Restaurimi i Katedrales së Nantes pas zjarrit mund të zgjasë tre vjet

Restaurimi i katedrales së shekullit të 15-të, që u përfshi nga flakët në qytetin francez të Nantes javën e kaluar, do të zgjasë të paktën tre vjet, tha në një konferencë për shtyp arkitekti kryesor Pascal Prunet.

Ekspertët aktualisht janë duke zhvilluar një hetim për dëmin e saktë që është bërë, raporton Reuters, si dhe për shkakun e rënies së zjarrit, që dyshohet të jetë i qëllimshëm.

Autoritetet lokale thanë se ishte shumë herët për të vlerësuar se sa do të kushtojë rindërtimi.

Kjo ndodh vetëm një vit pasi një zjarr i madh shpërtheu në Katedralen Notre Dame në Paris, duke shkatërruar çatinë dhe kullën e katedrales, transmeton ‘tesheshi.com’.

Ky nuk është zjarri i parë që dëmton Katedralen e Nantes.

Ajo u shkatërrua pjesërisht në Luftën e Dytë Botërore në 1944 nga bombardimet. Zjarri i vitit 1972 shkatërroi plotësisht çatinë. Katedralja u restaurua 13 vjet më vonë kur çatia prej druri u zëvendësua nga një strukturë betoni.