Rita Ora në një intervistë për ‘Grazia USA’ foli për ikjen e saj nga Kosova, për familjen që besoi në talentin e saj, lidhja me bashkëshortin e saj dhe albumin e saj të ri.
“You Only Love Me” nuk është vetëm titulli i një hiti që ka mahnitur fansat me energjinë e tij. Ai sinjalizon kthimin e Orës në krye të top-listave me albumin e saj të tretë, You & I — një projekt për të cilin ajo po punon prej dy vitesh dhe që do të publikohet më 14 korrik.
Ora për lidhjen e saj me Taiki Waititi e pranon pa frikë se kjo marrëdhënie i ka dhënë edhe një energji të re profesionale dhe ka frymëzuar pothuajse të gjithë tekstin e albumit të ri.
Rita dëshmon të jetë një grua këmbëngulëse dhe e vendosur, falë edhe historisë së saj personale dhe dimensionit të veçantë multikulturor dhe fetar në të cilin u rrit.
Ora, tani 32 vjeç, mbërriti në lagjen Notting Hill të Londrës kur ishte vetëm 1 vjeç. Familja e saj vinte nga Kosova, e copëtuar në vitet ’90 nga përleshjet që çuan në luftën në Ballkan.
Prindërit e saj bënë një arratisje të guximshme – por një udhëtim nuk është pa vështirësi dhe të panjohura, shkruan media.
Le të fillojmë pikërisht këtu, nga rrënjët tuaja. Babai juaj është një musliman, ekonomist dhe pronar pub-i dhe nëna juaj ishte një psikiatre dhe është e besimit katolik. Të dy shqiptarë të Kosovës. Si ka qenë fëmijëria juaj?
“Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë një dhuratë, ndihma ime më e madhe dhe unë isha jashtëzakonisht me fat që u rrita me vëllezërit e motrat e mia, Elenën dhe Donin, në atë që unë e konsideroj një guaskë mbrojtëse të dashur.
Anëtarët e familjes sime ishin shumë të bashkuar për gjithçka dhe më mësuan vendosmërinë, guximin dhe besnikërinë – të gjitha vlerat themelore dhe të domosdoshme kur dëshiron të arrish majat.
Isha shumë e vogël kur u larguam nga Kosova për në Londër. Ngjarjet e asaj periudhe të jetës sonë janë intensive, ndonjëherë prekëse.
U desh një guxim i madh nga ana e prindërve të mi për të përballuar një ndryshim kaq rrënjësor të jetës në një vend kaq të ndryshëm nga i tyri.
Megjithatë ne ia dolëm dhe të shoh ku jam tani është bukur. Më jep energji të madhe. Nuk do t’i kisha ndërtuar të gjitha këto pa mbështetjen e familjes sime.”
Ju keni miliona fansa shumë të rinj. Çfarë shembulli dëshironi të jeni për fëmijët që ju ndjekin edhe në rrjetet sociale?
“E ndjej për detyrë të ngjall besim te fansat e mi. Gjatë dy viteve të fundit, duke punuar në albumin e ri, kam nisur vërtet një udhëtim dhe jam hapur me audiencën time në një mënyrë që na lidh edhe më afër dhe më ka sjellë shumë lumturi.”
Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit një moment në karrierën tuaj që ju bëri veçanërisht krenare, cili do të ishte ai?
“Në vitin 2015 pata privilegjin të performoj gjatë Oscars. Ishte një nga ngjarjet për të cilën jam më shumë krenare dhe, duke e parë tani me kokë të qartë, mund të them se ajo performancë përfaqësoi një moment rritjeje për mua. Ndërsa këndoja dhe shfaqja ime u shpalos para atij publiku të jashtëzakonshëm, mendova: ‘Uau, nuk mund ta besoj që po e bëj këtë në të vërtetë, nuk mund ta besoj se po më ndodh mua’.
Cilat janë disa nga modelet tuaja femra?
Nëse kujtoj fëmijërinë time për të gjitha figurat që admiroja dhe që ishin atje duke u përpjekur të përmbushnin veten, të pohonin veten, të besonin në vizionin e tyre për muzikën dhe artin, ata janë artistë si Cher, Madonna, Whitney Houston, Spice Girls . Krahas këtyre artistëve është edhe nëna ime.
Të gjithë ata kanë qenë një burim i madh frymëzimi për mua dhe për karrierën time, më kanë dhënë forcë dhe besim me shembullin e tyre.”
Çfarë do të thotë të rritesh si këngëtare?
“Kam punuar ditë e natë për albumin tim të ri për dy vitet e fundit. E lidha me një temë shumë të rëndësishme për mua: historinë time të dashurisë.
Për herë të parë jam në krye të gjithçkaje që dëgjoni, nga shkrimi i këngëve deri te produksioni. Doja që kjo punë të përputhej me disponimin dhe ndjenjat e mia dhe të kapte gjithë lumturinë që po kaloja.”
Me imazhin dhe muzikën tuaj ju shprehni modelin e një femre sensuale dhe të vetëdijshme. Çfarë është liria për ju?
“Është një koncept i lidhur me mundësinë për t’u shprehur dhe për t’u ndjerë gjithmonë i mirëpritur. Kjo është e vërtetë në çdo fushë dhe, veçanërisht për mua, është e rëndësishme kur bëhet fjalë për ndjenjat.
Të jesh i lirë të duash, të pranosh veten për atë që jemi është diçka nga e cila nuk mund të hiqja dorë. Jeta ime është shoqëruar nga transformime të mëdha, si në jetën time private ashtu edhe në atë profesionale.
Dhe shumë nga këto ndryshime kanë qenë vendimtare. Duke ditur që mund të evoluoj dhe të jem gjithmonë ndryshe, më bën të ndihem e lirë më shumë se kurrë.”
Si do ta përshkruanit Rita Orën?
“Kurioze. E patrembur. Pasionante. Qesharake. Këmbëngulëse. Ja, unë jam kështu.”/ Top Channel
Observerkult
Lexo edhe:
RITA ORA RRËFEN BETEJËN ME ANKTHIN: GJITHÇKA NISI KUR MAMI IM VUANTE NGA SËMUNDJA E RËNDË
Këngëtarja Rita Ora ka rrëfyer së fundmi problemet e saj me ankthin.
Në një intervistë, ajo tregoi se filloi të kishte ankth që në adoleshencë. Më saktësisht kur nëna e saj, Vera, zbuloi se vuante nga kanceri i gjirit.
“Shkova te mjekët. Unë mendoja se kam astmë. Nuk e kuptova se ishte një sulm paniku. Fjala ‘sulm paniku’ më trembi”, tha ajo.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult