Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Agim Vinca.
Ja cilat janë tri librat që Agim Vinca u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
VEPRA PËR LEXIM DHE RILEXIM
Nga Agim Vinca
Ismail Kadare: Kronikë në gur (1971)
Libri i parë që kam zgjedhur[1] është romani Kronikë në gur i Kadaresë. Përse? Për dy arsye kryesore. Një, pse është një vepër me vlerë tejkohore, ndoshta romani më i mirë i Kadaresë dhe, e dyta, ngaqë këtë vit bëhen 50 vjet nga botimi i kësaj vepre (1971-2021).
Me këtë vepër më lidh edhe një kujtim personal, që dua ta evokoj me këtë rast.
Në vitin shkollor 1971/72 punoja si mësues letërsie në vendlindje, në Gjimnazin e Strugës. Informacionin për botimet e reja në Shqipëri e merrja kryesisht nëpërmjet Radio Tiranës dhe shtypit shqip të Prishtinës dhe Shkupit (“Rilindjes” dhe “Flakës”). Vëllai im i madh, që nuk rron më, punonte shofer në ndërmarrjen transportuese të qytetit (ATSH). Asokohe kishte një zbutje në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave (kishin filluar shkëmbimet tregtare etj.) dhe ndërmarrja ku punonte im vëlla ua kishte mundësuar, sigurisht me leje nga lart, që të shkonin në Përrenjas për të marrë bitum (zift, serë), i cili përdorej për shtrimin e rrugëve me asfalt. Përrenjasi është vendbanimi i parë kur shkon nga Struga për në Elbasan, posa zbret nga Qafëthana, një qytezë me pasuri minerale, që kishte edhe shkollë të mesme. Hartova një listë me tituj librash, kryesisht botime të reja dhe i thashë vëllait që t’i kërkonte në librarinë e Përrenjasit. Nuk më kujtohet lista e plotë, por e di se kur u kthye im vëlla në Strugë më solli dy libra: romanin Kronikë në gur të Kadaresë dhe pjesën e dytë të romanit Juga e bardhë të Jakov Xoxës, që kishte dalë po atë vit (të parën nuk e kishte gjetur). Ishte shtator i vitit 1971, pra plot gjysmë shekulli më parë.
Unë kam edhe botime të tjera të këtij libri; e kam edhe botimin frëngjisht (Chronique de la ville de pierre), por ndaj kësaj kopjeje, që e ruaj tash 50 vjet, kam emocion të veçantë. Ballina është e thjeshtë: emri i autorit, Ismail Kadare; titulli i veprës: Kronikë në gur dhe lloji që i takon: Roman. Në brendi jepet botuesi dhe vendi i botimit: Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, kurse në fund: tirazhi: 16.000 kopje dhe çmimi: 3.50 lekë. (Nuk e di ç’vleftë kanë pasur atëherë tre lekë e gjysmë, por libri në Shqipërinë e asaj kohe ishte i lirë dhe lexohej shumë. Juga e bardhë II ka dalë në 14.000 kopje dhe kushton 6.50 lekë, ngaqë ka dyfish më shumë faqe).
Jam me siguri ndër lexuesit e parë të këtij romani, posaçërisht këndej kufirit (në Prishtinë “Kronika” u botua për herë të parë në vitin 1980, në kuadër të kompletit prej dhjetë librash), të cilin e kam lexuar disa herë dhe vazhdoj ta lexoj e rilexoj edhe sot.
Dhe tani dy fjalë për veprën.
Kur flasim për vepra si Kronikë në gur na kujtohet mendimi i kritikut francez Zhan-Pjer Rishar (Jean-Pierre Richard), i cili thoshte se “arti është rizbulim i fëmijërisë”. Kadareja në romanin Kronikë në gur “rizbuloi” fëmijërinë e vet në qytetin e lindjes, në kushtet e luftës, të cilën e sheh me sytë e fëmijës. Në art kjo quhet perspektivë infantile dhe e gjejmë te shumë vepra të letërsisë botërore (shembull klasik David Koperfildi i Dikensit), madje edhe në kinematografi (filmi Amarcord i Felinit) etj.
Fillimisht Kadareja shkroi novelën Qyteti i jugut (1967), të cilën pastaj e zgjeroi dhe e bëri roman, duke i vënë titullin Kronikë në gur. Personazh kryesor i veprës është një “unë”, pa emër,[2] i cili, tok me shokun e tij, Ilirin, janë syri që vëzhgon ç’ndodh në qytetin e përfshirë nga zjarri i luftës. Imagjinata e fëmijës bën që të zhduket kufiri mes reales e irreales, mes ëndrrës e zhgjëndrrës dhe këtu qëndron bukuria e veprës. Edhe qyteti trajtohet si qenie e gjallë. Në tekstin në formë prologu, me të cilin hapet libri, qyteti krahasohet me një qenie prehistorike, që ka dalë nga thellësitë e kohës dhe i është kacavjerrë faqes së malit. Vjetërsia, pjerrtësia dhe të qenit i gurtë janë tiparet kryesore të këtij qyteti të çuditshëm, ku “ishte vështirë të ishe fëmijë”. Kjo fjali është çelësi që hap dyert e veprës.
“Kronika” është roman i episodeve, të cilat i lidh një “vetëdije qendrore” (term i Henry James-it): ajo e rrëfimtarit fëmijë. Secili kapitull trajton një episod: vizita e fëmijëve në thertoren e qytetit dhe loja e tyre me pulla poste (që simbolizojnë Luftën e Dytë Botërore dhe rindarjen e botës pas saj); përhapja e magjive në qytet (që shënjon “psikozën kolektive”); hapja e shtëpisë publike dhe ndërtimi i aeroportit; lufta italo-greke dhe ndërrimi i ushtrive në “qytetin e gurtë”; ardhja e gjermanëve dhe çlirimi i qytetit nga partizanët (represioni nazist, në njërën anë dhe dhuna revolucionare, në tjetrën) etj. Mes tekstit të kapitujve (gjithsej XVIII) ndërfuten intermexot e shumta dhe fragmentet nga kronika, të cilat e bëjnë jo vetëm më komplekse, por edhe më moderne strukturën e kësaj vepre.
Te “Kronika”, më shumë se te “Gjenerali”, Kadareja thyen linearitetin e prozës tradicionale shqipe, duke sjellë risi në përmbajtje, në kompozicion, në gjuhë dhe në stil. Në formësimin e personazheve nuk ka asgjë nga tipikja e realizmit socialist. Personazhet e veprës janë atipike dhe shumica syresh groteske. Fëmijët dashurohen në aeroplanët bombardues; lexojnë Makbethin dhe ëndërrojnë ta vrasin spiunin Maksut; plakat gjirokastrite komentojnë ngjarjet në vend dhe në botë, duke pirë kafe dhe duke soditur kalimtarët me tejqyrë, pa e fshehur përbuzjen për fshatarët; babazoti rri shtrirë në shezlong, lexon libra të trashë arabisht me shkronja si milingona, ndërsa jevgjit i bëjnë muzikë me violinë; mësuesi Qani Kekezi ther macet në klasë; vajzës së Aqif Kashahut i del mjekra; konstruktori Dino Çiço merret me aeroplanin prej druri; kronisti Xivo Gavo regjistron ngjarjet në qytet; Javeri vret xhaxhain e tij ballist në sofër si hakmarrje për shokun e varur, Isain; qiraxhesha e bukur, …Rgrita…, është kleptomane; Gjergj Pula ndërron emrin tri herë dhe kur bëhet gati ta bëjë këtë edhe herën e katërt qëllohet për vdekje si tradhtar; Kako Pinon e vret patrulla gjermane ndërsa shkon të stolisë nusen e radhës… E kështu me radhë.
A ka ide subversive te “Kronika”? Arshi Pipa thoshte po, madje edhe në kohën kur një pohim i tillë mund ta rrezikonte shkrimtarin, por më karakteristike për praninë e ideve antitotalitare janë veprat: Përbindëshi, Pashallëqet e mëdha, Ura me tre harqe, Pallati i ëndrrave, Piramida, Qorrfermani, Koncerti etj., por edhe poezi të tipit Laokonti e të tjera. (Më parë se si prozator, Kadareja bëri emër si poet).
“Kronika” është roman që lexohet e rilexohet tash pesëdhjetë vjet. Vlerat e kësaj vepre i ka verifikuar “gjykatësja supreme”, koha, prandaj nuk e shoh të udhës të zgjatem më shumë. Vetëm po shtojmë se shumë vjet më vonë Kadareja shkroi vazhdimin e “Kronikës”, romanin Çështje të marrëzisë (2005), ngjarjet e të cilit zhvillohen po në qytetin e lindjes, në vitet e para të pasluftës, kur personazhi rrëfimtar ka hyrë në moshën e adoleshencës.
Grotesku vazhdon të jetë tipar qenësor i stilit kadarean.
Lea Ypi: Të lirë. Të rritesh në fund të historisë. “Dudaj”, Tiranë 2021.
Lea Ypi (1979) është një nga vajzat e suksesshme shqiptare, që kanë bërë emër në botë. Ajo jep mësim në një nga universitetet më prestigjioze në Britaninë e Madhe: London School of Economics and Political Science (LSE), ku ligjëron lëndën Teori politike.
Libri i saj Të lirë. Të rritesh në fund të historisë është shkruar në anglisht dhe është përkthyer në gjuhën shqipe nga vetë autorja. I takon zhanrit të letërsisë autobiografike, ku vetë autorja rrëfen jetën e saj dhe të familjes, duke dhënë një tablo të gjerë të shoqërisë shqiptare në vitet e fundit të diktaturës dhe në vitet e para të tranzicionit demokratik.
Libri ndahet në dy pjesë: në pjesën e parë flitet për kohën e monizmit, ndërsa në të dytën për vitet e para të tranzicionit. Pjesa e parë ka 10, kurse e dyta 12 kapituj, plus Epilogun.
Pinjolle e një familjeje aristokratike nga babai, stërmbesë e një ish-kryeministri (Ypi tjetër) dhe e një familjeje të pasur, pronare tokash, nga nëna, vajza i takon kategorisë së njerëzve me “biografi të keqe”. Prindërit nuk flasin para saj kundër regjimit; ia fshehin të vërtetën; aktrojnë. Ata flasin për burgjet, duke i quajtur universitete, në atë mënyrë që përmendin vetëm shkronjën e parë të emrit. P. sh. “Universiteti B.” (Burgu i Burrelit), “Universiteti S.” (Burgu i Spaçit) etj. Në një nga këto “universitete”, ka “studiuar” edhe gjyshi i saj plot 15 vjet. Çdo 5 maj, në ditën e dëshmorëve, vajza e ndien veten keq që nuk ka ndonjë familjar a të afërm pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare. Të rriturit refuzojnë të flasin për këtë temë, kurse vërejtjes së vajzës se përse ata nuk mbajnë në shtëpi fotografi të “xhaxhit Enver”, i përgjigjen me arsyetimin se kanë porositur kornizën që e meriton ajo fotografi, por se ende nuk ka ardhur.
Thuhet se mënyra më e mirë për t’u ndarë me të kaluarën është duke qeshur. Lea Ypi ka zgjedhur pikërisht këtë mënyrë për t’u ndarë nga fëmijëria e saj e kaluar në “atdheun socialist”, “të vetmin vend të lirë në botë”, ku njerëzit presin në rend për bukë e qumësht; ku fëmijët përgjërohen për një çamçakëz, kurse të rriturit i venë kanaçet e koka-kolës si stoli mbi televizor, e ndodh të grinden edhe me fqinjët për to. Të ndahesh duke qeshur (e qarë) edhe me vajzërinë e kaluar në tranzicion, ku njerëzit mbesin pa punë nga “reformat” e sistemit, kurse anijet e stërmbushura me refugjatë sorollaten ujërave të Adriatikut e ndodh edhe të mbyten në Otrant; ku shoqja e klasës përfundon prostitutë në Itali, kurse në provimin e maturës askush nuk ngel, por detyrat duhen kopjuar “me masë”: kush ka notë mesatare 6 dy; kush ka notë mesatare 8 tri dhe kush ka notë mesatare 10 që të katra! Nuk bën punë dija dhe përgatitja.
Libri i Lea Ypit është një libër serioz dhe zbavitës njëkohësisht. Të tillë e bën atë në radhë të parë humori, një humor që është, siç do thoshte Thekerej (William Thackeray) “sintezë e mendjemprehtësisë dhe e dashurisë për njerëzit”.
Stalini është i madh, qesh me sy dhe i do shumë fëmijët, sikurse edhe “xhaxhi Enver”, i cili një ditë mbyll sytë dhe i lë vetëm të rriturit dhe të vegjlit (Xhaxhi Enver na ka lënë vetëm), kurse mësuese Nora nuk e lan dorën që ka prekur dorën e tij, por edhe kur e lan i mbetet forca “grusht për armiqtë”.
Libri i Lea Ypit është një kronikë e jetës shqiptare të fundshekullit, ndër më të veçantat në letrat shqipe të kohës sonë.
Rëfimi zhvillohet në vetën e parë. Një vajzë e zgjuar, inteligjente, nxënëse ekselente, flet, rrëfen, kujton, por nuk gjykon, nuk moralizon. Ia lë lexuesit të nxjerrë përfundime për ato që rrëfen. Ky është prosedeu që ka ndjekur autorja e këtij libri. Dhe mendoj se ka zgjedhur rrugën e duhur. Ajo tregon përvojën e saj në diktaturë dhe në tranzicion, duke u nisur nga qyteti ku jeton. (Ngjarjet zhillohen në Durrës, në qytetin ku ka lindur autorja dhe ku jeton familja e saj). Dallon nga Maks Velo, Fatos Lubonja e Visar Zhiti, që kanë shkruar vepra të ngjashme; afrohet me Besa Myftiun, Elvira Donesin e Ornela Vorpsin, por është më e sistemuar se ato, sepse kemi të bëjmë me një letrare që është edhe studiuese. E majtë për nga botëkuptimi dhe bindjet politike, ajo është kritike si ndaj socializmit etatist shqiptar, ashtu edhe ndaj anarkisë që pasoi rënien e komunizmit në Shqipëri. Që të dyja e cenojnë lirinë njerëzore, secila në mënyrën e vet.
Një aspekt të veçantë të veprës paraqet raporti me të huajt në Shqipërinë e izoluar dhe të rrethuar me “armiq”. Një grup turistësh francezë që takon rastësisht protagonistja, e pyesin në e di ku bie Franca, por habiten kur ajo ua reciton vargjet: “Je suis tombé par terre,/ C’est la faute à Voltaire,/ Le nez dans le ruiseau,/ C’est la faute à Rouseau”.[3] “Gavroshi” – klithin turistët francezë dhe shtrojnë pyetjen: “Si ka mundësi që e njeh Les Misérables?”.
Frëngjishten e ka mësuar që në fëmijëri nga gjyshja e saj, e cila ka kryer Kolegjin francez në Selanik në kohën e Perandorisë Osmane. Fëmijët e lagjes e thërrasin “Shoqja Mamuazel”. Habit turistët francezë me recitimin e vargjeve të Hygoit, ndërkohë që refuzon marrjen e karameleve nga ana e tyre.
Paraqitja objektive, jo bardhë e zi e realiteteve të dy periudhave: socializmit dhe postkomunizmit është meritë e autores. “Komunistët” e shndërruan Shqipërinë në karantinë; “demokratët” në çmendinë. Libri mbyllet me thënien e njohur të Marksit se filozofët e kanë interpretuar botën, por puna është ta ndryshosh atë. Mund ta citosh pa problem Marksin në Londër dhe ta studiosh stilin e Manifestit si Umberto Eko, por jo edhe në Tiranë dhe në Prishtinë. Në Tiranë, në fillim-vitet ’90, desh e kryqëzuan një politikan dhe profesor filozofie, pse mbante në zyrën e tij një bust të vogël të Marksit! Sistemet shoqërore ndryshojnë, por ato nuk kanë kuptim nëse nuk kanë “në themel lirinë”.[4] Libri Të lirë është apologji e lirisë së munguar të shqiptarëve, individuale dhe kolektive, në të dy sistemet shoqërore, në “socializëm” dhe “liberalizëm”, siç i pëlqen të shprehet autores.
Sipas Filip Lëzhënit (Philippe Lejeune), autobiografia është një formë letrare, por edhe një akt social, sepse “uni” që u drejtohet lexuesve nuk është krijesë fiktive, por një person real. Por kjo nuk pengon që autobiografia të jetë një vepër arti.[5] Në kohën tonë flitet gjithnjë e më shumë për të ashtuquajturin “autofiksion”, që është trend i prozës së sotme në botë.
Edhe pse kemi të bëjmë me prozë dokumentare, që mbështetet mbi përvojën personale, autorja ka arritur të krijojë situata dramatike dhe personazhe letrare. Të tilla janë: gjyshja Nini, babai Zafo, nëna Doli, mësuese Nora, holandezi Van der Berg, alias “Krokodili”, që vjen në Shqipëri si ekspert i “privatizimit” dhe shumë personazhe të tjera, më shumë a më pak të individualizuara.
Është e kuptueshme që ngjarjet e vitit 1997 të zënë një vend të veçantë në këtë libër. Kapitulli që flet për këto ngjarje është i shkruar në formë ditari. (Duhet të jetë ditari autentik i autores në muajt janar-prill ‘97). “Këto ngjarje njihen në librat e historisë si praglufta civile që pasoi rënien e firmave piramidale. Për ata që e përjetuan dhe i mbijetuan kësaj kasaphane mjafton të përmendet një numër: 1997”.[6]
Komikja dhe tragjikja gërshetohen në këtë vepër. Nga situatat komike kalohet tek ato dramatike, por nuk mungojnë as situatat groteske. E tillë është darka që organizohet për holandezin Van der Berg, ku shkëlqen talenti i autores, por edhe shumë episode të tjera të veprës. (Protesta e punëtorëve romë para shtëpisë së drejtorit Zafo është dhënë në mënyrë shumë autentike, ndërsa dalja në skenë e invalidit me emrin Zik, t’i kujton skenat filmike të regjisorëve të mëdhenj).
Në kam ndonjë vërejtje për këtë libër është fakti që në të nuk gjen asnjë fjalë për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë politike. Shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare janë plotësisht jashtë sferës së interesimit të autores: sikur nuk ekzistojnë! Vetëm në një rast babai i Leas shpreh keqardhje për shpërbërjen e Jugosllavisë, sepse nuk do të ishte e fortë në basketboll si më parë! Asnjë fjalë për represionin serb në Kosovë! Flitet për lirimin e Nelson Mendelës nga burgu, por nuk përmendet emri i “Mendelës së Kosovës”, Adem Demaçit! Nuk e ka intriguar fare as dyndja e shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia në plazhet e Durrësit pas hapjes së Shqipërisë në vitet ’90. Për një vrojtuese të hollë e spirituoze si autorja e këtij libri do të ishte material interesant ajo masë njerëzish me shprehitë, mendësinë e të folmen e saj, që dallojnë, pak a shumë, nga ajo e vëllezërve dhe motrave të “Shqipnisë”. “Logjika e gjysmës”, si e pata quajtur vite më parë, duke shkruar për një libër me karakter studimor[7], nuk është kapërcyer ende te një pjesë e krijuesve dhe studiuesve nga “shteti amë”. (Vërejtja ka të bëjë me pjesën e dytë të librit, në të cilën flitet për kohën kur shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë u “dyndën” në Shqipëri dhe veçanërisht në Durrës e Tiranë).
Miftar Kurti: Të çmendesh bukur kur dhimbja merr zë. Bashkëbisedim (pa zë) me poetin Sabit Idrizi. “Artini”, Prishtinë 2021.
Është një libër në formë interviste i autorit Miftar Kurti, studiues i letërsisë dhe historian, me poetin Sabit Idrizi, që jeton e punon në Mitrovicë. Sabiti njihet pos si poet, edhe si prozator, organizator i jetës kulturore në qytetin e tij dhe veprimtar shoqëror, veçanërisht në vitet ’90. Në secilën nga këto fusha ka dhënë kontributin e tij të çmueshëm.
Si redaktor i këtij libri kam pasur kënaqësinë ta lexoj atë në dorëshkrim. Është një rrëfim që i kalon kufijtë e jetës së një individi, të poetit Sabit Idrzi dhe ofron të dhëna për vendlindjen e poetit, fshatin Cerajë të Shalës së Bajgorës (në veri të Kosovës), për jetën e banorëve të kësaj ane dhe zakonet e tyre, për shkollimin e të rinjve, për rrethanat shoqërore në ish-Jugosllavi, për rezistencën e viteve ’90; për luftën e UÇK-së dhe çlirimin e Kosovës; për shpalljen e pavarësisë dhe uzurpimin e shtetit nga pushtetarët e pangopshëm dhe lakenjtë e tyre.
Si njeri dhe krijues me etos të lartë, Sabit Idrizi nuk ngurron të flasë për problemet e shumta me të cilat përballet shoqëria kosovare: papunësia, korrupsioni, nepotizmi, varfërimi i një pjese të madhe të popullatës, në njërën anë dhe pasurimi marramendës i një kaste të caktuar, në tjetrën dhe sidomos rrënimi i vlerave morale, që është mbase e keqja më e madhe.
Njeriu që në vitin 1990 refuzoi “masat e dhunshme”, sot jeton me një pension prej 90 eurosh, sepse nuk e plotëson kushtin absurd të 15 viteve përvojë pune në ish-Jugosllavi. E si ta plotësonte kur nuk pranoi të nënshkruante dokumentin se e njihte Serbinë si shtetin e tij, siç bënë shumë të tjerë dhe për këtë arsye u largua nga puna?
Flitet në këtë libër, sigurisht, edhe për punën krijuese të Sabitit, këtij poeti të veçantë, me botë të pasur shpirtërore, me shprehje subtile e individualitet krijues.
Sabit Idrizi i ka të rrallë shokët si njeri. Por as si poet nuk mbetet pas. Verbi i tij është ironik, protestues, sarkastik, elegjiak. Mjafton të lexohet vjersha Biseda e fundit me të, kushtuar bashkëshortes së ndjerë, për të parë forcën sintetizuese të vargut të tij.
Derisa babai i Leas, drejtor i portit të Durrësit, refuzon t’i lërë pa punë hallexhinjtë, poeti nga Mitrovica, afërsisht në të njëjtën kohë, pushohet nga puna për shkak se refuzon ta njohë Serbinë si shtet të vetin dhe të japë hua për zhvillimin e saj. I mbetur pa të ardhura, detyrohet të pijë edhe bishta cigaresh të hedhura në rrugë, kurse pas luftës ndodh ta lënë në shi ata që kishin pranuar të punonin nën masat e dhunshme dhe që tani voziten me makina zyrtare!
Jeton vetë i shtati në një shtëpi të vjetër, gati për t’u rrëzuar, duke u “arnuar” me pensionin e tij qesharak dhe një pagë minimale të njërit djalë, që punon si rojtar nate te një i afërm (pa asnjë të punësuar në punë “shteti”) dhe vazhdon të shkruajë vargje për atdheun, por edhe për “privatizuesit” e tij, që s’lënë gjë pa grabitur, duke lënë të paprekur vetëm qiellin si ngushëllim për idealistët.
Nuk pendohet për asgjë. Vazhdon të mbetet ai që ka qenë: idealist si njeri dhe i angazhuar si poet. Një Migjen i llojit të vet.
Pas leximit të dorëshkrimit dhe diskutimit me autorin e librit, të palodhshmin Miftar Kurti, shkrova një tekst përmbledhës, i cili është vënë në kopertinën e mbrapme të librit, bashkë me atë të recensentit Adem Gashi.
Ç’thuhet në të?
«Dy miq, dy krijues, dy shokë bëjnë dialog. ‘Bashkëbisedim (pa zë) me poetin Sabit Idrizi’, e ka quajtur miku dhe studiuesi i tij, Miftar Kurti. Fati deshi që Sabit Idrizi, pas një operacioni, ta humbte zërin. S’do mend se ai e vuan këtë fatkeqësi dhe nuk ngurron ta shprehë edhe në komunikim me miqtë e tij. Teksa i shqiptoj këto fjalë, më përfton një mendim paksa heretik: në këtë kohë gërvalljesh, kur gjithkush flet e askush s’dëgjon, nuk është ndonjë privilegj i madh të kesh zë. Sabit Idrizi ka sy e vesh, zemër e shpirt, nder e njerëzi dhe, mbi të gjitha, talent e dhunti.
Bashkëbisedimi mes dy miqve, poetit dhe studiuesit, rrok një spektër të gjerë temash “të vogla” e “të mëdha”: jeta, familja, vendlindja, atdheu, kombi, feja, lufta për lirinë e Kosovës dhe, doemos, edhe paudhësitë e pasluftës, që nxisin ndjenjën e zhgënjimit dhe të revoltës. Poet i dorës së parë, Sabit Idrizi është krijues me ndjeshmëri të hollë, mendim të thellë e shprehje subtile. E ka dëshmuar këtë me librat e tij. Në këtë rrëfim del në pah mirëfilli edhe profili i një intelektuali me kulturë të gjerë dhe i një njeriu me karakter të fortë, stoik.
Me pyetjet e tij të mençura, fryt i kulturës së gjerë dhe i njohjes së thellë të jetës dhe veprës së bashkëbiseduesit, Miftar Kurti i ka dhënë mundësi Sabitit ta shpalosë jetën e vet, por edhe pikëpamjen për punën krijuese, pa të cilën nuk do të kishte kuptim jeta e tij.
I ndjeshëm për nga natyra, si çdo poet i vërtetë, Sabit Idrizi e vuan humbjen fizike të zërit, por falë dhuntisë së tij krijuese, arrin t’i japë zë dhimbjes njerëzore. E bën këtë si rrallëkush tjetër edhe në këtë libër, që lexohet me një frymë dhe grish për rilexim».
[1] Fjala është për emisionin “Kodeks” të KTV-së, të cilin e drejton Azem Deliu. Emisioni është emetuar më 11. 12. 2021.
[2] Studiuesi Tefik Çaushi, te libri Kadare. Fjalor i personazheve (2002), e quan thjesht “Rrëfimtari”.
[3] Vargjet e mësipërme jepen në origjinal, pa përkthim. Për lexuesit që nuk dinë frëngjisht kuptimi i tyre është ky: “Unë rashë në tokë/ Për faj të Volterit/ Hunda ime në përrua/ Për faj të Rusoit”.
[4] Lea Ypi, Të lirë. Të rritesh në fund të historisë. Dudaj, Tiranë 2012, f. 306.
[5] Philippe Lejeune, Le pacte autobiographique, Seul, Paris 1975. Shih edhe: Dictionnaire des genres et notions littéraires, Nouvelle éditions augmentée. Albin Michel, Paris 2001, f. 49-50.
[6] Lea Ypi, Të lirë. Të rritesh në fund të historisë. Dudaj, Tiranë 2012, f. 279.
[7] Këtë togfjalësh e pata përdorur në një shkrim kritik për librin e Edmond Tupes, Pro transaltore (2003), në të cilin flitet për përkthimet nga letërsia frënge në gjuhën shqipe, por nuk përmendet asnjë përkthyes nga Kosova. Shih: Agim Vinca, Logjika e gjysmës, në librin Fije të pakëputura, Shkup 2004, f. 242-247.