Rekomandime leximi nga Entela Kasi

entela kasi libra observerkult

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire shkrimtaren Entela Kasi.
Ja cilat janë tri librat që Kasi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

___________________________

Njeriu i sotëm po ashtu si njeriu i dikurshëm, antik, pavarësisht rangut social të gjendjes është i drejtuar kah leximi i së kaluarës dhe kohëve që jetojmë. Shtysa kah të lexuarit lidhet me përkufizimin e kuptimit të vetë njerëzimit, të mbushur me histori zhvillimesh dhe traumash në lartësimin dhe rrëzimin e shtyllave të humanitetit.
Bota e librit, mbetet një univers i veçantë, krejtësisht i banuar prej shkrimtarësh, titanë të mendimit dhe gjeni të destinuar për të na zbuluar të vërtetat tona tronditëse.

Nga Entela Kasi

Për të folur për tri libra, është pak e vështirë sepse janë më tepër, por në aktualitet këtë çështje do ta lidhja me tri vepra të cilat besoj do të mbeten në pasurinë e botës jo thjesht trashëgimi letrare, por burim për mendimtarë e lexues të së ardhmes.

Librat në një sistem mendimi krijojnë botën e mendimeve, ideve dhe e përkufizojnë të vërtetën e saj në një mënyrë krejt të dukshme, edhe kur ajo ka peshë të rëndë.

Franz Kafka, George Orrwell, dhe Hanna Ardent, të lexuar së bashku me veprat e tyre na sjellin atë çka ndodhi dhe po ndodh me njerëzimin në sistemet totalitare, përgjatë historisë moderne, të kohëve që ende i jetojmë.

Nëse ndalojmë tek Procesi i Kafkës, 1984, i Orrwellit dhe Origjinat e totalitarizmit të Arendt, humbja e lirisë është çështja e njeriut të kohëve moderne, i cili sundohet i kontrolluar prej despotizmit, tiranisë, diktaturave. Në këtë sundim, roli i propagandës, terrorizimi i tij dhe izolimi, na sjellin në zhveshjen e njeriut nga liritë dhe dinjiteti, ndërsa ky i fundit është për më tepër edhe çështje shpirtërore.

Origjinat e totalitarizmit, botuar për herë të parë në vitin 1951, konsiderohet si një prej veprave më të rëndësishme të Hanna Arendt. Analiza që ajo i bën Nazizmit dhe Stalinizmit në gjysmën e parë të shekullit të XX, të bëjnë të ndalosh në anën më të errët të shoqërisë njerëzore të kohëve moderne, ku përmbysen vlera të njerëzimit në gjithçka që sot ne e njohim nga historia.

Arendt e fillon analizën me lindjen e antisemitizmit në Evropën qendrore dhe perëndimore, ajo bën një ekzaminim të imperializmit kolonial dhe ndalon në luftën e parë botërore. Shpjegon, arsyeton, dhe arrin në përfundimin se Nazizmi dhe Bolshevizmi në themel të tyre janë të lidhur me tiraninë, despotizmin, diktaturën. Ato mbeten sisteme anti-humane, terroriste, dhe antisemiste. Roli i propagandës, terrorizimi në natyrën e izolimit, dhe racizmi në themel i shkaktuan njerëzimit trauma dhe rrëzime të cilat ende tronditin shoqërinë e së sotmes. E gjithë kjo që ka ndodhur jo më tepër se një shekull para, vazhdon të jetë kërcënuese dhe rrezikon shoqërinë e së sotmes të kohëve që jetojmë. Ne jemi ende të rrezikuar nga sisteme të tilla!

Nëse ne do të hyjmë në botën e letërsisë së jashtëzakonshme, kur ndalojmë tek Franz Kafka, kryevepra e tij Procesi, na risjell fatin e individit nën tolitarizëm. Jozef K, rrëmbehet ( arrestohet ) dhe dënohet për një krim të pakryer. Kafka e shkroi këtë roman shumë më herët se vendosja e regjimit totalitar në lindje, dhe më herët se fillimi i Holokaustit. Procesi u botua në vitin 1925, pas vdekjes të Kafkës.
Gjithçka që ndodh me Jozef K. si individ është çka do të ndodhë me të gjithë të tjerët më vonë. Asgjësimi i individit prej sistemeve tiranike, nën diktaturë. Vrasja pa gjyq, ekzekutimi! Gjithçka përjetohet si absurd, por ky absurditet bëhet rendi i ri prej të cilit njeriu humbet dhe lirinë dhe jetën në mënyrë arbitrare.

Gorge Orrwell, me romanin e tij distopik 1984 arrin t’i përcjellë botës një kryevepër të letërsisë në të cilën duket se po jeton shoqëria moderne. Titulli i cili duket si shenjë, na drejton kah sistemet që bartin shenjat dhe kumtet e asgjësimit të lirive dhe dinjitetit të njeriut. Kontrolli i njerëzimit, sundimi i njerëzimit prej një numri të caktuar sistemesh, është qëllimi i autoritarizmit, i despotizmit, diktaturave. “Big brother”, policia e mendimit, ministria e së vërtetës, liria gjuhësore, dhe gjithë mjetet e tjera në funksion të sistemit të kontrollit total, tërësor, e bën këtë roman të mbetet një kryevepër- shenjë. Tema e kontrollit dhe sundimit tërësor të njerëzimit mbetet çështja e vetme e shoqërisë. Kontrolli dhe sundimi totalitarian i kohëve që jetojmë e ka fillin diku nga fundi i shekullit të XVIII, kur sipari Hanna Arendt i qaset në librin e saj filozofik, Origjinat e tolitarianizmit.

Hanna Arendt, Orwell dhe Kafka kanë realizuar analizën dhe autopsinë më të thellë që mund t’i bëhet tiranive dhe regjimeve diktatoriale në kohët tona. Të bësh këtë në letërsi dhe filozofi do të thotë të jesh jo vetëm shkrimtar i përmasave të gjenive, por intelektual i mendimeve të asaj peshe që jo të gjithë e kanë fuqinë ta përballojnë kur vjen fjala tek artikulimi i së vërtetave tronditëse.

ObserverKult

Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA RITA PETRO

TRI REKOMANDIME LEXIMI NGA XHABIR TABAKU