Rexhep Shahu: Nëse do të vij

rexhep shahu
Rexhep Shahu

Kur të vij ndonjëherë, nëse do të vij
Do të them se duke të dashtë ty
Kalova vitet më të bukura të jetës time
Deshta gruan më të bukur që e çmonte dashurinë.

Unë të deshta nga thoi te thoi
Edhe hijen ta deshta
Dhe ta putha qeshjen me zjarr se nuk qesh askush aq bukur sa ti
Ta putha dorën sa ta sosa se nuk më drithëron asgjë si dora jote në fytyrë.

Sa shumë të doja, gjithmonë më dukej pak
Dhe ndjehesha ngushtë me veten
Ti e ndjeje sa shumë të doja se të zmadhoheshin sytë prej deti
Dhe trembeshe gjithmonë prej dashurisë.

Kam me i vuajtë mungesat e mia
Se nuk u gjeta gjithmonë kur më deshe
Nuk ndenjta zgjuar
Të shihja dallgët në detet e syve tu.

Para syve tu kam me u thermue
E di se ke me ra në gjunjë me mbledhë trohat e mia
Me qendisë dhimbjen
Me gurë loti.

—————————————————————–

LEXO EDHE: REXHEP SHAHU: KU ËSHTË KOKA E HAVZI NELËS?

(Fjala e mbajtur në çeljen e ceremonisë së inaugurimit të bustit të poetit Havzi Nela në Kukës, me 12 qershor, 2018)

Nga Rexhep Shahu

Është fat i jashtëzakonshëm dhe privilegj i rrallë për mua ta çeli këtë ceremoni historike nderimi për Havzi Nelën, heroin e parë të vërtetë vendas, që nderohet me bust të vogël në këtë qytet të vogël që prodhon histori të mëdha guximi, sakrifice e krenarie.
Havzi Nela, është njeriu e poeti më antikonfromist, që qëndroi, që nuk iku, që nuk tha më fal, që nuk kërkoi mëshirë, që nuk u jargavit, që nuk vdiq në krevat, që nuk u vra duke ikë, që tha hapur nuk ju dua, që tha po, kam folur kundër e jam kundër sistemit komunist, i kam thënë të gjitha çfarë thoni ju, çfarë të doni ju. Falë tij Kukësi quhet qytet i poetit të varur.
I dashur Havzi,
Ti pate jetë e fat të jashtëzakonshëm.
E jetove lirinë dhe burgun me shumë nxitim….

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU