Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Arbër Ahmetaj.
Ja cilat janë tri librat që Ahmetaj u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
Në filozofi ka disa pyetje fatale, përgjigjia e të cilave, në çfarë do lloj lakimi, nuk arrin të jetë pozitive. Pse s’jemi plotësisht të lirë, pse nuk jemi gjithmonë të lumtur, pse s’ka dashuri të përjetshme etj.? Nuk po hy më gjatë në këtë pyll të errët të dijes, pasi s’kam as gjunjtë, as mjetet e duhura për t’ia dalë.
Nga Arbër Ahmetaj
Ky refleksion më erdhi pasi më është kërkuar të zgjedh tre libra për t’ua sugjeruar lexuesve të ObserverKult, e meqënëse është hera e dytë që takohem me ta, desha t’i jap vetes edhe një shans, nëse ata ma japin, të tretin! Numri tre e ka një ngarkesë mitologjike, shpesh në përralla e rrëfime kemi tre vëllezër, tri zana, tre kroje e kështu me radhë. Të zgjedhësh tre libra ja çfarë më kërkohet nga botuesja Donika Dabishevci! U gjenda para tri alternativave (prap numri 3): Të refuzoja, të shkruaja diçka sipërfaqësore, ose ta merrja seriozisht lexuesin. Unë kam shkruar vetë shumë libra, punë të cilën e kam bërë me shumë seriozitet. Kam lexuar me qindra libra. Pa u zgjatur ja zgjedhja ime:
Cikli i këngëve legjendare ose Cikli i Kreshnikëve!
Ky monument kulturor i shqiptarëve por jo veç i tyre, huazuar apo plotësuar prej tjerëve, është ndër tekstet më të bukura poetike e filozofike, që një lexues i pasionuar duhet ta ketë lexuar. Në atë numër variabël këngësh gjenden heronjtë, kategoritë morale më të kristalizuara, dramat e tragjeditë më rrëqethëse, lirizmi më prekës dhe ndjeshmëritë më të bukura të shpirtit njerëzor. Gjenden dashuri që lypin sakrifica mbinjerëzore për t’u realizuar, urrejtje e hakmarrje që rrafshojnë bjeshkë e kështjella, gjenden forma kuvendimi e hapjeje shoqërore, përpjekje për zgjidhje diplomatike konfliktesh e konflikte që shkaktojnë përplasje të përgjakshme, të fundbotshme. Natyra është personazh i plotë: Me përroje, më male, me ortiqe, me diell, me hanë, me borë, me pyje, me gjithçka që zoti apo natyra i ka dhuruar njeriut si skenë, në të cilën ai është thirrur të luajë dramën e jetës, së tij.
Në romanet e mia, “Fletëhyrje për në varr”, “Varri i Braktisur”, “I huaji, ai Kosovari”, kam marrë hua nga ky cikël, me shpresë se e bëj më të qartë përditshmërinë që përshkruaj, personazhe e sjellje, urtësi e konflikte, imazhe të pashlyeshme që ngjesin e përforcojnë edhe sjelljen tonë, në modernitet. Leximi i këtij cikli, do t’i jepte shansin lexuesit të gjente përngjasimet e themelta me atë që konsiderohet baza e kulturës europiane, epopenë e Homerit, tragjedinë dhe pyetjet e mëdha që shtruan tragjikët dhe filozofët e vjetër grekë. Në Ciklin e Kreshnikëve gjejmë rrënjët e kulturës sonë, identitetit, gabimeve tona të mrekullueshme, heroizmave tanë tragjikë, dobësive tona të shkëlqyeshme. Lexojeni e më qortoni!
“Rrno për me tregue”
E kam njohur personalisht At Zef Pllumin. Dukej si një rrënjë e thatë. E kush mund ta merrte me mend se prej saj do bleronte gjithë ai humanizëm, gjithë ajo dije, kush mund ta besonte se burri ishte tkurrur burgjeve, ishte zvogëluar, por kishte ruajtur sythet e një pylli aq të mrekullueshëm të mbushur me dëshmi nga më rrëqethëset për fatin tragjik të njeriut në njërin prej sistemeve më denatyruese që kanë jetuar shqiptarët gjatë historisë së tyre. Libri i At Zef Pllumit ashtë teksti ma i bukur që i shpëtoi përvëlimit 50 vjeçar. Si në çdo libër të madh, që nga Homeri, Dante e Shekspiri, rrëfimi i tij ka qindra personazhe, fate njerëzore, detaje të imta, këqyrje me mikroskop të sjelljeve të njeriut të reduktuar nga mungesa e lirisë, po aq sa edhe të njeriut dhunues, njeriut kamzhik, panxhë, zgjatim instrumenti dhune, teh thike në lëkurën e tjetrit. «Rrno për me tregue» është historia e një rrëzimi, e një rrëshqitjeje të pamëshirshme në dreq të mallkuar. Nga pikëpamja e shkrimit, Pllumi ashtë tregue mjeshtër i klasit të parë. Ka ndjekë mësimin e Çehovit: në vend se të flasë për ndiçimin e hënës, ka folur për shkëlqimin e një rrezeje të saj mbi një copë qelqi të thyer. Ai rrëfen e ia lë gjykimin lexuesit. Kohët do rrjedhin, ne do përsërisim gabimet tona, si gjithë njerëzimi, ndërkohë që po ta lexonim atë libër, do bënim gabime më pak të përgjakshme, më pak rrënuese se ato, me të cilat krenohet me ligësi një pjesë e jona, ajo më e keqja.
Një lutje për Prishtinën
Në liri, njeriu shpërndahet si vaji në sallatë! Ashtë ma lehtë me pi një gotë, me ba një festë, një udhëtim. Por të harrosh se kjo liri ka ardhur përmes sakrificash të paimagjinueshme, se rrëshqitja në robëri mund të ndodhë në çdo çast, e se kush harron, ka shanse ta riprovojë robërinë, atëherë lexueseve u këshilloj të lexojnë librin magjik të Xhemail Mustafës: «Një lutje për Prishtinën». Ditari i tij, i tetëdhjetë e dy ditëve të Prishtinës, nën bombardime dhe dhunën serbe, është dhurata më e bukur që një intelektual i angazhuar u lë trashëgim qytetarëve të tij. I ka të gjitha, në krye të herës ankthin për jetën e të birit, të familjes, të fqinjit, të njeriut, të banorëve të larguar, të atyre që enden maleve pa një grusht miell e një kuti antibiotiku, të atyre mbi të cilët bie thika e kasapëve, shpërthimi i topave, ligësia qenërore e urrejtjes. Në libër gjenden refleksione të thella humaniste, mbi ekzistencën, të mirën e të keqen, të drejtën e të padrejtën, mbi luftën e paqen. Pikëpyetje mbi alternativat politike, mbi shanset militare, mbi opsionet diplomatike. Ka një përpikmëri deklaratash e analizash fine të një njeriu që i njeh detajet, që i di përvojat e së shkaurës, që shqetësohet për shanset e paqes e zgjidhjeve të ardhshme. Ky ditar, është një vepër unike. Është një tekst mes psikoanalizës, reflektimit politik dhe gazetarit të faktit. Është një tekst që për mrekulli do t’mund të shërbente si skenar i një filmi të jashtëzakonshëm, dëshmi e asaj përmes së cilës kaluam si qytetarë në atdheun tonë gjatë konfliktit të fundit, të vetmin që e fituam, sepse kishim përkrah qytetërimin europian, vullnetin dhe forcën e tij të armëve.
Xhemail Mustafa mrekullon me këtë vepër, si tek «Mrekullia e shkrimit», një libër tjetër i tij. Por, për tre libra më lejohet të flas: ky kufizim ma zë frymën! Siç më kënaq me shansin që më dha të zgjedh!/ ObserverKult