Tri rekomandime leximi nga Ndue Ukaj

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, Observer Kult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë Ndue Ukaj. Ja cilat janë tri librat që Ukaj ua rekomandon t’i lexoni:  

Për mua, vepra të mëdha letrare dhe që meritojnë të rekomandohen për secilin lexues, janë ato vepra që hulumtojnë ekzistencën njerëzore në totalitetin e saj. Në historinë e letërsisë së përbotshme, vepra të tilla ka shumë dhe nëse e përdorim metaforën e Borgesit për parajsën si formë biblioteke, atëherë nuk është aspak e lehtë dhe as e drejtë që nga kjo parajsë të shkëputësh vetëm tre libra magjikë dhe t’ia rekomandosh lexuesit. Po ashtu, meqë secili lexim ndikohet nga disa faktorë kohorë, atëherë nuk është aspak e lehtë të tregosh pse pikërisht në një moment të caktuar, për shembull sot tre libra të pëlqejnë më shumë se – të themi- tre libra tjerë.

Nga Ndue Ukaj

Kësaj here dua të ndalem te tre autorë shqiptarë dhe tri vepra të mëdha, që përfaqësojnë tri lloje shkrimi dhe hulumtojnë ekzistencën njerëzore në totalitetin e saj.

Át Zef Pllumi: “Rrno vetëm për me tregue”

Në këtë libër të madh dhe unik, Át Zef Pllumi ka treguar se “dashnia nuk vendoset me dhunë” në asnjë shoqëri. Duke e lexuar librin e kujtimeve të Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, lexuesi sheh përpara dy Shqipëri: një që përfaqëson autori i kujtimeve, i cili, ndonëse në burg e ndër tortura mizore, jetonte i lirë me mendimet e veta, dhe një tjetër të izoluar dhe të burgosur, të një tufë shkretanësh komunistë, që urrenin çdo gjë autentike dhe persekutonin e torturonin të gjithë ata që e donin lirinë e vërtetë.
Kujtimet e Át Pllumit farkëtojnë një histori makthi e lirie, ku shprehet fuqia e tërbuar e njeriut që nuk do njeriun, e njeriut që për njeriun është ma pak besnik se ujku, dhe, atij që deri në maksimum lufton për lirinë e njeriut dhe të vendit të vet. Këto dy botë e përshkojnë librin fund e krye, si refleksione të përplasjes së përhershme mes të mirës e të keqes, dashurisë dhe urrejtës. Në këtë përplase dhe në këtë botë të mbushur me urrejtje, Pllumi në burgje e tortura, i përkorë, nuk u tundua asnjëherë nga joshjet e gjithfarshme, paudhësia, por deri në fund mbeti njeri. Dhe sot vepra e tij shfaqet si dielli që ndriçon errësirën. Kjo vepër tregon se e keqja, pavarësisht sa e madhe të jetë, një ditë merr fund, dhe prapa mbesin mizoritë. Ky është dhe etika që përcjell kjo vepër te breznitë e ardhshme.
Vepra “Rrno vetëm për me tregue” është libër autobiografik dhe me karakteristikat e tipologjinë shkrimore, i përket shkrimeve memoaristike, ku ndeshim një galeri të tërë personazhesh realë të historisë së kulturës shqiptare. Autori me çiltërsi tregon për raportet e tij me personazhet e kohës, me emra dhe mbiemra; tregon për spektaklet që bëheshin në emër të drejtësisë; për Shkodrën dhe dashurinë e madhe të françeskanëve për kulturën shqiptare, si dhe për kulturën e vdekjes që mbollën komunistët shqiptarë.
Ky libër është shkruar me stil të lartë dhe gjuhë të admirueshme, ku nuk mungojnë metaforat e goditura, stilizimet mahnitëse, dhe një varg cilësish artistike, që e bëjnë kryevepër të letërsisë shqiptare, dhe një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë kundër totalitarizmit.
Kësisoj, libri i kujtimeve të Pllumit është një heshtë që shporon zemrën e egër të komunizmit dhe të dishepujve të tij, që asnjëherë nuk u penduan dhe nuk kërkuan falje, për vuajtët e pafund që u shkaktuan shqiptarëve gjatë errësirës së gjatë komuniste, kur njeriu u degdis dhe u tkurr deri në nivel kafshe.

Martin Camaj: “Vepra poetike”

Ky është një libër i madh dhe fantastik i poezisë, ku është përmbledhë arti poetik i Camajt, e ku ndihen telat e zemrës së madhe poetike të njërit prej shkrimtarëve më të fisëm të letërsisë shqipe. Në poetikën e këtij libri ka ambëlsi të pafund të gjuhës dhe thellësi të mendimit. Kështu, kjo përmbledhje e poezisë së Camajt përfaqëson vlerat më sublime të poezisë shqipe dhe mund të quhet “libri i librave” në historinë e poezisë shqipe.
Camaj për mua është shkrimtari më i përkorë i letërsisë shqipe dhe duhet të shërbej si shujtë e përhershme në tryezën letrare shqiptare. Sidomos kur ka thatësira letrare, kulturore e estetike.
Camaj është poeti që iku nga Itaka, por të cilën e barti kudo, në zemër e në mendje. Ai pranoi të bëhej shtegtar dhe ky veprim krijoi thyerje e dramë në jetën dhe në shpirtin e tij. Sepse dallgët e atdheut të trazuar e ndjekin çdoherë pas, dhe bëhen tinguj të poezisë së tij. Është ajo copë Itake që i rri e thadruar në ndërgjegjen e tij. Dhe poeti nuk mund, e as që do ta fashit atë, por rreth saj krijoi hartën e tij shpirtërore e letrare, me një stili të lartë dhe me një figuracion të papërsëritshëm. Ai jetoi larg atdheut dhe i mohuar në atdhe, por kurrë nuk shkroi me mllef e urrejtje. Përkundrazi, ai shkroi me dashuri, mall, dhimbje, kujtime për njerëzit dhe natyrën; ndjesi këto që poezisë së tij i japin shkëlqim krejt të veçantë estetik.

Ismail Kadare: “Vajza e Agamemnonit”

“Fushata e Trojës ka filluar. Asgjë nuk e pengon më tharjen e jetës”. Me këto fjalë, Kadareja e përfundon romanin “Vajza e Agamemnonit”, këtë libër dridhmues që flet për një fushatë të egër politike e për tharje të jetës në Shqipëri, për ngritje në pushtet të individëve, duke flijuar jetët e të tjerëve, pra duke bërë krime. Kjo vepër, përfaqëson një universi të madh tematik e estetik, nëpër faqet mahnitëse të së cilit, lexuesi endet nëpër episode narrative dridhmuese. Ai përplaset në botën e poshtme dhe ngritët në atë të sipërme, nëpër trajektoret e së cilës, ballafaqohet me karaktere të shumtë, tek sfiliten në një botë pa liri, aty ku litari i së keqes, i lidh dhe i tërheq në podiumin e pushtetit, të fajshëm e të pafajshëm, aty ku ka qelbanikë dhe kriminelë.
Të lexosh këtë roman, të duket se mbërrin në kufijtë e skajshëm të artit dhe të bukurisë së fjalës, ku prekën thellësitë dhe lartësitë, në hapësirat e të cilave, ka trandje, pikëllim, vdekje dhe trishtim. Në këtë roman, ka shumë tregime e zhbirime estetike, që ndizen një zjarri të madh, ku digjen fate njerëzore të pafajshëm, në një arenë marrëzish, në të cilën dalin në pah veset despotike të tiranëve, që presin t’i shohin njerëzit e nënshtruar ndaj pushtetit të tyre barbarë.
Kadareja me këtë vepër, mjeshtërisht i ka bërë autopsinë më të mirë fenomenit të ngjitjes së njeriut në pushtet, ndërkaq lexuesi, gjatë gjithë ngjarjes e ndien thirrjen që shkrimtari i drejton atij, për të tërheqë litarin kundrejt turmës, ka individit, sepse, turma i lidh fatet e njerëzve dhe i përmbys në humnerë, siç ngjet me fatet e personazheve të kësaj drame tragjike, që në euforinë e parullave për lavdinë e rreme të partisë, nuk çajnë kokën për njeriun që pëson dhe vuan. Kjo vepër rrëfen për gjëra vërtet të tmerrshme. Aty flitet për krime dhe terror, por shkrimi i Kadaresë, ndonëse lëviz nëpër rrugë gjembore, ku jeta i ngjet ferrit, është madhështore, fisnik dhe kudo ndihen pulset e forta të artit të rafinuar, ku shpërthen gjenialiteti i autorit, që shkruan një vepër të papërsëritshëm për pushtetin qelbanik, në të cilin, njerëzit duhet të flijojnë të tjerët, madje edhe familjarë, për të mbetur vetë në të. Duke paraqitë tërë përmasën e kësaj tragjedia, Kadareja e tërheq lexuesin matanë portave të ferrit. /ObserverKult