Përditë e më tepër po bëhesh e lehtë,
Pupël, pupël…
E kam frikë atë ditë kur të vijë era.
Nuk dua të jem aty edhe pse qiejt i dua.
Si të të fsheh? Kam vetëm sytë, zërin
dua të të lidh me to, po si?
Mos më lërë, o ma, mos më ikë!
Era do të luajë me ty qiell më qiell
Ti e di, jam tokësor;
s’kam krahë të të ndjek për një qafim.
Tashti më vjen të qaj,
t’ulërij më vjen o ma;
s’të dëgjova kur më luteshe: bir
beso; besimi ia lë hallet dheut.
Je bërë pupël o ma
kam frikë erën; s’kam krahë!