“Rikardi – Nuk kam asnjë peng!”, Marjeta Ljarja: Sikur i përmbushët një amanet, nuk donte elozhe

rikard ljarja
Rikard Ljarja

Regjisori i njohur i skenës dhe i ekranit, Rikard Ljarja, i konsideruar si ikona e kinematografisë shqiptare, do të mbushte më datë 1 prill plot 79 vjeç.

Për ta përkujtuar këtë datë, bashkëshortja e tij, artistja e njohur, Marjeta Ilo Ljarja, kishte organizuar një pritje-koktej me ish-kolegë, artistë, gazetarë, miq dhe të njohur të artistit të madh që u nda nga jeta më 20 prill 2020.

Me këtë rast, me personalitete të skenës dhe të ekranit, me emra nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, si: Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Piro Milkani, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, Mevlan Shanaj, Natasha Lako, Sajmir Kumbaro, Bujar Kapexhiu, Kristaq Mitro, Besnik dhe Anila Bisha, Rajmonda Bulku, Petrit Malaj, Spiro Konduri, etj., u promovua edhe libri i ri, “Rikardi – Nuk kam asnjë peng”, transmeton ‘panorama.al’.

Libri në fjalë, i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, është përgatitur për botim nga gazetari Dashnor Kaloçi dhe vetë Marjeta Ljarja, e cila në fjalën e hapjes, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit, theksoi: “Si për të respektuar një dëshirë të Rikardit, libri kushtuar atij, përmban vetëm shkrime të bëra nga vetë ai, intervista të dhëna në organe të ndryshme të shtypit dhe medias vizive, apo dhe shkrime që kanë bërë të tjerët për të, të cilat i përkasin një periudhe kohore që nga fillimi i viteve ‘90-të e deri në ditët e fundit të jetës së tij”.

Pra, në librin “Rikardi – Nuk kam asnjë peng”, nuk është përfshirë asnjë shkrim që është bërë për artistin e madh, pas datës 20 prill 2020, kur ai u përcoll për në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes, Shkodër.

Marjeta Larja theksoi gjithashtu, se “me këtë zgjedhje të përmbajtjes së librit, sikur përmbushte një amanet të Rikardit, pasi ai nuk i kishte qejf bujën, elozhet e lavdërimet dhe në këtë kontekst, edhe takim përkujtimor, ishte vetëm mes një rrethi miqsh shumë të ngushtë të tij, e pa praninë e shumë mediave”.

Në fund të fjalës së saj të shkurtër, aktorja e njohur, Marjeta Ljarja, falënderoi edhe një herë të gjithë ata që kishin shkruar për Rikardin dhe që ai libër të shërbente thjesht si një homazh dhe memorie në rastin e 79-vjetorit të ditëlindjes së tij. Më pas, disa nga kolegët e miqtë e ngushtë të artistit të madh, si: Petrit Malaj, Tinka Kurti, Piro Milkani, Bujar Kapexhiu etj., sollën për të pranishmit kujtime të tyre nga periudha kur kishin punuar me Rikardin.

Libri në fjalë kushtuar aktorit dhe regjisorit të famshëm të kinematografisë shqiptare, një botim luksoz i shtëpisë së njohur “Onufri”, përveç shkrimeve të ndryshme, përmban gjithashtu edhe disa foto të rralla familjare të Rikardit (duke filluar nga fëmijëria e deri në vitet e fundit të jetës), foto të posterave dhe disa prej roleve më të spikatura të tij në kinematografi, që kanë lënë gjurmë te shikuesit dhe adhuruesit e shumtë të tij, kopertina të librave të shkruara nga vetë Rikardi, punime të tij në pikturë (ku me një pjesë të tyre ishte dekoruar ambienti ku u zhvillua eventi përkujtimor) etj.

Lexo edhe:

RIKARD LJARJA, AKTORI DHE REGJISORI QË I MUNGON SKENËS SHQIPTARE

ObserverKult