Rita Filipi: U ngritën nga gjumi dy përbindëshat

U ngritën nga gjumi
Dy përbindëshat
Që jetojnë
Në kurmin tonë.
Ky dimër kish zgjatur
Më shumë se tre muaj
Mbase dhe tre shekuj
Kush e mban mend!
I shpërthyen
Zgavrat
Brenda trupave tanë

Një mëngjes
Teksa nuhatën
Aromat ndjellëse
Të natyrës
Çmendur në pllenim…
Të unët për ushqim,
Të unët për ndërzim
Hungërinë
E iu sulën njëri-tjetrit
Xixa
Sytë iu shkreptinë
U kapërthyen e u rrotulluan
Mbi barin e njomë
I shtypën
Lulet e milingonat

Aty pranë
U lëpinë
Derisa pështyma iu tha
U gërvishtën me thonj
Pa u shqyer
E pa nxjerrë asnjë pikë gjak
Grahën e grahën
Sa mundën
Ulëritën
Deri në ekstazë…
Dhe ashtu të nginjur
U rikthyen
Brenda trupave tanë.