Poezi nga Riza Braholli
Dimë kaq pak për njëri-tjetrin.
Një përplasje sysh, një pjekje gishtash;
sa mund të thonë?
Një puthje, flakëz ndezur mes buzëve,
që vjen prej territ;
ç’mund të na tregojë?!
Megjithëse edhe bota, universi
nga një flakëz e tillë u lind
ndonëse më pas ia vunë emrin fjalë.
A mund ta di si vetëm me një fërgëllimë
me përpëlitje gjoksesh e krahësh të pavolitur
pamë si hapej një hon e si lartohej një qiell
në të njëjtën kohë.
Me sa mbaj mend, ika prej vetes, (edhe ti)
nëpër ca shkallë, duke ngjitur a zbritur,
mu duk vetja yll që ndrin
e digjet e bie për hatër e dëshirës së dikujt.
Dimë kaq pak për njëri-tjetrin
dhe, në këtë natë kur rrëkëllehem kaq butë,
mbi këtë lëndinë të pjerrët mendimesh,
i nanurisur nga një prelud i humbur ëndrre e malli,
i zbrazem zemrës më tërë dufin e mllefin e të fortit
q’i hakërrehet një adoleshenteje
tulatur e strukur në më të çuditshmin faj
se dashuroi pa asnjë ngurrim, si lulet
kur jugës i jepen ditëve të para të Marsit.
Dimë kaq pak për njëri-tjetrin.
Po si mund më shumë kur një jetë na duhet
të udhëtojmë për të njohur veten
e mbase dhe kështu nuk ia dalim?!
ObserverKult
Lexo edhe:
RIZA BRAHOLLI: SHKRUAJ SE E DUA LOJËN E ARTIT, SE MË MREKULLON E MË…