Ndarja nga jeta e Guljelm Radojës la pas shumë persona të tronditur, familjarët, miq dhe kolegë. Një prej, tyre ishte dhe regjisori Kastriot Çipi i cili tha për ‘Faxweb’ se e ka marrë me vonesë lajmin e miku i tij ishte i sëmurë. Ai tha se Radoja nuk mundte as të fliste dhe as të merrte frymë, ndaj ishte vendosur maska e oksigjenit.
Çipi tha se e kishte takuar Radonë teksa ndodhej i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, ku po mbahej me oksigjen, ndërkohë që tha se prej kohësh nuk merrte role, pasi kundërshtonte ministrat që ishin në qeveri të ndryshme.
“Është një dozë helmi që e kam marrë pak nga pak çdo ditë, unë e mora me vonesë lajmin që ishte sëmurë, shkova ta takoj në spitalin e Durrësit, nuk ishte në gjendje që të fliste, dhe nuk mund të merrte frymë pa maskën e oksigjenit. Ishte një lajm që e prisja prej dy javësh, që në momentin kur maska e oksigjenit nuk i ndahej, kam pasur një miqësi shumë të gjatë me të, prej vitit 1993, nuk kemi pasur kurrë pakënaqësi me njëri tjetrin, ishte një burrë me shpirtin e një fëmije.
Për mua ka qenë një nga njerëzit më të rrallë, në komunitetin e artistëve, për të mos thënë më i ndershmi. Unë kisha dhe kam bindjen absolute që shqiptarët do të dhuronin për të, pasi ai nuk ishte vetëm një mik i imi, por i të gjithëve. Po është e vërtetë, Gujlemi thoshte atë që mendonte për çdo ministër, dhe ne e dimë që nëse nuk të do drejtori është e vështirë që të luash. E ka paguar me kosto personale dhe të karrierës qëndrimet e tij qytetare, në momentet më kritike të çështjes së teatrit ka ardhur në Tiranë dhe ka mbajtur fjalime të mrekullueshme. Unë kështu e kam njohur që në vitin ’93, më mirë rrinte në një qoshe, ka humbur dhe shtëpinë që ka jetuar prej 60 vitesh”, u shpreh Çipi gjatë bisedës në Fax News.
Aktori i njohur Guljelm Radoja ka ndërruar jetë sot në spitalin “Shefqet Ndoqi”, dy ditë pasi ishte futur në intubim. Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur djali i tij, Redi Radoja. Aktori spikati me filmin “Kush vdes në këmbë”, ku luajti rolin e Petro Nini Luarasit, një nga më shumë se 30 role që la si trashëgimni për Shqipërinë.