Romani “Procesi” u botua në vitin 1926 në Berlin të Gjermanisë, dy vjet pasi kishte vdekur autori i tij, Franz Kafka. Romani edhe pse i mbetur në gjysmë nga shkrimtari, ai prapë është roman i plotë ngase në letërsi nuk ka vepër të lënë në gjysmë e këtë më së miri në letërsinë tonë shqipe na e shpërfaq Faik Konica, veprat e të cilit janë të plota edhe pse ai në të gjallë të tij nuk i përfundoi.
Nga Ardit Mehmetaj
“Procesi” është njëra nga ato veprat që Kafka ia la mikut të tij, Max Brodit testament t’i djegë, por ai e kreu “tradhtinë” më të mirë ndonjëherë në letërsi dhe veprat e Kafkës nuk i dogji, përkundrazi, i botoi.
“Procesi” trajton procesin gjyqësor të pazakonshëm që i bëhet Jozef K-së. Akuzën nuk e di Jozef K., akuzën nuk e di as gjykata, akuzën nuk e di askush. Vepra fillon me Jozef K-në që është personazhi kryesor. Ai e priste mëngjesin në banesën e tij, por në vend të mëngjesit atij i erdhën tre persona, të cilët i thonë se je i arrestuar duke qenë i lirë. Ai e vazhdoi jetën në liri, shkonte në punën e tij në bankë, shkonte në seanca e kthehej. E përcillnin njerëzit, e njihnin të gjithë. Krijonte lidhje të reja me njerëz nga gjykata, me të akuzuar, pastaj me piktorin e në fund edhe me priftin. Kur dëgjon axha i tij edhe ai mundohet t’i krijojë lidhje të reja për ta shpëtuar, ai shkon tek një mik i tij avokat, por pa rezultate. Në fund dy persona që ishin ata të njëjtit që ishin në fillim, e vranë me thikë Jozef K-në. Fjalët e tij të fundit ishin “si një qen”, pra po vdes si një qen.
Kështu, Kafka përmes veprës së tij “Procesi” e kundërshton secilin sistem totalitar të kohës së tij që vriste njerëz të pafajshëm. Njerëzit nuk vriteshin për atë çfarë kishin bërë, por për atë çfarë ishin. Njerëzit nuk dënoheshin pse kanë gabuar, por pse janë ata që janë. Gjyqi këtu për të akuzuarit nuk i ka dy opsionet: i fajshëm ose pafajshëm. Këtu është vetëm opsioni i parë. Pra, të jesh duke u gjykuar, ti e di që je i fajshëm dhe rrjedhimisht i dënuar. Lufta e “të fajshmit” është vetëm që të mos dënohet me vdekje. Njësoj si në kohën e enverizmit në Shqipëri, ku po të ishe në ndonjë proces gjyqësor, ti patjetër ishe i fajshëm. Në sisteme të tilla nuk vlen thënia e famshme që thuhet sot në drejtësi: “Derisa të vërtetohet e kundërta i akuzuari është i pafajshëm”. Në sistemet autoritare akuza ishte automatikisht faj, e, faji ishte automatikisht dënim. Raste të tilla si i Jozef K-së kishin ndodhur shpesh në Shqipërinë komuniste, madje në vitin 1983 në një rast gjyqësor hetimet, gjyqi, dënimi e ekzekutimi ndaj një zyrtari të lartë të shtetit kishin zgjatur vetëm nëntë ditë. Pra, kaq rreth drejtësisë së sistemeve autoritare.
Romanin “Procesi” e përcjellë gjatë gjithë kohës fryma e absurdit. Nëse tek drama e Samuel Beckett-it “Duke pritur Godonë” trajtohet absurditeti jetësor, pritja, shpresa gjatë pritjes si dhe përplotësimi i kësaj pritjeje me gjëra koti, këtu është ndryshe, këtu jo jeta, por ata që jetojnë janë sistemuar detyrimisht në hierarkinë e sjelljes absurde. Tek “Procesi” absurditeti është i kundërt nëse e vëmë në krahasim edhe me romanin “I huaji” nga Alber Kamy. Në romanin “I huaji” e kemi sjelljen absurde të individit në shoqëri, ndërsa në romanin “Procesi” e kemi sjelljen absurde të sistemit dhe rrjedhimisht të shoqërisë ndaj individit. Tek romani “I huaji” Merso është ndryshe nga tjerët dhe shihet si njeri jonormal, kurse tek romani “Procesi” Jozef K. është normal, por është sistemi e shoqëria që ndryshon, e, në sytë e jonormales normalja është anormale.
Personazhi i Jozef K-së është personazh normal, ai bën një jetë të zakonshme deri në momentin kur përballet me procesin gjyqësor. Kur ai i kupton sjelljet e çuditshme të gjyqit dhe njerëzve ndaj tij, ai bën disa lëvizje dhe përpjekje të cilat e shpërfaqin atë si fajtor, por më vonë ai nuk lufton më. Ai dorëzohet edhe nuk revoltohet as në momentin kur e kupton që ka hyrë në rrugën e vdekjes. Jozef K. edhe pse i pafajshëm me heshtjen e tij e pranon fajësinë pasi ai e kupton që në të tilla raste nuk fiton drejtësia, por fuqia. Kurse, fuqia s’ishte në anën e tij. Ai e kuptoi se në të tilla sisteme njeriu që akuzohet vdes pa e ditur akuzën e tij. Ai e kuptoi se në të tilla sisteme njeriu që është në një proces, vritet pa e përfunduar procesin. Kështu, Jozef K. e pranon vdekjen e tij, megjithëse nuk pajtohet me të.
Të tjerët rreth K-së, të gjithë janë të njoftuar për fuqinë e pushtetit dhe fuqinë e gjyqësorit, përveç K-së që sillet thuajse kishte jetuar në një vend tjetër. Të gjithë janë të bindur dhe të nënshtruar ndaj pushtetit dhe gjyqësorit, të gjithë frikësohen nga gjykatësi edhe pse nuk e njohin atë. Madje edhe priftërinjtë janë të nënshtruar. Faji i K-së mund të jetë vetëm që nuk e dinte fuqinë e pushtetit më herët dhe ndoshta pavetëdijshëm në sytë e pushtetit monist është bërë pengesë.
“Si një qen” janë fjalët e fundit të K-së. Kjo fjali na jep të kuptojmë që ai s’kishte frikë ndaj vdekjes, por ndaj mënyrës së si do të vdiste. Ai nuk e ka hall që po vdes, ai e ka hall si po vdes. Pra, dinjiteti për Jozef K-në është mbi të gjitha. Ai e pranon vdekjen, por jo vdekjen e turpshme.
Strukturalisht romani ndahet në dhjetë krerë. Romani e godet rëndë sistemin autoritar dhe gjyqësorin. Sistemi autoritar është sistem që bën çfarë të dojë sipas Kafkës, çdo gjë tjetër për të është vetëm formalitet. Gjyqësori është organ herë – herë abstrakt të cilin sistemi autoritar e përdorë vetëm si mjet për t’i legalizuar vrasjet që i kryen. Vrasjet do të kryhen si me gjyq si pa gjyq, veçse gjyqi i legalizon vrasjet ne sytë e masës dhe në vështrimin historik pas një kohe./ ObserverKult