Remzi Limani: Krejt për dashuri

Nëse humbem honeve të mbushura errësirë, nga përhënja për ty ​​do t’isha shpëtuar dalë mendsh mrekullisht.

Nëse mureve të honeve s’do të theja tepelekun e kresë së çakorduar dalë filli,
do të bëhesha një kryebandit dhe do të merrja hajdutqe mbi një kalë të kuq mbuluar me push kadifeje.

Patjetër do të të arrestoja nën çelësin e zemrës time ku pihet uiski dhe digjet puroja kubaneze deri në fund të bishtit.

Në mëngjes do të zgjohesh nën batanie kuajsh, mbi gurë zjarri do ta derdhësh një çaj të nxehtë mali prej një tufe lulesh të thara nën hijen e një shkëmbi të kaltër.

Nëse do të bëhesh zog mëngjesi, folësit tjerë do të heshtnin dhe vetëm kënga jote do të dëgjohet gjithandej perëndimit të egër, për ta zbutur egërsinë e njeriut, që ta mësonin gjuhën tënde të butë prej mëndafshi.

Nëse do t’ishe një pasqyrë nusesh, unë do të fluturoja në dhomën e një gruaje ku ndihet aroma e buzëkuqit, solemnisht veshur buzëve tua të mishta, kurse unë do të të puthja në majë të hundës sate micërrake.

Dhe po të ishe gruaja ime, unë do të të doja deri në kapjen time, e cila kurrë s’do të ndodh, sepse unë jam kryebandit dhe divorcin nuk e pranoj assesi.

ObserverKult


Lexo edhe:

FJALA E NGJYER BOJËQIELLI: FILOZOFIA E BOTËKUPTIMIT POETIK TË FAHREDIN SHEHUT

Jo rastësisht, tek poeti Fahredin Shehu fjalët pikojnë prajshëm. Krejtësisht ndryshe nga pikat e fjalëve që i shohim dhe i lexojmë si formulime të papjekura në kuptimin e artit të shkruar.

Pra, poezia e tij, ka kuptimin e të qenurit. Solemnisht vishet me fjalën e arrirë, që na bëhet të mendojmë se fjala e tij është kunguar në ujërat e bekuar nga Krijuesi i universit tonë.

Dhe si e tillë poezia e Fahredinit jep frymë njeriu dhe këndon ndryshe nga të tjerët…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult