgu, për t’u futur vet, ndërsa Grenuiji e shpëton veten, për t’u dënuar një i pafajshëm pas tij.

Grenuiji është përcjellës i fatit të keq tek secili pronar që ai e ka pasi me ikjen e tij, ata vdesin. Ata edhe pse mendojnë që po e shfrytëzojnë Grenuijin, është Grenuiji që i shfrytëzon ata, pasi nga ta mëson përdorimin e lëkurës, distilimin e trupit dhe ruajtjen e aromave. Pra, talentin e ka të lindur, kurse punën praktike dhe përvojën e fiton nga pronarët që ai i ndërron.

Mënyra e jetës së tij ishte tejet e lirë. Ai edhe pse është skllav, në vetvete është i lirë. Imagjinata e tij është shkaktare e lirisë, kurse lojërat që ai i bën me zbulimin e erërave i krijojnë kënaqësi. Pra, lumturia e tij nuk varet nga tjerët dhe nga rrethanat e jashtme, lumturia e tij varet vetëm nga vetja e tij. Grenuiji është njëri pa fe, pa Zot dhe rrjedhimisht pa ndërgjegje. Ai nuk ndjen pendesë për asnjë veprim që bën. Ai ngjason me Diogjenin, e cili njihet për mënyrën e jetesës në stilin e qenit, atij nuk i intereson se ku flen, nuk i intereson se çka ha, ai është i lumtur në çdo gjendje që është pasi lumturinë e tij e krijon vetë.

Largimi i Grenuijit dhe qëndrimi i tij i vetmuar në shpellë ndërlidhet me “Alegorinë e shpellës” së Platonit, ku në të dy rastet kërkohet njohja e vetvetes. Në rastin e Grenuijit i cili qëndron shtatë vjet në shpellë pa u pastruar, kërkohet nga ai njohja e aromës së tij pasi ai i ndien aromat e të gjithë njerëzve përveç aromës së tij dhe si i tillë vetja i duket i paidentitet. Në pamundësi ta gjej aromën e trupit të tij pasi s’kishte, ai manipulon dhe krijon një aromë artificiale.

Ndërsa, pronari i tij Xhuzepe Baldini është njëri tipik manipulant pasi arritjet e tij asnjëherë nuk ishin meritë e tij. Atij iu atriboheshin meritat e të tjerëve, pasi ai ose i vjedhte idetë e parfumëve ose i krijonte dikush tjetër në vend të tij. Ai ose ishte plagjiator ose shfrytëzues i të tjerëve, assesi krijues.

Grenuijit i bëhet gjyqi me të gjitha faktet ekzistuese që dëshmonin fajësinë e tij por ai lëshon aromë të parfumit të tij të bërë me aromën e trupave të vajzave të virgjëra. Ajo aromë i hipnotizon të gjithë të pranishmit në shesh, madje edhe priftin, xhelatin dhe familjarët e të vdekurave. Pasi ndiejnë aromën, ata binden që Grenuiji s’është fajtor. “Ai është i pafajshëm” – thonë të gjithë njëzëri. Aty dehen nga ajo aromë të gjithë, iu duket se janë futur në parajsë dhe çdo gjë është e mirë për ta, ata falin, gjejnë prehje, qetësi e lumturi. Zhveshen e shfrenohen krejtësisht. Situata që krijohet aty ngjason me festat e Dionisit, pra për nga shthurja dhe orgjitë seksuale.

Autoritetet parisiene shpikin një vrasës vetëm për ta mbyllur rastin. Ata dëshmitë e Grenuijit i vendosin në oborrin e Domenik Dryos që është i pafajshëm dhe në bazë të tyre e dënojnë. Këtu shfaqet autoriteti shtetëror që jo rrallëherë bën padrejtësi, madje ky fenomen është i pranishëm edhe tre shekuj pas kësaj ngjarjeje, ku në shoqërinë tonë për t’u mbyllur një rast dhe për të mos u akuzuar shteti për neglizhencë në drejtësi shpesh akuzohet një i pafajshëm me dëshmitë e të fajshmit dhe dënohet.

Në fund të romanit, në pjesën e katërt, kemi vdekjen e Grenuijit, i cili lyhet me parfumin e krijuar nga vajzat e virgjëra dhe rreth tridhjetë njerëz që janë afër tij nuk mund të rezistojnë atë aromë, afrohen tek ai, e puthin e në fund secili merr nga një pjesë të tij. Pra, nga dashuria e madhe për të shfaqet kanibalizmi tek të tjerët. Grenuiji vdes i qetë pasi edhe ai ka një aromë, pra edhe ai është si të tjerët. Kurse, njerëzit e tjerë aty që shndërrohen në kanibalë jetojnë të lumtur dhe s’e vrajnë fare ndërgjegjen pasi për herë të parë në jetë kryen diçka nga dashuria. Kjo është fuqia e aromës./ ObserverKult