Rekomandime leximi nga Afrim Demiri

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari, Afrim DemiriJa cilat janë librat që Demiri u sugjeron të pasionuarve pas leximit.


Tri nxitjet e mia për leximin e veprave

Nga Afrim Demiri

T’i kërkohet një shkrimtari të flet për leximin apo të zgjedh ai librat që t’i nxitë të tjerët për t’i lexuar ato, mbase më parë do të duhej të shtrohej pyetja themelore; a është shkrimtari lexues i rëndomtë si çdo lexues tjetër.

Apo kur një shkrimtar e humbë spontanitetin e të qenurit lexues i lirë? Struktura e tij e krijimit a mund të shfaqet si një pengesë e përjetimit të vërtetë të librit?! A mos kjo strukturë e tij krijuese është si një lloj mekanizmi qoftë në formë të një zdrukthi apo një skeneri që synon, dëshiron ta gdhendë apo ta skenon veprën e tjetrit sipas përmasave të veta. Si sot më kujtohet kur shyrtimet e mia për një libër që e lexonin vajzat e mia, binin ndesh me përjetimet e tyre. Një ditë njëra prej tyre më tha troç “Babi, t’i po i lexon veprat me syrin si i kishe shkruar ti, e jo me syrin si janë shkruar ato nga autori”. Kjo “shuplakë” më këndelli që ta rishikoj marrëdhënien time me leximin dhe të mundohem të jem lexues kur lexoj, kurse krijues kur krijoj! Kjo ndarje ndoshta na dërgon tek Kritika e fshehur dikund në mes të kësaj marrëdhënie, në mes të krijuesit dhe lexuesit.

Por sidoqoftë mbase krijuesi e ndërton shtegun, kurse lexuesi është udhëtari nëpër atë shteg, kurse kritiku mundohet t’i njeh, t’i deshifron shenjat e padukshme të atij shtegu, në mos edhe t’i vendos ato.

Pa dashur që të përngjaj në ndonjë kritik, as në ndonjë krijues egoist po mëtoj që nga këndvështrimi i një lexuesi të veçoj tri nga librat që kanë thyer murin tim emocional dhe si duket kanë prishur edhe strukturën time krijuese dhe t’ua ofroj lexuesve të ObserveKultit që t’i lexojnë, nëse në ndërkohë nuk i kanë lexuar ende.

“Ujku i stepeve” dhe “Ulku dhe Uilli”

Shpesh gjatë leximilt më krijohen paralele në mes të veprave. Asaj që e lexoj dhe asaj që e kam lexuar kaherë. Kjo më ka ndodhur kur lexoja “Ulku dhe Uilli” të Vath Koreshit. Filloi të më ndjek i njëjti Ujk si atëherë kur kisha lexuar Ujkun e Hesses!

Kur e lexoja “Ujkun e stepeve”, ujku i stepeve, filloi të më flas nga brenda meje, apo më mirë të them fillova ta zbulojë atë në shpirtin tim. Aty mësova se Hesse personazhit të vet në çdo rast dhe në çdo situatë ia ofron, ia gjenë nga një udhërrëfyes shpirtëror për të mos e lënë të humbur në kohë dhe hapësirë. Aty mësova se si letërsia është përtej rrëfimit siç është përtej koncepteve qofshin ato ideologjike, morale apo religjioze.

Hesse më shpirtëzoi në raport me letërsinë, por edhe më bëri më përgjegjës për fjalën artistike ashtu siç më bëri më përgjegjës për vetveten dhe për njeriun. Duke qenë himnizues i lirisë njerëzore ai krijoi hymnin për letërsinë dhe për natyrën. Një gërshetim i tillë himnizues i dhuroi botës udhërrëfyesin më të mirë shpirtëror. Ai u bë udhërrëfyes për lexuesin e tij.

Po, ku piktakohen Hesse dhe Koreshi? Nuk e di a është ndonjë ndikim i drejtpërdrejtë, nuk e di as, a e ka pyetur ndokush ndonjëherë Koreshin për këtë paralele, që po e tërheqi unë, por e ndjej sot e asaj ditë të njejtën rezonancë tematike por edhe të përjetimit. Si te njëri ashtu edhe tek tjetri simboli i dualitetit Ujku / Ulku, më ka mahnitur. Pastaj në të dy veprat, ujku përfaqëson anën instinktive, antisociale, të egër të njeriut. Është figurë kufitare mes njeriut dhe natyrës. Vija ndarëse i bashkon që të dy veprat, ndarje psikologjike–ekzistenciale tek Hesse, përputhet me ndarjen etike–shoqërore tek Koreshi. Asnjëri prej autorëve nuk ofron zgjidhje të gatshme, por lexuesi i mbetet të reflektojë vetë. Për më shumë hapësira poetike në të dy veprat thurret brenda lexuesit si një mitër nga e cila do të lindë një pasion, një emancipim, një edukim estetik.

Koreshi e kthen magjikshëm rrëfimin pas atij steriliteti socrealist, e kthen fuqinë e shqipes që është strukur në fjalë të rralla dhe në frazeoligjizma të pashterrshme.

Në vend të fjalës rekomandim po më duket më e përshtatshmem t’i them ju nxis ta lexoni.

Nxitja 1- Nxitoni sa më shpejt, lexojeni pra kur të arrini “Ulku dhe Uilli” të Vath Koreshit

“Zërat nga Çernobili”, apo leximi i kontaminuar

Leximi i nobelistëve asnjëherë s’është i lehtë. Gjendesh në mes të një prerje konike të mosnjohjes, kur të duhet përmes një libri, të reflektosh për një botë të tërë krijuese, të një autori. Por leximi i “Zërave nga Çernobili” të nobelistës, Svetllana Aleksieviç, më ka çmontuar të tërin. Nuk më ka lënë vend për asnjë paragjykim, duke më futur një sferë tjetër kohore, më ka detyruar një qasje përtej parametrave real stereotip qofshin ata ideologjik, artistik apo politik. Ajo ma ka sjellë të ardhmen e vizatuar në një kornizë kontaminuese. Përtej kësaj, emri Svetllana që në shqipe do të thotë Dritë, më ka trishtuar me rrëfimin e saj të trishtë jo vetëm për fatin e përjetuar të homo sovjeticus-ëve, por për fatin e njerëzimit, i cili mbahet i ndrydhur nën një buton, qoftë ai i kuq apo i kaltër. Ajo si një dritë transcendentale e hoqi perden e zezë të njëmendësie njerëzore. Me shpërthimin në Çernobil, shpërtheu edhe socializmi, apo si  thotë  një personazh i saj “Çernobili është një katastrofë e mendësisë ruse,…nuk është një reaktor që ka shpërthyer, por i tërë sistemi ynë i vlerave“.

Duke lexuar Svetllanën, monologjet e viktimave të Çernobillit, më duket se  ë flasin pikërisht mua. Peisazhin e fshatrave ruse e kisha mësuar sadopak nga tregimet e Çehovit apo nga ndonjë pamje filmi rus me elemente surealiste, deri në një groteskë të mbytyr në gota të vodkës. Mirëpo tash, gjatë leximit fshatrat e prekura nga rrezatimi radiokativ, qofshin ato bjelloruse, ukrainase apo ruse më duken si figura reshë radioaktive që fluturojnë nëpër qiellin e ndërgjegjjeve tona duke na e sfiduar atë pak tharmë të njerëzores, që na ka mbetur. Për më shumë është hera e parë që po e lexoja një vepër letrare pa menduar për strukturën e saj, autorin apo çfarëdo tjetër që lidhet me figurat letrare. Thjeshtë lexoja një mbilibër në aspektin gjinor apo siç kemi dëshirë të shprehemi të zhanrit. Svetllana kishte shkrirë në një letërsinë, gazetarinë dhe sociologjinë e të rrëfyerit të historisë gojore. Unë thjeshtë më shumë dëgjoja! Aty monologjet e vitimave tingëllonin si dialogje të përmortshme për një pjesë të vdekur të njerëzores. Aty pasqyrohej një  realitet i papërshkruar tash nga askush, nga asnjë shkollë arti dhe letërsie as nga realizimi magjik latino-amerikan, as nga realizmi amerikan kontinental apo as nga absurdi abstraktiv i Xhojsit apo nga idiotizmi dostojevskian.

Edhe sot kur bombat bien mbi Ukrainë “Zërat nga Çernobili“ nuk dëgjohen. Sinqerisht nuk e di ku është Svetllana?! Ndoshta po e shkruan „Zërat nga Ukraina“

Nxitja 2: Mos harroni kërkoni “Zërat e Çernobillit“ të Svetllana Aleksieviç   

Kur një letërsi të vjen nga një libër

Shpesh nuk mendojmë për letërsitë e vendeve të caktuara, sikur ato heshtin bashkë me margjinalizimin e vendit të tyre në proceset globale, apo thjeshtë për shkak të mosinformimit tonë izolohemi në rrethin tonë letrar dhe kaq.
Shtëpia botuese “Onufri”, botuesi dhe në këtë rast edhe përkthyesi Bujar Hudhri, na i ka afrue gjeografinë dhe letërsinë koreane duke na ofrue librin e nobelistës koreane Kang, “Vegjetariania“.
Që në fillim të leximit pata përshtypjen se po lexoja letërsi të asaj që nuk thuhet ose letërsi të mendimeve të ndaluara. Aty ku ndodhte depersonalizimi i protagonistit kryesor për t’i personalizuar personazhet periferik që më vonë ktheheshin në protagonist. Përshkrime të ndjeshme përtej vizualitetit me depërtime emotive diçka që kemi përjetuar mbase tek Lolita e Nabokovit. Dikur mbizotëronin romanet me emra grash si Çoçarja e Moravisë, Lolita e Nabokovit dhe ja tash Vegjetariania e Kang apo thjeshtë vetëm Johnje. Mirëpo mos e harroni Veronikën e Coehlos e cila vendos të vdes, e cila e plotëson harkun e personazheve të tjetërsuara apo të irituara nga rrethi. Këto reflektime më janë paraqitur në pjesën e parë.
Me Vegjetarianien na krijohet një trekëndësh ku relacionet sociale sjellin botën e panjohur të femrës, cenimin e pozitës së saj, integritetit të saj deri në keqpërdorim.
Rrëfimi i autorës dyzon realitete, ngjizë trupa, krijohen binom, trinom,..njeriu- bimë apo njeriu- kafshë. Vegjetarianizimi është vetëm çelësi për t’i dekoduar të gjitha marrëdhëniet brenda shoqërisë koreane në veçanti dhe ato njerëzore në përgjithësi. Ndryshimi i një sjelljeje sjell një cunam ndjenjash, një tërmet familjar. Mjafton të mos konsumohet mishi dhe të rrënohet kodi moral, struktura tradicionale e sjelljes. Dhe përkundër kësaj mbretëron vetmia depresioni, heshtja. Lëkura e Jonhjes shndërrohet një panel vizatimesh!
Pas dialogut me nëntekste të fuqishme, sillet gjykimi: ajo është plotësisht normale, nëse dikush është jonormal ai jam unë. Kështu fillon e tjerret një absurd i hollë.
Pikërisht si Coehlo si Nabakovi, si Moravia edhe Kang përqëndrohen në botën femërore për të nxjerr patologjitë e botës mashkullore. Por të mos harrojmë edhe Kadare në romanin “E penguara” vrojtimin letrar e përqendron tek skuta e privimit nga jeta. Pasojat e privimit janë të rënda, po aq sa pasojat e këmbënguljes të kërkimit të lirisë, një ndjenjë kaq e provuar nga ne të gjithë… Edhe Linda , Linda B i bashkangjitet sishoqeve të saj po me atë fuqi të rrëfimit përtej asaj që shihet. Mungesa e lirisë e ka të njëjtën dhembje pavarësisht nga forma e privimit, qoftë nga arkaizmi,  autoritarizmi apo diktatura.

Nxitja 3: Lexojeni “Vegjetariania” të autores koreane, Kang

ObserverKult


Lexo edhe:

Triptik nga Afrim Demiri: Poezia dhe uji