reklamë

Rekomandime leximi nga Biser Mehmeti

biser mehmeti

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari, Biser Mehmeti. Ja cilat janë librat që Mehmeti u sugjeron të pasionuarve pas leximit.


Leximi ka një ndikim jashtëzakonisht të madh në mendjen e njeriut. Ndërkaq për shkrimtarin leximi është i domosdoshëm. Ai nuk është vetëm mënyrë për të marrë informacion, por një proces që e ndryshon mënyrën se si mendojmë, ndiejmë, kujtojmë dhe e kuptojmë botën. Kur lexon një roman, mendja krijon vetë fytyrat e personazheve, vendet, ngjarjet dhe atmosferën. Filmi t’i paraqet pamjet, ndërsa libri të detyron t’i krijosh ato në mendjen tënde. Disa libra na qetësojnë, disa na shqetësojnë, disa na bëjnë të mendojmë për gabimet tona, ndërsa të tjerët na ndihmojnë t’i kuptojmë më mirë njerëzit. Disa vepra na e ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes ndaj njerëzve. Disa vepra na e ndryshojnë mënyrën e të shkruarit, stilin dhe na frymëzojnë për vepra të reja.

Nga Biser Mehmeti

Është tepër e vështirë t’i dalloj tri vepra që kanë ushtruar ndikim të rëndësishëm në jetën time, sidomos në procesin e shkrimit. Megjithatë, kësaj radhe i kam veçuar tri si më të rëndësishme, të cilat kanë ushtruar ndikimin të konsiderueshme sidomos në procesin e shkrimit.

1. “Bufi i verbër” është një nga romanet më të veçanta dhe më të errëta të letërsisë moderne, e cila kur e kam lexuar për herë  të parë si student më ka magjepsur. Vepra e shkrimtarit iranian Sadek Hedajat nuk ndërtohet mbi një rrëfim tradicional, me ngjarje të qarta dhe zhvillim linear të personazheve. Përkundrazi, ajo e zhyt lexuesin në botën e trazuar të një ndërgjegjeje njerëzore, ku realiteti, ëndrra, kujtesa dhe halucinacioni ndërthuren deri në atë pikë sa bëhet e vështirë të dallosh njërën nga tjetra. Në qendër të romanit qëndron një personazh i izoluar, i shkëputur nga shoqëria dhe i burgosur brenda mendimeve të veta. Ai nuk arrin të krijojë një marrëdhënie të qëndrueshme me botën që e rrethon. Vetmia e tij nuk është thjesht mungesë e njerëzve, por një gjendje e thellë shpirtërore. Personazhi jeton në një konflikt të vazhdueshëm me vetveten. Ai kërkon të kuptojë ekzistencën, por sa më shumë përpiqet ta kuptojë, aq më tepër zhytet në errësirën e ndërgjegjes së tij.

Një nga elementet më interesante të romanit është paqartësia e rrëfimit. Lexuesi nuk mund të jetë plotësisht i sigurt nëse ngjarjet që përshkruhen kanë ndodhur vërtet, nëse janë kujtime të deformuara apo krijime të një mendjeje të traumatizuar. Kjo teknikë e bën romanin psikologjikisht kompleks. Autori nuk kërkon vetëm të tregojë një histori, por ta vendosë lexuesin brenda përjetimeve të një njeriu që nuk mund të besojë as në realitetin e vet.

Dashuria në këtë roman nuk paraqitet si burim lumturie dhe plotësimi shpirtëror. Ajo lidhet me dëshirën, vuajtjen, obsesionin dhe shkatërrimin.

Personazhi kërkon diçka që nuk mund ta zotërojë dhe kjo pamundësi e thellon tragjedinë e tij. Vdekja bëhet një prani e vazhdueshme, jo vetëm si fund biologjik, por edhe si simbol i zbrazëtisë dhe i pamundësisë për të jetuar në paqe me vetveten. Titulli është domethënës. Bufi, që tradicionalisht lidhet me natën dhe misterin, këtu merr një dimension edhe më të errët.

“Bufi i verbër” i përket një tradite të letërsisë moderniste, ku rëndësia nuk qëndron vetëm te ajo që ndodh, por sidomos te mënyra se si personazhi e përjeton atë që ndodh.

2. “Njeriu që qesh” është një nga romanet më tronditëse dhe më domethënëse të Viktor Hygos. Është një vepër ku ndërthuren tragjedia njerëzore, padrejtësia shoqërore, dashuria, vuajtja dhe kritika e ashpër ndaj pushtetit aristokratik. Në këtë roman, Hygo nuk rrëfen vetëm fatin tragjik të një njeriu, por ndërton një alegori të fuqishme mbi një shoqëri ku pamja e jashtme shpesh përcakton mënyrën se si gjykohet dhe trajtohet individi. Personazhi kryesor është Guynplaine, një djalë që në fëmijëri rrëmbehet nga një grup njerëzish të njohur si Comprachicos, të cilët deformojnë fytyrat e fëmijëve për t’i kthyer në atraksione për publikun. Fytyra e Guynplainit mbetet e deformuar në një buzëqeshje të përhershme. Ai duket sikur qesh vazhdimisht, edhe kur shpirti i tij është i mbushur me dhimbje. Gjatë jetës së tij ai njihet me Dean, një vajzë të verbër, e cila e dashuron pa e parë kurrë fytyrën e tij. Ajo e njeh përmes zërit, sjelljes dhe shpirtit të tij. Ky raport është një nga elementet më prekëse të romanit: Dea arrin të shohë atë që njerëzit me sy nuk janë në gjendje ta shohin. Këtu qëndron një nga idetë më të fuqishme të romanit.

Hygo është i pamëshirshëm në kritikën e tij ndaj aristokracisë dhe pabarazisë shoqërore. Përmes fatit të Guynplainit, ai zbulon një shoqëri ku njerëzit vlerësohen sipas prejardhjes, pasurisë dhe pozitës. Një moment vendimtar në roman është zbulimi i prejardhjes aristokratike të Guynplainit. Ai fiton një pozitë që mund t’i japë pushtet dhe privilegje, por kjo e vendos përballë një konflikti të madh moral. Hygo na tregon se një njeri mund të ndryshojë pozitën shoqërore, por kjo nuk do të thotë se ndryshon edhe shoqëria ku jeton.

Marrëdhënia ndërmjet Guynplainit dhe Deas është zemra emocionale e romanit. Dea nuk dashurohet me pamjen e tij, sepse nuk mund ta shohë atë. Dashuria e saj është e mbështetur në një njohje të brendshme të njeriut. Kjo e bën dashurinë e tyre një kundërvënie ndaj hipokrizisë së shoqërisë. Megjithatë, dashuria e tyre është e rrethuar nga tragjedia. Hygo nuk e paraqet dashurinë si një forcë që gjithmonë mund ta mposhtë realitetin, por si një ndjenjë që mund të mbetet e pastër edhe në një botë të padrejtë.

Një nga veçoritë më të rëndësishme të romanit është simbolika e të qeshurit. Guynplaini nuk e ka zgjedhur buzëqeshjen e tij. Ajo i është imponuar përmes dhunës. Kështu, fytyra e tij bëhet simbol i një paradoksi njerëzor: bota sheh një shprehje të lumturisë, ndërsa njeriu përjeton dhimbjen. Kjo mund të lexohet edhe si kritikë ndaj mënyrës se si shoqëria i detyron individët të mbajnë maska, duke mos u interesuar për atë që fshihet pas tyre.

“Njeriu që qesh” është një vepër ku Hygo përdor fuqinë e kontrasteve, simbolikën, përshkrimet e gjera dhe emocionin dramatik. Ai nuk e kufizon rrëfimin te fati i një individi, por e shndërron atë në një gjykim mbi një epokë të tërë.

Romani ka edhe një dimension të fortë grotesk. Deformimi fizik i Guynplainit bëhet një pasqyrë e deformimit moral të shoqërisë.

3. “Ringjallja” është një nga romanet më të rëndësishme të Tolstoit dhe një prej veprave më të thella të letërsisë botërore mbi ndërgjegjen njerëzore, fajin, pendimin dhe mundësinë e ndryshimit moral, i cili gjatë leximit në mua ka shkaktuar një tronditje të thellë shpitërore. Ndryshe nga shumë romane ku konflikti kryesor zhvillohet ndërmjet personazheve, në këtë vepër konflikti më i madh zhvillohet brenda vetë personazhit.

Tolstoi shtron një pyetje themelore: A mund të ringjallet moralisht një njeri që ka jetuar duke i bërë padrejtësi një tjetri?

Ngjarja sillet rreth dy personazheve kryesore: princit Dmitri Nehhludov dhe Katerina Maslovës, e njohur si Katiusha. Në rininë e saj, Katiusha kishte qenë në shërbim në pronën e familjes së Nehhludovit. Ai kishte krijuar një marrëdhënie intime me të, e kishte lënë shtatzënë dhe më pas e kishte braktisur. Kjo braktisje e kishte shtyrë Katiushën drejt një jete të vështirë, e cila përfundimisht e çoi në prostitucion dhe në një proces gjyqësor, ku ajo dënohet padrejtësisht për një vrasje që nuk e ka kryer. Vitet kalojnë dhe Nehhludovi, tashmë pjesëtar i jurisë, e njeh në sallën e gjyqit. Ai kupton se gruaja që po gjykohet është pikërisht vajza të cilës ia kishte shkatërruar jetën.

Ky takim bëhet pikënisja e një krize të thellë morale. Ky është, sipas meje, boshti psikologjik i romanit. Nehhludovi fillon të përballet me të kaluarën e tij. Për herë të parë, ai nuk e sheh veten si një njeri të respektuar të shoqërisë, por si dikë që ka kontribuar në shkatërrimin e jetës së një gruaje.

Tolstoi paraqet me mjeshtëri procesin e zgjimit të ndërgjegjes njerëzore. Njeriu mund të jetojë për vite duke i justifikuar veprimet e veta, por një moment i caktuar mund t’ia shembë të gjitha mbrojtjet morale.

Titulli nuk i referohet ringjalljes fizike, por asaj shpirtërore dhe morale. Nehhludovi përpiqet të ndryshojë. Ai dëshiron të marrë përgjegjësi për të kaluarën dhe ta ndihmojë Katiushën. Por Tolstoi nuk e paraqet pendimin si një proces të lehtë. Ndryshimi i vërtetë kërkon që njeriu të heqë dorë nga egoizmi, privilegjet dhe bindjet që e kanë mbajtur të verbër ndaj vuajtjes së të tjerëve.

Një dimension tjetër shumë i rëndësishëm është kritika shoqërore. Tolstoi e paraqet sistemin gjyqësor si një mekanizëm që shpesh nuk kërkon të zbulojë të vërtetën, por prodhon padrejtësi përmes formaliteteve, indiferencës dhe paaftësisë njerëzore.

Katiusha bëhet viktimë e dy padrejtësive: E para, padrejtësia personale që i bëri Nehhludovi. E dyta, padrejtësia institucionale që e dënoi nga një gabim në procesin gjyqësor. Autori kritikon gjithashtu aristokracinë, burokracinë, burgjet dhe pabarazinë ndërmjet shtresave shoqërore. Në këtë aspekt, romani nuk është vetëm historia e dy individëve, por një gjykim i tërë shoqërisë ruse të kohës.

Katiusha është një personazh veçanërisht interesant nga pikëpamja psikologjike. Ajo nuk është thjesht një grua e pafajshme që pret shpëtimin nga një burrë. Përjetimet e saj e kanë ndryshuar thellësisht. Ajo ka humbur besimin te njerëzit dhe është detyruar të ndërtojë një mburojë emocionale për të mbijetuar. Takimi me Nehhludovin e vë përballë së kaluarës, por ajo nuk është më vajza që ai kishte njohur dikur.

Këtu Tolstoi tregon se vuajtja mund ta ndryshojë personalitetin e njeriut, por nuk ia shuan domosdoshmërisht aftësinë për të dashur dhe për të rifituar dinjitetin.

Një nga aspektet më interesante është se rrugëtimi moral i Nehhludovit dhe ai i Katiushës nuk janë të njëjtë. Ai kërkon të shlyejë fajin, ndërsa ajo kërkon të rifitojë jetën dhe dinjitetin e vet.

Në këtë roman ndihet fuqishëm filozofia morale e Tolstoit. Ai beson se njeriu duhet të ndryshojë së pari veten, përpara se të kërkojë ndryshimin e botës.

Ajo që e dallon Tolstoin është aftësia për të depërtuar në mendimet më të fshehta të personazheve. Ai nuk na tregon vetëm se çfarë bëjnë Nehhludovi dhe Katiusha, por edhe se si ndryshojnë, si arsyetojnë, si mashtrojnë veten dhe si përballen me të vërtetën.

Në këtë drejtim, “Ringjallja” është një roman i jashtëzakonshëm psikologjik. Për mua, madhështia e “Ringjalljes” qëndron në faktin se Tolstoi nuk e trajton pendimin si një ndjenjë të çastit, por si një proces të vështirë të transformimit njerëzor.

ObserverKult


Lexo edhe:

Biser Mehmeti: Të merresh sot me letërsi është sfidë e madhe!