Rekomandime leximi nga Sueton Zhugri

sueton zhugri nesër e vogla ime

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Sueton Zhugri.

Ja cilat janë librat që Zhugri u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

———————————–

Umberto Eco thonte: “Ata që nuk lexojnë, në moshën 70-vjeçare do të kenë jetuar vetëm një jetë: të tyren! Ata që lexojnë do të kenë jetuar 5000 vjet: ata do të jenë atje kur Kaini vrau Abelin, kur Renzo u martua me Lucian, kur Leopardi admironte pafundësinë… sepse leximi është një pavdekësi që shkon së prapthi”.

Këto janë fjalë të mençura. Shumë të vërteta në thjeshtësinë e tyre. Ai që shkruan servir të gjithë botën e tij të brendshme, të gjitha përvojat e tij njerëzore mbi një pjatë të argjentë. Duke lexuar përplasesh me një botë tjetër të shumëfishtë, futesh në qindra refleksione, sikur drita që bie mbi një diamant.

Ke ç’ti tregosh brezit më të ri. Dhe duke folur për brezin e ri, leximi për të mbetet imperativ, domosdoshmëri, diçka që nuk duhet të na zërë gjumi natën dhe siç thonte George Carlini komediani i famshëm amerikan, pa brez të ri që lexon, të mirëinformuar, të aftë të formojë një mendim kritik mbi botën, mbi atë çka e rrethon, nuk ka të ardhme, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë sojin e racës njerëzore në përgjithësi.

Nga Sueton Zhugri

Mua më pëlqen shumë letërsia, dhe në veçanti poezia. Mënyra e përmbledhur, e sintetizuar, figurat artistike, lakoniciteti, thjeshtësia, e pra të gjitha këto më tërheqin tek poezia. Si poet pra, edhe në leximin e prozës, më tërheqin ata autorë, apo autore që lëvrojnë prozën poetike.

Tani le të kthehemi tek zgjedhja.

Larmia është e gjerë, e pafundme. Si të autorëve të huaj, përkthimet e të cilëve janë shtuar në mënyrë ekspotenciale ashtu edhe atyre shqiptarë.

Por duhet kujtuar gjithmonë ajo shprehja latine: “De gustibus non est disputandum”, shijet nuk mund të diskutohen. Domethënë secili ka të drejtën e zgjidhjes së tij dhe jo çdo zgjedhje e mirë për mua është domosdoshmërisht e tillë për dikë tjetër. Pra çdo njeri ka të drejtën e një opinioni personal.

Pasi është thënë e gjitha kjo kalojmë te zgjedhjet.

Personalisht më pëlqen F. Kafka, E. Hemingway, A. Camus, J.L. Borges, G.G. Marquez, etj.

E.M. Remarque: “Qielli s’ka preferenca”

Por unë si libër të parë do të zgjidhja një nga romanet e E.M. Remarque-t dhe pikërisht: “Qielli s’ka preferenca”. Është si të gjithë librat e këtij autori një roman poetik, himn dashurie, ëmbëlsie, brutaliteti, mënxyre, thjeshtësie, ekuilibri, qashtërsie,  që mi mbush sytë sa herë e lexoj.

J. M. Coetzee: “Askund”

Si libër të dytë do të shtoja: J. M. Coetzee me romanin “Askund”.

Është poezi nga fjala e parë tek e fundit.  Do ta përmblidhja me tre fjalë: më kap përfyti. Çdo germë renditet tejet natyrshëm në përsosje.

Ernest Hemingway: “Lamtumirë armë”

Si vepër të tretë do të shtoja: “Lamtumirë armë” të E. Hemingway-it

Më kujtohet që kur e lexova për herë të parë nuk merrja dot frymë. E lija për pak kohë, pija pak ujë, dhe i rikthehesha sërish. Brutalisht i këndshëm. Mund ta lexoj edhe njëqind herë. Aq mirë është shkruar.

Thjeshtësisht dhe drejtpërdrejt këto do të ishin zgjedhjet dhe referimet e mia personale. Duke e përfunduar shtoj një fjali të vetme me tre fjalë: njohuria është fuqia! Falemnderit.

ObserverKult


Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: JAM I GJITHI SHPIRT…