Rekomandime leximi nga Mërgim Bekteshi

kam me ardhë si deka mërgim
Mërgim Bekteshi

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir kritikun Mërgim Bekteshi.

Ja cilat janë librat që Bekteshi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

—————————

Nuk mendoj se rekomandimet mund të jenë çdoherë të qëlluara kur flasim për librat e letërsisë në prozë, poezi apo dramë, sepse ato përbëjnë një univers në vete. Mirëpo, nëse veprat arrijmë t’i ndajmë në periudha apo kohë, ia dalim të nxjerrim një subjektivitet gjithnjë individual, por që mund të jetë edhe i ngatërruar për lexuesin. Kjo nënkupton që disa nga krijimet artistike nuk mund të jenë të lexueshme për të gjithë, për shkak të mendjemprehtësisë artistike autoriale, gjuhës së përbërë me shumë narracion dhe tematikës së ngjeshur, shpeshherë edhe filozofike. Megjithatë, lexuesi dhe studiuesi i zellshëm arrin të komunikojnë me autorin kur autori ka arritur të shfaqë e të ndërlidhë kodet e mirëfillta autor-lexues.

Nga Mërgim Bekteshi


Pasi u drejtohem lexuesve shqiptarë, tri rekomandimet e mia janë për libra të autorëve të letërsisë shqipe; sepse letërsia shqipe është unike dhe ka vlera të njëmendta që nuk duhet nënçmuar pasi që paraqet kulturën dhe personazhin e njëmendtë ballkanas. Kjo vlen për vëmendje, sepse edhe letërsia shqipe është duke ecur përkrah letërsisë së popujve të mëdhenj. Kam zgjedhur tre prozatorë shqiptarë: Gëzim Aliu, Virion Graçi dhe Veli Karahoda. Ndërkaq, në ndonjë rekomandim tjetër do të veçoja tre poetë shqiptarë: Azem Shkreli, Donika Dabishevci dhe Halil Matoshi.

“Sëmundje dhe Perëndi” nga Gëzim Aliu

Gëzim Aliu është prozator dhe studiues i letërsisë shqipe. Gëzimin e kam njohur që nga koha e studimeve të letërsisë; proza romanore e tij është e cilësisë së lartë artistike, me të cilën Gëzimi bën valsin më të mrekullueshëm. Në tri romanet e para, por edhe me këtë të katërtin, Aliu ka dëshmuar se proza romanore është cilësia më e lartë që mbretëron artin e tij, i vlerësuar edhe nga lexuesit, studiuesit dhe kritika letrare.

E veçanta e krijimtarisë së Aliut në romanin më të ri “Sëmundje dhe Perëndi” është trajtimi i individit në shoqërinë shqiptare, veçmas ballafaqimi i subjektivitetit përballë koherencës shoqërore që disa e quajnë edhe përplasje e kulturave, por më shumë është individi përballë gjendjes së një shoqërie në tranzicion.

Romani përmban një rrëfim të mirëfilltë, një strukturë gjuhësore të kujdesshme duke mos krijuar dyshime të panevojshme mes autorit dhe lexuesit, dhe rrëfen për një personazh ballkanas, i cili gjendet në një situatë tejet delikate përballë sëmundjes, edhe si faktor biologjik, por edhe psikik. Kjo situatë tensionohet edhe më tej kur interferohet procesi shoqëror e psikologjik i të besuarit në perëndi që zgjon kureshtjen e mendësisë në zgjidhjen e situatave delikate me një kohëzgjatje në frekuenca të ndryshme.

Romani “’Sëmundje dhe Perëndi’’ është roman i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare dhe një e arritur e madhe për letërsisë shqipe.

“Stina e Hijeve” nga Virion Graçi

Shqipëria ka një kulturë të lartë artistike në raport me prozën romanore, por në mesin e krijuesve të shumtë, do të rekomandoja studiuesin dhe profesorin e letërsisë shqipe, Virion Graçin, me romanin e tij “Stina e hijeve”. Mund të thuhet se ky roman është produkt i gjendjes aktuale që kishte kaluar shoqëria shqiptare, jo vetëm në kufijtë ekzistues të saj, por edhe më tej.

Graçin e kam njohur vetëm nga cilësia e lartë që ai ka shfaqur në prozën romanore dhe mënyrën se si e parashtron këndvështrimin e situatave të natyrës sociale, ekonomike, politike, e rendit të shthurur nga normat juridike.

Pa dyshim lexuesi në këtë libër do të gjejë një realitet ballkanas që trumbeton edhe sot me ikje nga atdheu, dashurinë prindërore dhe gjendjen e krijuar kaotike. Rrëfimi që Virion Graçi e sjell në roman është i natyrës njerëzore, i asaj natyre që katandiset nga jo mirësia, egoja, smira që njeriun e rrënon ditë e më ditë. Ky roman është vërtet i bukur dhe nuk ju zhgënjen.

“Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit” nga Veli Karahoda

Veli Karahoda është shkrimtar nga Kosova. Veliu mund të jetë jo aq i njohur për publikun, por ai vlerësohet nga studiuesit e letërsisë shqipe dhe nga kritika letrare. Do të rekomandoja romanin e tij më të ri, “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”, një roman me peshë, që trajton të kaluarën e errët jugosllave që përmes tutelës nënshtronte popujt brenda dhe jashtë kufirit.

Personazhet e Karahodes janë tipikë realë që ushtrojnë aktivitete të ndryshme kriminale dhe pastaj rekrutohen nga shërbimi famëkeq jugosllav, që përdorte metodat më brutale për të realizuar qëllimet e pushtetit të frikshëm.

Veliu shquhet për ironinë, sarkazmin, alegorinë dhe shumë figura të tjera letrare që i përdor me mjeshtëri. Për më tepër, lexojeni këtë libër, do të mbeteni të mahnitur, si për nga teknikat rrëfimore, ashtu edhe për nga përmbajtja e pasur dhe e trajtuar kujdesshëm nga autori.

ObserverKult


Lexo edhe:

LIBRI “KUNDRIME LETRARE” I MËRGIM BEKTESHIT, TASHMË NË LIBRARI