Robert Shvarc: Të dua ty, ndoshta pse s’të njoh akoma

Poezi nga Robert Shvarc

Ti më flet, edhe më flet, edhe më flet
dhe e di që s’thua të vërtetën-
Ti më flet, edhe më flet, sepse ke frikë:
po të heshtësh, heshtja jote
shum’ më tepër do të më flasë …

Unë s’e dua jetën:
Çdo gjë që njeh, njeriu s’e do më
Por unë të dua ty –
ndoshta pse s’të njoh akoma ,
ndoshta pse ndër sy
ti ruan fshehtësin’ e mrekullueshme
të seksit tënd, që s’don të njihet kurrë:

Më vjen e më vjen porsi aroma
e luleve të bardha të kajsisë…

Më ikën e më ikën si ré e bardhë
drejt pafundësisë…

1962

*Titulli i origjinalit: “Ti më flet…”

ObserverKult 


Lexo edhe:

ROBERT SHVARC, PËRKTHYESI QË ENDE “FRYMON” ME VEPRAT QË I LA

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU