Rita Petro: Miku im

Të prenë në mes
Besëprerët
Miku im.
Nuk mundem të të shoh
Ulur në gjunjë
Me duart e mbledhura
Në bark
Nga të rrjedh vreri jeshil i hidhërimit.
Ngrije kokën
Miku im,
Mos u turpëro
Nga fytyra shëmtuar
Prej dhimbjes,
Duar miqsh janë zgjatur
Drejt teje.
Ti i deshe të gjithë
Fatkeqët dhe fatlumët,
Kundërshtarët i le ta ngjyenin bukën
Në pjatën tënde,
Hape një derë
Ku ata hynë,
Veç ti dole,
I përcjellë me buzëqeshje
Imorale.
Miku im,
Mos bjer kurrë në kurth
Të rrosh me ëndrrën e hakmarrjes
Lëri besëprerët dhe bukëshkalët
Të kacafyten me njëri-tjetrin.