Rexhep Shahu: Ndoshta më ke dashtë

Dikur besoja se në çdo vend që të puthja mbinte nga një lule
Dhe ti bëheshe tufë lulesh shumëngjyrshe.
Në krahët e tu që po thahen, në duart e tua që puthja e ia mbështillja fytyrës
Ka filluar vyshkja, po plasaritet lëkura
E ashpër e krahëve tu që ma gërvisht qafën e kujtimeve.
Ku vija bërrylat e duart të duket se po bëhen gropa në tavolinën para teje
Ti rri e i pastron vendet ku vija duart e nuk fshihen gjurmët e mia
Se duart e buzët i vija dhe në gjinjtë e tu, në kofshët e tua
E s’ka lot që i lan ato gjumë malli.
Sendet e vendet dhe vetja jote kanë filluar me tu dukë pa vlerë
Tash që jam larg teje e vetes drejt të shumtëve
Mungesa jote që më ka zënë frymën dhemb sa vetmia, deri në qiell.
Ti vështron gjurmët e këpucëve të mia qe nuk duken, shenjat që kam lënë në dysheme
Gjurmët e hapave që kam lënë kur ecja nëpër vend e rrija me ty
E më thoje, akoma nuk ike… kur të dhimbte dhe ty pamundësia e puthjeve
Ik se u bënë shtatë orë që ti rri këtu e bota thonë…
Bëja të ikja por shpesh ndoshta pa mendje më shtërngoje dorën e më tërhiqje të rrija
Tash që s’jam më krijon mbi ato gjurmë malli, më mbjell e më rrit para syve tu
Që shpesh djegin por i përtyp lotët e nxehtë të mos lënë gjurmë diegie në faqe.
Tani nuk bën më sikur nuk më shikon me vëmendje deri në imtësitë më të vogla
Edhe pse bëje sikur nuk i vije re vogëlsitë e mëdha, nuk i ngrije sytë të më shihje në sy
E kur ta kërkoja se doja të shihesha aty, ti qeshje si ti, vetëm si di ti dhe bota bëhej dritë…
Tani që nuk jam, rrekesh të më krijosh, të më nxjerrësh para teje
Prej syve të mallit, por tash jam veç prej ajri
Nuk kam më krahë përqafimi as buzë për puthje
Kam veç mall edhe pse më ke bërë të padukshëm
Hije që endem në ty pa mundë me dalë jashtë teje…