Restaurohet ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë

Ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë është në proces restaurimi, për të nxjerrë në dritë vlerat e vërteta të kësaj vepre.

Restaurimi dhe konservimi i thesareve kulturore mbetet një sfidë e përditshme e ekipit restaurues të ikonave në këtë muze.

“Kjo ikonë vjen nga kisha “Burimi Jetëdhënës” Korçë dhe ndahet në dy breza. Në pjesën e sipërme paraqitet Trinia e Shenjtë, ndërsa poshtë katër shenjtorë të cilët kanë shkelur me këmbë dragoin”, – thekson Muzeu i Artit Mesjetar Korçë.

Sipas tij, nga e majta në të djathtë paraqiten në pamje ballore Shën Harallambi, Shën Vasili, Serafimi dhe Shën Gjergji.

“Një ikonë e ngjashme në kompozim është pikturuar nga Tërpo Zografi në vitin 1800”, – thekson muzeu.

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë vazhdon të zgjojë interesin e turistëve vendas dhe të huaj. I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016, ku u vendos në ndërtesën e re bashkëkohore.

Me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.

I pozicionuar përgjatë bulevardit “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash, por edhe një institucion unikal në rajon.

Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj./ATSH