Remzi Limani: Krejt për dashuri

Nëse humbem honeve të mbushura errësirë, nga përhënja për ty ​​do t’isha shpëtuar dalë mendsh mrekullisht.

Nëse mureve të honeve s’do të theja tepelekun e kresë së çakorduar dalë filli,
do të bëhesha një kryebandit dhe do të merrja hajdutqe mbi një kalë të kuq mbuluar me push kadifeje.

Patjetër do të të arrestoja nën çelësin e zemrës time ku pihet uiski dhe digjet puroja kubaneze deri në fund të bishtit.

Në mëngjes do të zgjohesh nën batanie kuajsh, mbi gurë zjarri do ta derdhësh një çaj të nxehtë mali prej një tufe lulesh të thara nën hijen e një shkëmbi të kaltër.

Nëse do të bëhesh zog mëngjesi, folësit tjerë do të heshtnin dhe vetëm kënga jote do të dëgjohet gjithandej perëndimit të egër, për ta zbutur egërsinë e njeriut, që ta mësonin gjuhën tënde të butë prej mëndafshi.

Nëse do t’ishe një pasqyrë nusesh, unë do të fluturoja në dhomën e një gruaje ku ndihet aroma e buzëkuqit, solemnisht veshur buzëve tua të mishta, kurse unë do të të puthja në majë të hundës sate micërrake.

Dhe po të ishe gruaja ime, unë do të të doja deri në kapjen time, e cila kurrë s’do të ndodh, sepse unë jam kryebandit dhe divorcin nuk e pranoj assesi.