Recension: Romani “Kështjella e bardhë” nga Orhan Pamuk

Nga Ardit Mehmetaj

Orhan Pamuk është shkrimtari më i shquar turk i kohës sonë, por edhe njëri ndër shkrimtarët më të mëdhënj të këtij shekulli në mbarë botën. Pamuk ishte fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006. Edhe pse është shkrimtari turk më i admiruar në botë, nga shteti dhe populli turk ai akuzohet për shkrime antikombëtare, por megjithë këtë fakt thuajse e tërë krijimtaria letrare e Orhan Pamukut ndërtohet mbi lidhjet e tij me Turqinë, me historinë e saj, me qytetet e saj dhe me jetën e tij të kaluar aty. Ai përmes Turqisë shpërfaq dallimet dhe i vë në krahasim kulturat e ndryshme. Kështu, në krijimtarinë letrare të tij përballë kulturës vendase qëndron thuajse gjithmonë një kulturë tjetër, qoftë lindore, perëndimore ose ballkanike.

E në romanin “Kështjella e bardhë” njëra nga përqendrimet e autorit e cila del në pah qysh në fillim të romanit është edhe raporti Perëndim – Lindje në shekullin e XVII, në të cilin zhvillohet ngjarja. Romani fillon me disa italianë që kalojnë nga Venecia për në Napoli dhe aty rrëmbehen nga turqit. Robërit mysliman që ishin nën pronësinë e italianëve lirohen, kurse ata italianë shndërrohen në robër të myslimanëve turq. Njërin nga italianët, i cili edhe e rrëfen ngjarjen, fillimisht e dërgojnë në burg por ai aktivizon instiktin e mbijetesës dhe përshtatet në çdo situatë. Duke u bërë ai që s’është ai arrin të mbijetojë. Ai gënjen për aftësitë e veta, i shton ato vetëm për të mbijetuar. Në burg shtiret si njeri që merr vesh nga mjekësia. Kështu, derisa ai takohet me të ashtuquajturin Profesor, i cili bëhet pronar i tij. Aventurat e tyre janë prej me të ndryshmeve. Ata fillimisht ndërtojnë fishekzjarre për dasmën e djalit të pashës, pastaj ata merren me kafshët duke u shtirur që kanë njohuri rreth tyre dhe duke e përdorur këtë “aftësi” krijojnë raporte të mira me Sulltanin. Ata bëhen interpretues ëndrrash, ndërtues armësh e mjekë që e luftojnë murtajën e cila bie në qytet. Dy personazhet përveç që janë tejet të ngjashëm në pamje, ata shkëmbejnë përvojat e tyre me njëri – tjetrin dhe i shkëmbejnë dijet e tyre. Këtu ndodh siç thotë edhe Orhan Pamuk, se ne jetojmë në një botë ku njerëzit më shumë ndikohen nga fjalët e njerëzve që i admirojnë se sa nga shkronjat që i lexojnë në libra. Rast i tillë është edhe këtu pasi italiani fillon e tregon për dijet e fituara gjatë jetës, tregon si duken qytetet në Itali, i flet Profesorit për karakteristikat e atyre qyteteve e të atyre njerëzve dhe kështu edhe praktikisht ata bëhen njëjtë edhe në aspektin e njohurive që kanë. Edhe pse njëri i kishte përjetuar realisht ato ngjarje e tjetri i përjetonte vetëm përmes imagjinatës. Por, tek e fundit ku është dallimi mes imagjinatës e realitetit kur ato i nënshtrohen vetëm kujtimit pas një kohe? Ata përveçse ngjasojnë në pamje, tani edhe dijet i kanë të njëjta dhe me kohën edhe shprehitë i shkrijnë tek njëri – tjetri dhe i bëjnë të njëjta. Mënyrën si flasin, si qëndrojnë e si ecin i bëjnë aq të ngjashme sa as të tjerët s’mund t’i dallojnë më këta të dy nga njëri – tjetri. Romani përcjellë edhe idenë se çdo gjë që shihet rastësi s’është diçka tjetër veçse një gjë e pashmangshme siç është i pashmangshem edhe takimi i Profesorit me sozinë e tij nga Italia. Ata përveçse përfaqësojnë vendin e tyre, pra njëri Lindjen e tjetri Perëndimin, ata janë të çuditshëm edhe për mënyrën si funksionojnë. Ata janë personazhe donkishoteske pasi janë ëndërrimtarë dhe provojnë aventura të ndryshme. Funksionojnë njësoj si Don Kishoti me Sanço Pançon. Profesori asocon në Don Kishotin pasi është aventurist dhe ëndërrimtar i madh, kurse robi italian është i dëgjueshëm ndaj tij njësoj si Sanço Panço ndaj Don Kishotit. Rast të tillë në letërsinë tonë shqipe kemi në romanin e Dritëro Agollit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku raporti i Zylos me Demkën është si i Profesorit me robin italian. Njësoj si Zylo që ngritet duke i përdorur dijet e Demkës, ashtu edhe Profesori ngritet në karrierë duke i përdorur dijet e skllavit të tij.

“Përse unë jam unë?”, kjo është njëra nga pyetjet që përseritet herë pas here në roman nga Profesori. Ai kthehet në retrospektivë në zhvillimin e tij si personalitet që nga dalja e tij në këtë botë. Ai mundohet të gjejë arsyen se pse ai është ai e jo dikush tjetër. Pikërisht këtu qëndron edhe ideja tjetër e romanit, se pse ne jemi pikërisht këta që jemi dhe a mund të bëhemi ne dikush tjetër. E përgjigje për këtë pyetje janë dy personazhet, ku në fund nuk e dinë se cili është vetja e cili është tjetri. Nuk e dinë se çka kanë marrë nga tjetri e çka kanë ruajtur nga vetja tek vetja.

Sa i përket narratorit, romani deri në kapitullin e fundit ka për narrator italianin të zënë rob, kurse krejt në fund aty del si narrator Profesori. Madje edhe vetë Pamuku thotë se as unë nuk e di se nga cili prej këtyre dyve u përgatit libri. Ata të dy e kishin idenë e këtij libri, por nuk dihet se cili nga ta tashmë po e rrëfen ngjarjën pasi ata më nuk mund të dallohen njëri nga tjetri. Libri gjithashtu fillon me një parathënie se si ky libër u gjet si dorëshkrim dhe nuk dihet nëse është trill apo i vërtetë.

Romani përveç që trajton raportin Perëndim – Lindje, përveç raportit zotëri – skllav, përveç pyetjeve filozofike që shtron e mënyrës se si përshkruan, ai në anën tjetër e godet shoqërinë e kohës në Perandorinë Osmane. E tregon nivelin e shkencës së atëhershme dhe çka konceptohej si shkencë atëbotë. Ata merreshin me çështje se a kanë kafshët shpirt a jo, a kanë midhjet gjini dhe a janë femra ose meshkuj, a lindte çdo mëngjes një diell i ri apo vetëm përseritej ai që perëndonte. Këto ishin dilemat dhe preokupimet e tyre. Ky ishte niveli i shkencës së asaj kohe që Pamuku e paraqet në roman.

Romani ka shumë personazhe dhe elemente historike, por ato nuk e determinojnë atë deri në atë shkallë që të mund ta quajmë roman historik pasi dy personazhet kryesore janë fiksionale dhe si e tillë edhe ngjarja që zhvillohet nga ta e për ta është fiksionale. Orhan Pamuk thotë se prirjen e tij për të shkruar rreth temave historike kritikët letrarë e interpretojnë si dëshirë për t’iu shmangur çështjeve të rëndësishme të kohës.

Romani mbyllet me pjesën “Mbi Kështjellen e Bardhë”, ku Orhan Pamuk tregon triket për të krijuar një roman të tillë e që për shkrimtarët e mëdhenj janë të njohura. Ai thotë se në arkivat turke ka marrë libra të shkencës, mjekësisë e të tjera të shkruara gjatë kohës së shekullit XVII dhe atyre ua ka përshtatur personazhet e tij dhe ngjarjen që romani të jetë pasqyrues sa më i përafërt i reales. Shumë shkrimtarë mundohen të shkruajnë një fund të gjetur, por ka edhe të tillë shkrimtarë që ndërrojnë mendje në kapitullin e fundit si rasti i Orhan Pamukut. Pra, romani “Kështjella e bardhë” e asketit të letërsisë është vepër shumëdimensionale, me raste edhe e errët për lexuesin, por padyshim njëra nga veprat përfaqësuese në letërsinë turke të shekullit XX.

LEXO EDHE: Recension: Komedia “Lisistrata” nga Aristofani