Regjisorja që ruan shpirtin e qytetit të përmbytur 12 mijë vjet të vjetër

Hasankeyf, një vend me së paku 12 mijë vjet histori e kulturë i shtrirë në rajonin kurd të Turqisë, buzë lumit Tigris, është përmbytur nga uji kohë më parë. Kjo është bërë me vendim të autoriteteve në mënyrë që të ndërtohet diga “Ilisu”, si pjesë e programit për të realizuar një nga projektet me të mëdha për hidroenergji, shkruan sot Koha Ditore.

Jetesa dhe shpirti i këtij vendi para se diçka e tillë të ndodhte janë kapur në dokumentarin “Aether” me regji të Rûken Tekeş. Në qytetin juglindor turk kanë jetuar edhe paraardhësit e regjisores Rûken Tekeş. Për këtë arsye ajo e ka ndier që nuk e ka kryer obligimin që ka ndaj vendit. Thotë se pikërisht kjo qe bërë sebep për realizimin e dokumentarit.

Produksioni i vitit të kaluar pati premierën në prill, në festivalin zviceran për filma dokumentarë “Visions du Réel”. Në Kosovë filmi u shfaq në edicionin e 18-të të “DokuFestit”, që u mbajt nga 2 deri më 10 gusht në Prizren. “Aether” ishte në garë në kategorinë “Balkan Dox”.

Hasankeyf – siç njihet qyteti që prej viteve 20 të shekullit XIX, Cephe i kohës romake e shumë emra të tjerë varësisht prej sunduesve – bashkë me luginën përreth lumit, që nga viti 1970 janë pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Banorët, paraardhësit e të cilëve kanë jetuar me gjenerata në atë tokë, janë larguar e vendosur në “Hasankeyfin e ri”.

Edhe disa monumente janë zhvendosur nga kjo pjesë e qytetit, përfshirë këtu xhaminë e vjetër të qytetit, varrin e Zenel Beut të shekullit XV, e hamamin e shekullit XIII. Sensacionale qe mënyra e zhvendosjes së tyre. Dëshmoi fuqinë e zhvillimit të makinerive e teknikave./koha