Rita Petro: E dhimbshme, e tmerrshme… ne nuk i mbrojmë dot fëmijët tanë

rita petro

Nga: Rita Petro

E dhimbshme; e tmerrshme! Ne nuk i mbrojmë dot fëmijët tanë, sidomos prej rreziqeve që vijnë nga bota vulgare, manjake, perverse, arrogante, delirante e të rriturve. Ndaj kjo që ndodhi me vogëlushen në plazh, nuk është thjesht një aksident por pasojë e anarkisë sonë shqiptare, që nuk po merr dot fund.

Kaq vite me pushime vere në Kroaci, ku numri i skafeve, gomoneve, jahteve është aq i dendur si trafiku i makinave nëpër rrugë, dhe s’kam parë asnjëherë që lëvizjet e tyre të shpejta të bëhen brenda vijës ku notojnë njerëzit.

Edhe kur duhet të arrijnë në vendet ku ankorohen, shpejtësia është minimale. Ata që kanë licensat e përdorimit me qira të motoskafeve duhet patjetër të udhëzojnë e të monitorojnë lëvizjet e përdoruesve.

Nga ana e shtetit duhet të ketë kontrolle mbi këto mjete, nëse janë apo jo të sigurta për ata që i përdorin dhe për ata që lahen në det.

Problemi më i madh te ne është ekstremi: ose ndalohen fare këto mjete lundrimi ose lejohen pa kontroll.

Si në shumë gjëra të tjera jeta e qytetarit mbetet në dorë të zotit e asnjë tabelë kujdesi nuk na bën të ndihemi mirë, se dikush kujdeset për jetën tonë, pse jo dhe për relaksin tonë. Kjo është dora e shtetit, të cilin kur je me pushime jashtë shtetit e ndien kudo; përveçse te ne.


Lexo edhe:

RITA PETRO: LETËR E HAPUR PRINDËRVE TË MI

Prindërit e mi të dashur, mbase na kanë munguar çastet për të ndarë bashkë fjalë dashurie dhe mirënjohjeje. Ju na i shprehnit ato me mënyra të tjera, ndonëse unë dhe motra ime sot sillemi më hapur me fëmijët tanë. Por ajo pse e shkruaj këtë letër është falënderimi i hapur për ju, që jam e bindur se do ta lexoni këtë letër, pavarësisht në cilën pikë të hapësirës qiellore ndodheni...

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU