Romani “Udhëtimet e Guliverit” u botua në vitin 1726 nga shkrimtari irlandez Jonathan Swift. Ai e realizon romanin e tij satirik nëpërmjet katër udhëtimeve që bëhen në katër vende të pazakonshme për zakonin tonë të të jetuarit. Romani është satirë e fortë drejtuar jo vetëm shtetit, por edhe shoqërisë.
Nga Ardit Mehmetaj
Udhëtimi i parë – Në udhëtimin e parë, Guliveri është i vetmi që shpëton pasi anija përmbytet. Ai noton dhe mbërrin bregun. Aty takon xhuxhët, të quajtur Liliputë, të cilët janë në luftë me Blefuskët, andaj ata e përdorin Guliverin si “armën” e tyre më të madhe, pasi për ta Guliveri është qenie gjigante dhe për natyrën e tyre Guliveri ka fuqi mbinatyrore. Karakteristikë interesante është arsyeja e luftës. Liliputët dhe Blefuskët luftonin për shkak se nuk pajtoheshin për mënyrën e thyerjes së vezës. Për këtë çështje janë shkruar mijëra libra e mbi njëmbëdhjetë mijë njerëz kanë pranuar të vdesin, por jo ta thyejnë vezën nga maja e saj. Përmes kësaj Jonathan Swift ironizon kauzat e kota për të cilat vdesin njerëzit e për arsyet qesharake që janë shkak i nisjes së luftërave. Guliveri edhe pse luftëtari më i madh në luftë, ndaj tij ngrisin komplot disa nga Liliputët, kështu Swift e përfundon udhëtimin e parë duke na dhënë mesazhin se luftëtarët e mëdhenj gjithmonë dënohen për t’i liruar vend përfituesve të pasluftës që të fitojnë në emrin e luftëtarëve të vërtetë, për dënimin e të cilëve vetë këta u bën shkak.
Udhëtimi i dytë – Këtu është e kundërta e udhëtimit të parë pasi Guliveri shkon në vendin ku njerëzit janë gjigantë krahasuar me Guliverin. Në udhëtimin e parë Guliveri nuk frikësohej pasi ishte më gjiganti, kurse këtu frikësohet pasi është xhuxhi. Guliverin edhe këtu e përdorin si mjet për cirk që të tjerët të qeshin me të. Guliveri i tregon mbretit gjithçka rreth Evropës, me shumë gjëra ai nuk pajtohet sidomos me shpikjen e armëve pasi mbretëria nuk ka nevojë të shpikë armë as për t’u mbrojtur nga populli i tij, as për t’i sulmuar ata.
Udhëtimi i tretë – Ky udhëtim bëhet në një ishull lëvizës mbi tokë. Njerëzit aty janë të dhënë pas matematikës dhe muzikës. Në këtë ishull Guliveri takon Homerin, Aristotelin, Dekartin e të tjerë. I pari ankohet, kurse i dyti pendohet. Homeri ankohet se shumë studiues e interpretues i shtrembërojnë veprat e tij, kurse Aristoteli pendohet për disa teori e filozofi të tij të cilat koha i demantoi me argumente, ndërsa në kohën e tij këto teori filozofike ishin vetëm hamendësime të tij.
Udhëtimi i katërt – ky udhëtim realizohet në një vend utopik, ku kuajt flasin e janë vetëm racio, kurse krijesa e quajtur Jahu që është në formën e njeriut është vetëm ego, pra krijesë epshore. Në fjalorin e kuajve nuk ka fjalë si gënjeshtër, mashtrim, rrahje ose vrasje. Fjalori i tyre është i pasur vetëm me fjalë të mira. Qeveria dhe parlamenti i tyre nuk janë urdhëruese, por vetëm këshilluese. Jahutë janë qenie që në thelbin e tyre e kanë lakminë, andaj kuajve Guliveri në pamje i ngjason me jahutë veçse Guliveri siç thonë ata ka më pak leshëra. Kur Guliverin e largojnë dhe e kthejnë tek gruaja e fëmijtë e tij, ai bindet që njerëzit nuk dallojnë asgjë nga jahutë.
Duke u nisur nga këto katër pjesë, romani sa është filozofik, aq është fantastik e utopik. Te pjesa e parë dhe e dytë është filozofik pasi shpërfaq idenë filozofike se s’ka gjëra të mëdha e as të vogla, s’ka gjëra të trasha e as të holla, por gjithçka është vetëm shkak i krahasimit. I njëjti njeri, me të njëjtat përmasa herë është mbret gjigant e herë qenie mikroskopike, pra varësisht me çka krahasohet. Shumë lehtë bota mund të jetë top pingpongu nëse dalin qenie gjigante dhe e kapin atë në dorë. Pjesa e tretë është fantastike pasi kemi një udhëtim në një ishull që ngjason pak a shumë me botën e përtejme pasi në të gjinden të vdekurit si Homeri e Aristoteli. Pjesa e katërt është utopike pasi kuajt janë ideali që Jonathan Swift dëshiron për njerëzit. Nga vendi ku nderi është vlerë kthehet në vendin ku nderi është kthyer në antivlerë siç ndodh edhe në shoqërinë tonë ku të lexosh, të shkruash e të jetosh ndershëm është e padobishme dhe rrjedhimisht kjo krijon dekurajim për t’u përpjekur që t’i posedojmë këto vlera.
Personazhi i Guliverit përshkruhet detajisht, por nuk idealizohet. Ai është si njerëzit e rëndomtë pasi herë ka frikë, herë krenari, herë modesti e herë – herë edhe dinakëri. Autori nuk e thellon psikologjikisht heroin e tij, pasi atë e ka vetëm provë për idetë e tij, kështu Guliveri është personazh që qëndron në shërbimin e mendimeve të autorit. Përmes tij Jonathan Swift e krijon romanin që si rrallë herë është roman edhe për fëmijë edhe për të rritur pasi nga fëmijët lexohet si roman zbavitës, kurse nga të rriturit si alegori ironizuese. Këtu, dy figurat, satira e alegoria bëhen një. Romanin gjithashtu e karakterizojnë liria e inspirimit filozofik dhe imagjinata syzheike. Këtu bashkohen fantastikja me simbolikën, natyralizmi me komiken. Stili në të cilin shkruhet është shumëdimensional pasi nuk kemi një stil të të shkruarit, por një bashkim stilesh.
Pra, Jonathan Swift është thumbues, kurse romani i tij thumb. Ai përmes thumbit të tij thumbon qeveritë mbretërore, veçanërisht atë në Angli. Ai thumbon edhe letërsinë, shkrimtarët e studiuesit letrar. Thumbon gjyqësorin e akademitë, por mbi të gjitha thumbon Njeriun – komplekset e të qenit Njeri, veset e këqija të njeriut. Pra, romani është thirrje e hapur ndaj Njeriut që të largohet nga ego e ta përqafojë arsyen./ ObserverKult