Richard Bach: Dhe kur rritesh kupton se…

jeta e njeriut

“Dhe kur rritesh kupton se…” nga Richard Bach

Kur rritesh e kupton se lumturinë nuk e gjen tek gjërat e mëdha.

Nuk e gjen, as tek lufta që bën me botën kur je 20 vjeç dhe do të dalësh medoemos gladiatori fitimtar.

Nuk e gjen, as tek bindja se dashuria është gjithçka.

Nuk e gjen, as tek emocionet e forta që shpërthejnë si fishekzjarre.

Nuk e gjen, as në majën e grataçelës, as te sfidat e vështira.

Kur rritesh e kupton se lumturinë e gjen te gjërat e vogla por të çmuara.

Dhe kupton,
se aroma e kafes në mëngjes është një ritual i vogël lumturie,
se mjaftojnë tingujt e një kënge, ndjesitë e një libri me ngjyra për të ta ngrohur zemrën, se mjafton era e kuzhinës, poezia e piktorëve të lumtur, se mjafton turiri i maces apo i qenit tënd, për ta ndjerë pakëz lumturinë.

Dhe kupton,
se lumturinë e gjen te emocionet e heshtura, te shpërthimet e vogla që fshehurazi ta hapin zemrën, se mund të mallëngjehesh nga yjet dhe mund të të shndritin sytë nga dielli.

Dhe kupton,
se një fushë me luledielli mund të ta ndriçojë fytyrën,
se aroma e pranverës të zgjon nga dimri,
se leximi i një libri në hijen e pemës ta shplodh dhe ta qetëson mendjen.

Dhe kupton,
se dashuria gjendet te ndjesitë e hijshme,
te pranitë që i ndien afër edhe kur ndodhen larg.

Dhe kupton,
se koha tretet, se pesë minuta mund të jenë shumë më të çmuar dhe shumë më të gjatë, se disa orë të mbledhura bashkë.

Dhe kupton,
se mjafton t’i mbyllësh sytë, ta ndezësh shpirtin, të nxjerrësh diçka nga furra në kuzhinë, të lexosh një poezi, të mbash shënime nga një libër, apo të shikosh një fotografi, që të mos ta ndiesh kohën dhe largësinë, që të ndan nga njerëzit që i ke në zemër.

Dhe kupton,
se të dëgjosh një zë në telefon apo të marrësh një mesazh që nuk e prisje, do të thotë të përjetosh çaste të vogla lumturie.

Dhe kupton,
se të mbash në dorë një foshnje është mrekullia e mrekullive.

Dhe kupton,
se dhuratat më të çmuara janë ato që të sjellin ndërmend njerëzit që do.

Dhe kupton,
se ka lumturi edhe tek ai nxitimi yt për t’i shkruar mendimet në një copë letër.

Dhe kupton,
se edhe tek melankolia e gjen një grimcë të hidhur lumturie.

Dhe kupton,
se me gjithë vetëmbrojten tënde,
me gjithë dëshirën apo fatin tënd,
në zemrën e çdo pulëbardhe që fluturon, gjendet
një Jonathan Livingston i vogël dhe i madhërishëm.

Dhe kupton,
se sa e bukur dhe e madhërishme është thjeshtësia.

Përktheu: Elona Caslli

ObserverKult


Lexo edhe:

MAYA ANGELOU: NJERËZIT HARROJNË GJITHÇKA, PËRVEÇ SI I KENI BËRË TË NDJEHEN…

bserverKult ua sjell disa thënie të Maya Angelou:

“Mund të më qëllosh me fjalët e tua, të më copëtosh me sytë e tu, të më vrasësh me urrejtje, por si ajri, unë sërish do të ngrihem”.

“Kam mësuar që njerëzit do të harrojnë atë që ke thënë, njerëzit do të harrojnë atë që ke bërë, por njerëzit kurrë nuk do ta harrojnë se si i ke bërë të ndjehen.”

“Nëse nuk e pëlqen diçka, ndryshoje. Nëse nuk mund ta ndryshosh, ndrysho qëndrimin tënd”.

“Nëse po përpiqesh gjithmonë të jesh normal, nuk ke për ta kuptuar asnjëherë se sa i mrekullueshëm mund të jesh”.

“Ne kënaqemi me bukurinë e fluturës, por rrallë pranojmë ndryshimet që ka kaluar për ta arritur atë bukuri.”

“Nëse nuk jam e mirë me veten time, si mund të pres që dikush tjetër të jetë i mirë me mua?”

“Ne kemi nevojë për shumë më pak nga sa mendojmë se kemi nevojë.”

“Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme përtej disiplinës dhe kreativitetit, është të marrësh guximin të dyshosh”.

Thëniet e tjera mund t’i lexoni KËTU:

ObserverKult